Këtu nuk ja vlen të merresh me sulmet e porositura të një shpure tjetër intelektuale, që në fakt duket se zbaton porosi ose kërkon të mbrojë me çdo kusht ca lidhje me qendrën aktuale të drejtimit të politikës, që rrezikohen ndjeshëm në rast të fitores së kampit kundërshtar, dhe veçanërisht nga Edi Rama si person.
A është Rama mishërim i një makthi, që do të ndiqte çdo shqiptar në rast se fiton e majta dhe ai shpallet kryeministër? Një tezë e tillë, po të abstragojmë nga argumentat herë-herë alogjike të kundërshtarëve, që e gjejnë të keqen e tij në marrëdhëniet familjare të së kaluarës të liderit socialist, ushqehet nga shumë vetë, edhe nga ata që do të votojnë për Partinë Socialiste dhe ca më shumë nga ata që do të votojnë për parti të tjera të majta në koalicionin përballë Berishës në këto zgjedhje parlamentare.
Edi Rama hyri në politikën shqiptare si një dalje nga rregullat, apo si një personazh që me vështirësi në përfytyrimet tona mund të shkëputej nga ajo çka kishte thënë vetë dikur, se ishte kundër çdo pushteti, si një personazh ekstravagant, por një gjë e tillë pak prishte punë sa kohë ai ishte ministër Kulture. Kur u emërua dhe fitoi postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, çështja u ndërlikua pakëz, duke qenë se ai nuk do të merrej vetëm me lyerjen e mureve të kryeqytetit si një piktor i stileve kubiste, por edhe me administrimin e infrastrukturës e miliona halleve të përditshme.
Në fakt, kjo do të kërkonte një mund jo të zakonshëm, në gjendjen që ishte Tirana, e shfytyruar dhe e kthyer në një kioskë të madhe, e larguar shumë nga imazhi i një kryeqyteti, aq sa dukej se çdo përpjekje për ta rregulluar do të ishte e pamundur. Në fakt, Rama u tregua i aftë edhe si administrator, kuptohet, përsa kohë që kishte edhe mbështetjen e qeverisjes, që ishte në të njejtin kah politik me të. Por, ajo që ndodhi, ndodhi dhe Rama do të mbahet mend edhe për shembjen e shumëkatësheve të ngritura në Parkun ”Rinia” apo në skarpatet e Lanës, edhe për imazhin e tij me një sëpatë në dorë, duke prerë simbolikisht një shtyllë telefoni, që ndërpriste rrugën e re.
Për armiqtë e tij të shumtë, administratori Rama shihet vetëm si ”mister 20-përqindëshi”, një gjobëvënës ordiner i formave të ndërtimit në shkëmbim të lejeve për të ngritur pallate që bllokuan hapësirën e kryeqytetit. Ndërkohë, për shumë banorë të lagjeve të Tiranës, ai do të mbetet kryetari që hapi hapësira dhe krijoi një infrastrukturë që nuk kishte qenë kurrë më parë. Pas kësaj, çdo hap i mëtejshëm për modernizimin do të ishte më i lehtë, siç e ka më të lehtë Lul Basha të ndërtojë mbi një terren ku di se nga t’ia fillosh.
Edi Ramës kohët e fundit, nëpër emisione ku i janë qepur keq përfaqësues të ndryshëm mediatikë, i është bërë me ngulm një pyetje e përsëritur: ku do t’i gjesh fondet buxhetore, në rast se ti do të ulësh pagat? As Edi Rama dhe as përfaqësues të tjerë të PS nuk i kanë dhënë një përgjigje të qartë kësaj pyetjeje. Ndoshta, pikërisht këtu fle lepuri. Frika që duhet të kenë pushtetarë aktualë nga Rama ka të bëjë ndoshta me një plan që ai mund ta ketë dhe nuk e tregon, por që ndoshta do të ketë të bëjë me ”gërmimin” nëpër llogari bankare apo prona të përfituara pa të drejtë, për të vënë në dispozicion të publikut para që i janë marrë me korrupsion.
Përballë nevojës së jashtëzakonshme për këto fonde, kur qeverisë së ardshme po i lihet një ”tokë e djegur” fiskalisht, shumëkush i druhet Edi Ramës, i cili mund të marrë sërish sëpatën, por këtë herë vështirë se ndalon kush, pasi ka qenë Berisha që është kujdesur për t’i dhënë kaq shumë pushtet kryeministrit, sa Edi Rama do ta kishte shumë të lehtë, duke demokratizuar shumë pak këtë post, të vijonte me një dorë të hekurt të zgjidhte probleme, ku kompromiset përjashtohen ose pengojnë.
Shumë nga ish-miqtë e tij të rretheve intelektuale janë kthyer në kritikët më të ashpër të Edi Ramës, duke qenë se i njohin disa vese karakteri lehtësisht të kritikueshme. Të tilla, si ai nuk dëgjon njeri, ka vetëm një rreth të ngushtë miqësie që nuk shquhet nga profesionalizmi, nuk e njeh mirë taktikën, vuan në aspektin e marrëdhënieve njerëzore, pra ka probleme si politikan, që i sfumojnë rezultatet e arritura si administrator, etj. Këto qendrime nuk mbajnë parasysh një fakt, atë që në gjithë këto vite kur ka qenë kryetar i PS-së, Rama ka patur kohë – dhe e ka dëshmuar pak a shumë qartë një gjë të tillë – një ndryshim në qendrimin e tij ndaj taktikës, njerëzve, duke dëshmuar se, si të gjithë, mëson nga humbjet.
Ajo që i ndruhen kritikët në rastin e Edi Ramës është e panjohura që përbën dhënia atij e një pushteti më të madh se ç’ka patur deri tani ndonjëherë, nga pikëpamja ekzekutive. Pra, asnjë nuk mund të thotë se ç’mund të bëjë ai në rast se bëhet kryeministër. Në fakt, askush nuk e dinte se ç’mund të bënte Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta dhe as se ç’mund të bënte Sali Berisha në pushtet të tillë. Shqiptarët u besuan votën dhe i larguan me votë apo me revoltë, kur panë që nuk po punonin në interes të tyre.
Askush nuk e mori me frikë të ngrinte doktor Berishën në postin e një presidenti që desh u bë mbret dhe t’ia jipte sërish një shans të tillë, jashtë çdo logjike, edhe pas katrahurës që bëri në 1997-ën. Ajo që duhet të trembë nuk është riciklimi, por ngulja e një personi në një post, që është kundër logjikës së garës demokratike në një vend ku qytetari është i lirë të zgjedhë atë që shpreh më mirë interesat e tij.
Në kushtet e shprehjes së qartë, që shumë kohë më parë, nga ana e Sali Berishës, së synimit për të mbajtur aq mandate sa t’ia ”lejonte zoti”, frika nga një kryeministër si Edi Rama mund të merrej si një frikë nga rotacioni. Por, pas tetë vjetësh, pas një krize që ka përfshirë edhe Shqipërinë, pas ndalimit të veprave të mëdha infrastrukturore dhe krijimit të një imazhi të shtetit shqiptar si një borxhli i keq, pas vrasjes së demonstruesve të paarmatosur në mes të ditës dhe vënies nën kontroll të tregut të medias, etj etj, të kesh frikë nga ardhja e kryeministri si Edi Rama është me të vërtetë e pajistifikuar.
Rotacioni pas tij do të ishte shumë herë më i lehtë se situata që ka krijuar Berisha-mbret. Në fund të fundit, Edi Ramës do t’i kërkohej të tregonte se ishte i aftë të pastronte sërish ”hauret e Avgjisë” në një shkallë më të madhe se ç’bëri në Tiranë, që është një e treta e vendit. Do ta bëjë apo jo, shansi duhet t’i jepet që të shihet një gjë e tillë. Frikë ndaj një gjëje të tillë mund të kenë vetëm ata, të cilëve u preken interesa ”në të zezë”. Por këta nuk janë kurrsesi shumica e popullsisë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)16.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)