Rama: Kush nuk deklaron pagat reale do arrestohet si hajdutët e energjisë elektrike

Kush nuk i deklaron reale pagat e punonjësve do të arrestohet. Ka qenë ky mesazhi i drejtpërdrejtë i Kryeministrit Edi Rama në fjalën e tij në Asamblenë socialiste, kur ua kujtoi të gjithë punëdhënësve se do ta pësojnë njësoj si hajdutët e energjisë elektrike disa vite më parë.

Nga java e dytë e muajit tetor, Rama paralajmëroi nisjen e një plani kombëtar për garantimin e sigurimeve shoqërore, duke thënë se sipërmarrjet që fshehin pagat reale po vjedhin edhe atë çka u takon pensionistëve.

"Javën e dytë të muajit të ardhshëm do nisim të ndajmë me pensionistët një pasqyrë të ideve tona për rritjen  pensioneve, por do fillojmë edhe informimin mbi zbatimin e një plani kombëtar për garantimin e sigurimeve shoqërore. Ky plan që po punohet prej muajsh, do synojë pikërisht përfshirjen e pensionistëve në ndarjen e të ardhurave të rritjes ekonomike, për të shkuar përtej nivelit të bonusit të fundvitet dhe indeksimit, mund ët them troç, rritja e të ardhurave nga shteti për pensionistët në vitet në vijim nuk mund të jetë domethënëse nëse nuk i japim të gjithë bashkë si shtet, qeveri dhe shoqëri si sipërmarrje një goditje domethënëse fenomenit të fshehjes së pagave që për paspojë godasin të ardhurat për sigurimet shoqërore dhe vjedhin çka u takon pensionistëve. E thënë me fjalë të tjera, do bëjmë me kuotat e sigurimeve atë që bëmë me faturat e energjisë. Ata që s’u paguajnë sigurimet sipas pagës do i trajtojmë si hajdutët e energjisë elektrike", tha Rama. 

Deklaratën Kryeministri e bëri teksa po fliste për planin për pensionet, ku garantoi se ata do të përfitojnë nga rritja ekonomike, përveç bonusit të fundvitit që do të rritet që këtë viti dhe indeksimit.

"Këta të diplomave të Kristalit dhe të titujve dhe dokumenteve të Facebook, i konsiderojnë pensionistë si një trumë që shkon qorrazi pas PS. Po pensionistët këtyre i japin jo ujë në bisht të lugës, por i japin lugën që kur ata të venë në shtëpi të kuptojnë që e kanë bosh. Pensionistët e dinë më mirë se kush do tjetër që o rrit PS, o nuk i rrit asnjë prej atyre që e shohin Shqipërinë si shesh për përsheshet e veta dhe i marrin shqiptarët si budallenj që mund të hanë 3 herë për djathë atë sapun, qoftë kur është me të njëjtën ngjyrë, qoftë kur serviret me forma të tjera, ai lloj djathi i bërë me ujin e detit të kthyer në kos është thjesht i njëjti sapun", u shpreh Rama. 

Kujtojmë se pesha e punës së paguar me nëndeklarim në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta, përkundrejt pritshmërive. Në një raport të vetë INSTAT evidentohej se për periudhën janar-mars 2024 është shtuar me 10.8% numri i punonjësve që marrin rroga deri në 50 mijë lekë.

Praktikisht sipas përllogaritjeve 55.2% e të punësuarve në vend, kanë rroga deri në 60 mijë lekë, pra që nuk arrijnë kufirin mesatar të pagave në Shqipëri që është 73.6 mijë lekë. Mungesa e pasqyrimit të një rritje të fortë të rrogave, sipas ekspertëve lidhet me informalitetin në tregun e punës, ku qindra subjekte nuk i deklarojnë pagat reale të punonjësve.

Report Tv i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj çështjeje, ndërsa investigimet kanë zbuluar se mbi 158 mijë qytetarë janë prekur nga nën deklarimi i pagave prej vitit 2021, ndërsa afro 600 mijë qytetar shqiptar rrezikojnë të mbesin pa pension pasi pse figurojnë të punësuar, referuar shifrave zyrtare për ato nuk paguhen fare sigurime shoqërore dhe shëndetësore.

Vetëm si rezultat i kontributeve të ulëta për shkak të nëndeklarimit të rrogave, pensionet po dalin çdo vit e më të ulëta, kur duhet të ndodhte e kundërta.

SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Ikën Rrumbullaku dhe 12 drejtorët e policive në qarqe, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rama e caktoi drejtues politik të Shkodrës, Benet Beci: Detyrë sfiduese, do jap maksimumin për zhvillimin e këtij qarku

Rama e caktoi drejtues politik të Shkodrës, Benet Beci: Detyrë sfiduese, do jap maksimumin për zhvillimin e këtij qarku