Deputetja e PD Jorida Tabaku i konsideron krekosje para institucioneve të drejtësisë kritikat që kryeministri Edi Rama i adresoi SPAK.
“Sot inkurajoj SPAK të vazhdojë e të tregojë guxim. Të vazhdojë e të hetojë, ashtu siç thotë DASH, korrupsionin e përhapur në të gjitha nivelet e qeverisë. Unë besoj se këto shfaqjet dhe këto krekosjet si gjeli ndaj plehut të inceneratorëve nuk i shërbejnë askujt”, tha Tabaku.
Tabaku e quajti përpjekje për të fshehur aferat korruptive edhe refuzimin për ngritjen e një komisionit të posaçëm për investimet strategjike të kërkuar nga PD.
“PD kërkonte që të bëhej transparencë me të gjithë procedurat për dhënien e gjitha vendimeve që nga porti i Durrësit, dhënë në mënyrë abuzive. Deri te projekte të tjera që konsiderohen si strategjik por në të vërtetë kanë sjellë zero investitorë të huaj, zero punësim, zero investime nga jashtë. Është bërë si ligji i ndarjes së favoreve të qeverisë”, tha Tabaku.
Lidhur me rrëzimin e kërkesës së PD për ngritjen e komisionit përmes të cilit do të kalonin të gjitha investimet strategjike, reagoi edhe Gazment Bardhi, që akuzoi Ramën se pasuritë publike i ka kthyer në plaçkë për miqtë e tij.