Rama kritika Klosit dhe Kushit: Pati probleme me plehrat në zonat turistike dhe administrimin e plazheve! Arsimi me problematika mungojnë aktivitetet kulturore të fëmijëve

Kryeministri Edi Rama ka pasur kritika për dy sektorë në veçanti atë të Turizmit dhe të Arsimit, ku tha se ka ende shumë për të bërë dhe se problematikat e dala ja vlejtën për të mbajtur shënimet për të përmirësuar ata. Rama tha se pati probleme me menaxhimin e plehrave në zonat turistike dhe administrimin e plazheve.

"Fatkeqësisht, pandemia dhe hallet e mëdha që erdhën me të dhe tërmetin bashkë nuk na dhënë mundësinë të investojmë aq sa do të donim në drejtim të fuqizimit të ofertës sonë turistike. Prandaj mbetet për më tej që ta bëjmë këtë, duke e mbajtur mirë shënim dhe çka nuk arritëm të bënin sa dhe si duhet për mangësitë tona, ende të konsiderueshme, në aspektin cilësor të sezonit turistik si përshembull, plagën ende të hapur, në disa raste edhe kutërbuese, të plehrave dhe të papastërtisë në zonat turistike ku duhet ndërruar qasja dhe përqendruar energji e forca shumë më të mëdha.Pa harruar administrimin e plazheve që në këtë sezon la jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar. Por edhe të tjera mangësi akoma që duhen administruar me qartësi, me shpejtësi, me këmbëngulje dhe me shumë vendosmëri më tej. Padiskutim, po të kthejmë kokën mbrapa, nuk ka asnjë krahasim të mundshëm në këtë fushë jo me tetë, por as me katër vjet më parë dhe për këtë mjafton të shikosh ndryshimin rrënjësor të interesit dhe të tonit të mediave prestigjioze ndërkombëtare për Shqipërinë turistike. Ashtu sikundër nuk ka fare diskutim që krahasuar me tetë vjet më parë, kur ishte një vend i mbytur nga plehrat dhe papastërtitë ngado ktheje kokën, Shqipëria e sotme është shumë më ndryshe, falë punës së madhe që kemi bërë në këtë drejtim. Ama, për t’u bërë kampionët e padiskutueshëm të Ballkanit në turizëm në fund të kësaj dekade, duhet një shumëfishim domethënës i luftës për mbrojtjen e mjedisit, ku fushat e grumbullimit primitiv të plehrave lart e poshtë dhe ndotja shqetësuese e ujërave dhe ajrit për shkak të tyre janë vetëm pjesa më e dukshme e problematikës mjedisore të Shqipërisë së sotme", tha Rama

Ndërsa në fushën e arsimit tha se ka ende për të bërë si në arsimin parauniversitar dhe në arsimin e lartë. Ai u përqendrua edhe te aktivitetet kulturore të fëmijëve ku tha se duhet të fillojnë që kur janë të vegjël dhe se edukatoret duhet të paguhen njësoj si mësuesit. Këto ishin ambiciet e tij për Shqipërinë 2030.

Kjo qeveri ka çuar më tej punën e madhe të bërë gjatë mandatit të parë për reformimin e arsimit dhe për përmirësimin e kushteve të arsimimit, ku ende një det i tërë na ndan sidoqoftë, për hir të së vërtetës, në realizimin e ambicies sonë për Shqipërinë arsimore. Por jam vërtetë krenar që disa plagë të tmerrshme, në dukje të pashërueshme përgjithmonë në organizmin e arsimit tonë parauniversitar, që nga rekrutimi partiak i mësuesve e deri tek tekstet e panumërta jashtë standardeve, apo hyrja në universitete sipas xhepit, mikut apo partisë, i përkasin përfundimisht të shkuarës, falë kësaj qeverie. Ashtu sikundër nuk jam aspak krenar për gjendjen tërësore të universiteteve, të cilën do ta adresojmë me shumë punë, me shumë durim, në bashkëpunim të ngushtë me rektorët, duke synuar njëkohësisht në vijim, përfshirjen sa më shumë në arsimin tonë të lartë të universiteteve publikë ndërkombëtare. Shqipëria 2030 duhet të kthehet në një hab të arsimit të lartë në rajon. Nuk jam aspak krenar po ashtu për  gjendjen aktuale të lëvizjes sportive shkollore apo universitare, e cila pavarësisht disa hapave të bërë, krahasimisht me kohën kur ne erdhëm në qeveri, është realisht shumë nën nivelin e mundësive tona reale, prandaj do merremi shumë posaçërisht me këtë, si dhe me aspektet kulturore të jetës së të rinjve dhe fëmijëve tanë. Është e pajustifikueshme më tutje që fëmijët e vegjël të mos kenë një vëmendje shumë më të madhe, që edukatoret e kopshteve dhe çerdheve të mos paguhen pse jo njësoj si mësuesit e gjimnazeve apo dhe më shumë, që zhvilluesit e resorteve turistike apo të tjerë në botën e sipërmarrjes të mos detyrohen të mendojnë për fëmijët, në radhë të parë.  Patjetër edhe për kulturën kemi bërë jo pak edhe në këtë mandat të dytë, qoftë me shpëtimin dhe rivlerësimin e monumenteve tona të trashëgimisë kulturore, qoftë me angazhimin për zgjerimin e hapësirave kulturore me cilësi e me standarde krejt të tjera, por shumë më tepër do bëjmë me realizimin e projektit të bllokut të ri të Galerisë Kombëtare, me realizimin e projektit të Teatrit të ri Kombëtar, me realizimin e projektit të Qendrës së re Teatrore të Fëmijëve në Tiranë, të cilat janë në rrugë e sipër, si dhe me projekte të tjera të vogla, por me rëndësi të madhe në disa qytete të tjera, kryesisht ato me potencial të lartë turistik', tha Rama


Lajmi kryesor:

Takimi i fundit për mandatin e dytë, Rama: Javën e ardhshme prezantoj qeverinë e re! Ky mandat u mbyll me nota pozitive! Turizmi dhe Arsimi, dy dikasteret me kritika


I.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë