Kryeministri Edi Rama thotë se pavarësisht takimeve të shumta në të gjithë vendin, qeveria ka munguar aty ku qytetarët kanë pasur problemet e tyre konkrete. Duke folur për “Pasqyrë Albania”, ai tha se qeveria duhet të përballet me të metat e veta dhe, nëse nuk arrin të përmirësohet, “duhet të hapë krahun”.

“Një shtet që nuk mban mend çfarë ka thënë dje, nuk kërkon dot besim sot. Pasqyrë Albania nuk është pasqyrë ku qeveria apo të treja pushtetet, në rast se futen në Pasqyrë, shfaqen bukur para qytetarit. Është një pasqyrë ku qytetari e sheh qeverinë siç është. Një qeveri që nuk i duket bukur qytetarit në pasqyrë, duhet të përballet me testin e aftësisë së vet dhe me sfidën që të përmirësojë pamjen e vet dhe jo pasqyrën. Çfarë ka bërë, çfarë nuk ka bërë akoma, çfarë po ndryshon dhe është në gjendje të japë përgjigje për çfarë pyetet, janë të gjitha barrë e pushtetit. Një reformë e tillë ka vlerë vetëm nëse pasqyra nuk fsheh se sa shëmtuar mund të duket qeveria në një moment të caktuar.

Nëse pasqyra përdoret kundër qeverisë, funksionon. Qeveria nuk duhet të zihet me pasqyrën, por duhet të merret me veten. Nëse nuk është në gjendje të merret me veten, duhet të hapë krahun. Përndryshe nuk është pasqyrë, por billboard reklamash qeveritare.

Transparenca nuk mjafton, transparenca kërkon përgjegjësinë, dhe pa përgjegjësinë transparenca është kronikë. Prandaj arsyeja e pasqyrës është e pamjaftueshme pa arsyen e besës. Busulla që orienton qasjen e çdo pushteti, sipas meje. Besa është fjalë e madhe, e bukur, tërheqëse, prandaj tani e përdorin të gjithë, por përtej impaktit që ka fjala, për ne BESA nuk është thjesht fjala besë, por është akronimi: besim, empati, shërbim dhe angazhim.

Prania Besnike nuk është kalendar elektoral, as organizativ, madje nuk është kalendar partie. Është pjesë e një sistemi që e kthen dëgjimin në kusht dhe kushtin në detyrim për t’u përgjigjur.

Problemi ynë s’ka qenë që ne nuk kemi ditur të bëjmë takime, madje ne kemi qenë aq shumë herë kudo në hartën e Shqipërisë për takime sa askush tjetër dhe do duhen vite që të tjerët t’i mbledhin të gjitha takimet që bëjnë për të arritur në një masë takimesh të përafërta me takimet që ne bëjmë në harkun e një viti. Ne kemi munguar në pikën e hallit të njeriut, kemi qenë në çdo pikë të hartës. Distanca nga qytetari nuk matet me km që bën për të shkuar atje, por matet me sa të hapur janë veshët e tu kur qytetari flet.”


Lajmi kryesor:

Rama: Shteti, 3 plagë që duhen kuruar! Ndërhyrja e deputetëve për punësime të bëhet vepër penale! Me ‘Flamingo Mirror’ publikojmë dokumentet për Sazanin e Zvërnecin