Kryeministri Rama përmbylli fushatën edhe në qyetetin e Korçës,nga ku sërisht kërkoi votën ë banorëve për kandidatin Filo.Ai shtoi gjithahstu se Korça është dhe mbetet shembulli real dhe kampion i Rilindjes Urbane dhe kampion i saj. 

"Dua që t’ju them shumë sinqerisht të gjithë atyre që sonte nuk do të flenë të qetë, sepse nesër do të gdhihen përsëri të papunë, dua ti them sinqerisht të gjithë atyre që sonte e kanë pasur të vështirë për të përgatitur tryezën e darkës për shkak të varfërisë, dua ti them sonte, të gjithë atyre që na kanë besuar votën në 23 qershor apo dhe që nuk na kanë votuar, e që sot vazhdojnë të vuajnë pasojat e sjelljes së papranueshme në zyrat e shtetit ku vazhdon korrupsioni, - sepse gjithçka që ne po themi sot këtu, gjithçka që ne kemi bërë në këto 18 muaj, gjithçka që ne parashohim të bëjmë për të vazhduar në rrugën e rilindjes urbane të Korçës, - nuk më pengon, përkundrazi, që të ndjej thellë në shpirt, dhimbjet, hallet dhe problemet që mundojnë ende kaq shumë njerëz.
Përkundrazi, unë jam plotësisht i vetëdijshëm se përtej gjithë këtyre dritave, përtej gjithë rrezatimit të modelit të shkëlqyer të zhvillimit urban këtu në Korçë, përtej të gjitha arritjeve të pamohueshme të bashkisë së Korçës, të kryetarit të bashkisë së Korçës dhe tonat, të shikoj se ka ende jashtëzakonisht shumë për të bërë.
Në 18 muaj të bilancit tonë të parë qeverisës, ne nuk kemi arritur që të ndezim dritën në fund të tunelit për shumë familje. Ne nuk kemi arritur që ti japim punën që duan dhe që meritojnë shumë shqiptarëve në gjithë Shqipërinë, por edhe këtu në zonën e bashkisë së re të Korçës. Ne nuk kemi arritur që ti trajtojmë dhe kurojmë të gjitha plagët e mëdha, të thella dhe shpesh herë të tmerrshme, që hapën vite të tëra zvarritje në një tranzicion krejtësisht të pamerituar për shqiptarët.
Korça sot, ju të gjithë sot këtu në shesh, jeni në të drejtën tuaj legjitime, që ta shikoni si një moment feste dhe celebrimi të gjithë këtij rrugëtimi që është bërë nga bashkia e Korçës, sidomos në 18 muajt e fundit.
-tha kryeministri

Ai shtoi gjithashtu vështirësitë nëpër të cilat ndodhen shumë familje shqiptare, si varfërinë ashtu edhe papunësinë.

E pra, kryetarët e komunave, këshillat e komunave, komunat vetë nuk kanë bërë dot për njerëzit në fshat, atë që ata kanë menduar kur kanë dhënë votën. Ka ndryshuar baza e organizimit dhe kjo reformë është një nga momentet më të rëndësishme të historisë të modernizimit të shtetit. Sepse nuk kemi 61 bashki që janë rritur mekanikisht, por kemi njësi ekonomike zhvillime, që do t’i japin një forcë të re ekonomisë kombëtare dhe asaj familjare. Ata që nuk kanë ujë për të vaditur tokën nuk do të shikojnë më vetëm nga qielli me lutjen “o Zot hidh një kovë me ujë, se nuk kam”, ose o Zot mbaje ujin, se u përmbyta”, por do të kenë më në fund derën ku do të trokasin, njeriun që do t’i dëgjojë dhe gjithë forcën që do të ketë në krah, bashkinë e re.
Prandaj, në 21 qershor, unë besoj se jo vetëm Korça, por edhe Maliqi, edhe Devolli, edhe Kolonja, pa diskutim edhe Pusteci do të votojnë për të qenë sëbashku në drejtimin e duhur, do të votojnë për ta kthyer të gjithë këtë zonë, në një zonë zhvillimi të qëndrueshëm, për t’ju dhënë dorën të gjithë atyre që duan të jetojnë me punë të ndershme, për të çliruar shumë më tepër energji njerëzore, por edhe kapitale në funksion të zhvillimit, do të votojnë për familjen dhe për fëmijët e tyre"
,- deklaroi Rama.
 
Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)