Në prag të mbylljes së fushatës për zgjedhjet vendore, kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetin e tij social Facebook një mesazh të fundit, dedikuar të gjithë qytetarëve, ndërsa një falënderim e ka për të gjithë ata që u angazhuan në fushatën zgjedhore.
Kryeministri Edi Rama shkruan se në këto zgjedhje do të arrijnë një rezultat spektakolar, e ndalur në arsyet, ai thotë se qytetarët do t’i mbështesin sepse po punojnë për të ndërtuar Shqipërinë e gjeneratës tjetër.
"Kjo fushatë na ka hapur rrugën e fitores së tetë, pasnesër më 14 maj, me rezultatin më spektakolar të të gjitha zgjedhjeve vendore qysh nga viti 2007. Arsyet pse ne do të fitojmë shumë bindshëm janë më shumë se sa një. Por unë sonte po e mbyll kapakun e albumit të kësaj fushate me arsyen e madhe që ilustron kjo foto: Sepse ne po ndërtojmë me vizion, ambicie, punë të palodhur, këmbëngulje e durim të madh, Shqipërinë e gjeneratës tjetër dhe këtë, shumica e shqiptarëve e dinë, e kuptojnë, e ndjejnë, prandaj edhe na votojnë, pavarësisht pakënaqësive, kritikave, rezervave që sigurisht kanë për ne.
Ndërsa të tjerët, ata që nuk na kanë votuar asnjëherë, kanë nisur ta perceptojnë, ngadalë, nga pak, patjetër ende me shumë vështirësi, se nuk ka asnjë forcë tjetër që ka fuqinë dhe aftësinë t’i hapë rrugën të ardhmes së Shqipërisë së fëmijëve të tyre. Prandaj megjithëse përsëri nuk do të votojnë për ne, me përjashtime të vogla, do të jenë jo edhe aq të pakët këtë herë në radhët e tyre ata që do të mendohen dy herë, për ku do ta çojnë apo nuk do ta çojnë fare votën e tyre, për të mos u bërë palë me një të keqe që Shqipëria nuk ka më arsye ta pranojë! Dhe kjo sjellje e re e këtyre të fundit do të ndjehet në erën e fortë të fitores së 14 majit
Shumë faleminderit të gjithë atyre prej jush që ishin pjesë e kësaj cope të re të rrugës sonë drejt të ardhmes, që nga pjesëmarrësit në takimet e panumërta të kandidatëve, deputetëve, drejtuesve politikë apo tubimet e mia, tek kryetarët e anëtarët e çdo organizate, patronazhistët e paepur dhe aktivistët e palodhur, e deri tek të gjithë ata mbështetës, brenda apo jashtë vendit, që na dhuruan energji të çmuara përmes valëve të vëmendjes së tyre", shkruan Rama.