TIRANE - Në një konferencë të posaçme për mediat Rama ka falenderuar të gjithë sportëdashësit tifozët dhe kombëtaren shqiptare për mbarëvajttjen e ndeshjes me Serbinë. Në fjalën e tij kryeministri ka theksuar se edhe pse jo në fushë Shqipëria fitoi jashtë saj pikët e arta si popull dhe si vend

Në krye të fjalës së tij kreu i qeverisë vuri tifozët, për të cilët u shpreh se u sollën njëjtë si në stadiumet evropiane. Me të njëjtin vlerësim Rama u shpreh edhe për Policinë e Shtetit e cila përmes masave të marra bëri që derbi i Ballkanit të kalojë pa asnjë incident. Pavarësisht rezultatit 0-2 për serbët, shefi i mazhorancës tha se kombëtares kuqezi i duhet thënë mbështetje për hapin e radhës drejt "France 2016", ndeshjen me Armeninë. 

"Gazetat e botës, nga Italia fqinje e deri në Shtetet e Bashkuara ku futbolli është larg së qeni një sport i dorës së parë, shkruanin për ndeshjen e ditës, Shqipëri – Serbi. Natyrisht, askush përveç nesh, shqiptarëve, nuk ishte i interesuar se ç’rezultat do të kishte ndeshja. Media të huaja gjithandej flisnin për këtë ndeshje, sepse asnjë nuk e dinte me siguri çfarë do të ndodhte një vit pas shfaqjes së turpshme që ndodhi në Beograd dhe në një moment kur zhvillohej ndeshja e kthimit për derbin e Ballkanit. Po aq natyrisht, sot, kur të gjithë ne, shqiptarët, jemi gdhirë të palumtur pas një humbjeje krejt të befasishme në fushën në lojës, pak ose aspak e kemi mendjen tek fakti se jashtë fushës së lojës i kemi befasuar të gjithë të tjerët, me nivelin e lartë të dinjitetit qytetar dhe sportiv. Përfshirë edhe kundërshtarët tanë.Por, pa as më të voglin dyshim, nëse në fushën e lojës nuk ia dolëm dot ta mbajmë në minutat shtesë, pikën e artë që na hapte thuajse në treçerekun e saj, portën e madhe të finalistëve të Francës, mbajtja lart e nivelit të kulturës sportive në kushtet e një tensioni të madh, jo vetëm sportiv, i ka dhënë tre pikë të arta Shqipërisë si vend dhe shqiptarëve si popull.", tha Rama.

Edhe pse humbën në fushën e lojës thekson kryeministri ne fituam jashtë saj duke fituar kështu pikë të arta që shërbyen si objekti i imazhit pozitiv të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare

“Humbën në fushën e lojës, por jashtë fushës së lojës i kemi befasuar të gjithë të tjerët me nivelin e lartë të dinjitetit dhe qytetarisë, madje kemi befasuar edhe kundërshtarët. Nëse në fushën e lojës nuk arritëm të mbajmë dot pikën e artë që me gjasa na çonte në Francë, mbajtja e lartë e nivelit të kulturës sportive i ka dhënë tri pikë të arta Shqipërisë si vend dhe shqiptarëve si popull”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se ky mesazh nuk duhet marrë si ngushëllim për humbjen në fushën e lojës, por vijoi se nëse tifozët kuqezinj do të kishin rënë në batakun e skenareve të dhunës vendi do të humbte shumë më shumë.

“E ky nuk është aspak një ngushëllim për humbjen në fushën e lojës, mjafton të parafytyrosh se çfarë do të ishim duke ndjerë dhe duke folur sot, nëse ultrasit kuqezinj do të kishin rënë në batakun e turpshëm të huliganëve serbë në Beograd. Kuqezinjtë në tërësi dhe Shoqata e Tifozëve Kuqezi në veçanti u treguan fantastikë, në mbështetjen entuziaste të skuadrës për 90 minuta, po edhe në dhënien e provës së pakontestueshme të dallimit të qartë mes klimës mbytëse të stadiumit të Beogradit dhe atmosferës festive të Elbasan Arenës. Për 94 minuta nuk është dëgjuar asnjë kor racist. Nuk është sulmuar verbalisht asnjë lojtar serb. Jo vetëm që skenat e shëmtuara të sendeve të forta që fluturonin mbi kokat e futbollistëve tanë, gjatë ndeshjes së një viti më parë, nuk janë përsëritur as në formën më minimale, po madje është duartrokitur me sportivitet shembullor kapiteni i skuadrës serbe, gjatë daljes nga fusha për shkak të dëmtimit në lojë.”,-vijoi Rama.

Në fund Rama me një mesazh përmbyllës ngriti lart figurën e tranjerit De Biasi dhe djemve të kombëtares për punën e shkëlqyer që kanë bërë duke e cuar vendin në prag të hyrjes historike në kompeticionin Euriopian të futbollit.Rama shtoi se është meritë e tyre dhe se "S’kemi qenë kurrë në këto kushte. S’e kemi menduar kurrë, që mund të vinte dita që ne të jetonim me ethet e kualifikimit për në finalet e një Europiani. Jo pas dy humbjeve, me Portugalinë e me Serbinë, dy skuadra të mbushura me yje, të cilat në letër e në vlera monetare lojtarësh as nuk krahasohen me skuadrën tonë, po edhe pas dyzet humbjeve të tjera, ky ekip dhe ky trajner që kemi sot, meritojnë një monument në zemrën e çdo tifozi kuqezi dhe në kujtesën tonë kolektive sportive, për atë çka kanë bërë deri këtu."- tha kryeministri i cili e konsideroi rrugën drejt Francës 2016  ende të hapur

"Ndërkohë Kombëtarja është ende aty, në vijën e kufirit për të hyrë në Francë. Prandaj le të vazhdojmë t’i gëzohemi lojës. Le të vazhdojmë t’i mbështesim fort lojtarët dhe trajnerin. Le të vazhdojmë ta jetojmë bukur, këtë ëndërr kaq tërheqëse, të cilën e kemi dhuratë vetëm prej kuqezinjve që hyjnë në fushë dhe atij që i udhëheq nga stoli. Askujt tjetër."shtoi kryeministri.