"Po e çon Kosovën asgjëkundi, po e kthen vendin në një problem të aleatëve", janë këto kritikat e ashpra që kryeministri Edi Rama i ka drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Në një intervistë, Rama i bëri komentet në lidhje me deklaratat e Kurtit për 'Ballkanin e Hapur", që e cilësoi nismë pa vizion, pas takimit të zhvilluar në Beograd.

"Strategjia e ndjekur deri më tani, nuk e çon Kosovën asgjëkund. Nuk dua të hy në polemika me Albin Kurtin, por e ka kthyer Kosovën nga një partner i besueshëm dhe i dëshiruar i aleatëve të shqiptarëve, në një problem të tyre dhe kjo nuk është pozitive. Kosova është rezultat i një lufte të mbështetur nga miqtë e shqiptarëve dhe nuk është në pozicion të marrë rrugë të reja pa u konsultuar me askënd he që askush nuk i mbështet. ne nuk kemi fuqi të marrim vendime për të mëdhenjtë e kësaj bote, por kemi fuqi të marrim vendime mbi veten dhe kemi të tjerë me të cilët duhet të konsultohemi dhe këta janë aleatët tanë strategjikë. Gjithkush është në të drejtën e tij të përdorë fuqinë që i ka dhënë populli siç e mendon, por nuk besoj se duhet përdorur për të hyrë në rrugë që të lënë vetëm", tha Rama.

Ai foli edhe bisedat me President Vuçiç lidhur me aderimin e Kosovës në nismën ‘Ballkani i Hapur’, ku tha se ka marrë dakordësinë që nëse Kosova vendos t'i bashkohet, do të ketë të drejta të barabarta. Ai theksoi se për herë të parë, në takimin në Beograd, Vuçiç i bëri ftesë Kosovës për t'ju bashkuar nismës, duke theksuar se ata nuk përbëjnë pengesë për këtë.

"Vuçiç për herë të parë nënvizoi atë që Kosova është e ftuar dhe mirëpritur të ulet në tryezë dhe në këtë aspekt nisma është e qartë që në krye t herës. Nsima ishte gati për të filluar edhe më parë, por unë asnjëherë nuk kam rënë dakord të fillojë pa marrë dakordësinë nga Presidenti i Serbisë së është nismë gjithëpërfshirëse dhe Kosova do ulet në tryezë me të drejta të barabarta dhe askush nuk mund t'i imponojë askujt asgjë", theksoi kryeministri.

Kryeministri Edi Rama, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov u takuan më 4 nëntor në Beograd për samitin e radhës të "Ballkanit të Hapur". Tre liderët konfirmuan premtimin e pas një viti e gjysmë, nuk do ketë më asnjë pengesë në kufi për qytetarët e të tre vendeve. Ata theksuan se "Open Balkan" është një lëvizje që ka vetëm një qëllim, përmirësimin e jetës për qytetarët. Ndërkohë, ndonëse nuk ka një datë ekzakte, samiti i radhës pritet të mbahet në Tiranë, ku do të bëhen publike  bilancet e arritjeve të deritanishme dhe do të nënshkruhet edhe memorandumi i lejeve të punës.