Rama letër Berishës: Dialog
për zgjedhjen e presidentit

Rama letër Berishës: Dialog<br />për zgjedhjen e presidentit
TIRANË – Kryetari i PS, Edi Rama i kërkon kryeministrit Berisha dhe të gjitha partive parlamentare të nisin dialogun për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Nëpërmjet një letre të hapur, shpërndarë sot pas mesditës, kryesocialisti Rama i drejtohet nominalisht kryeministrit Berisha lidhur me procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

“Unë besoj se simbolika e 100 vjetorit të Pavarësisë, forcon përpjekjet për integrimin dhe kësisoj bën më të madhe peshën politike të disfatës apo suksesit në rastin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit”, i shkruan Rama Berishës. Ai këmbëngul se është në respekt të qytetarëve që kreu i ri i shtetit të jetë garant i Kushtetutës.

“Ju shkruaj për të ndarë me ju, drejtpërdrejt po edhe publikisht, bindjen se në frymën e Kushtetutës së Shqipërisë procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është shumë më shumë se sa një procedurë parlamentare e radhës. Për më tepër në kontekstin e sotëm historik të Shqipërisë, që për të tretin vit radhazi synon të ngjitet në shkallën e kandidatit për Bashkimin Evropian, kjo zgjedhje kërkon një vlerësim dhe vëmendje të veçantë”.

Sipas tij, shqiptarët pa dallim presin një përgjigje pozitive nga Komisioni Evropian për aplikimin për statusin e kandidatit. “Po edhe miqtë e partnerët tanë evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po njësoj, si mbështetës të palëkundur të vendit tonë në rrugën e integrimit, nuk e dëshirojnë që aplikimi i Shqipërisë të refuzohet për të tretën herë këtë vjeshtë pasi ata sëbashku kanë bërë dhe po bëjnë gjithçka mundën që kjo të mos ndodhë”, shkruan Rama.

Më tutje Rama thotë se padyshim në radhë të parë jemi vetë ne ëprfaqësuesit politikë të shqiptarëve që duhet të bëjmë gjithçka mundemi që Komisioni Evropian të na mbështesë në ngjitjen e shkallës së parafundit për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.

“Nuk mund të vihet në diskutim se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është një provim shumë i rëndësishëm për Shqipërinë drejt momentit kyç të vjeshtës së ardhshme që përkon edhe me 100 vjetorin e shtetit shqiptar. Pesha e madhe simbolike e 100 vjetorit i jep një rëndësi ende më të veçantë edhe procesit të nevojshëm politike që duhet të rezultojë me zgjedhjen për President të një figurë e cila në frymën e Kushtetutës”, thekson Rama.

Ai shpreh besimin se simbolika e 100 vjetorit të pavarësisë e forcon kontekstin historik të përpjekjeve për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe në njëfarë mënyre e bën më të madhe peshën e suksesit apo disfatës së politikës shqiptare në këtë vit jubilar e në këtë rast konkret të zgjedhjes së Presidentit gjithashtu.

“Me po kaq rëndësi besoj gjithashtu se është edhe për qytetarët shqiptarë, që në fund të një procesi të mundshëm gjithpërfshirës mes gjithë palëve parlamentare për zgjedhjen e kreut të shtetit, të kenë në krye të shtetit një President garant të Kushtetutës dhe të institucioneve apo të proceseve kushtetuese që lidhen me kreun e shtetit e jo një noter partiak të një pale të vetme”, vijon Rama.

Prandaj, thotë ai, në emër të Partisë Socialiste dhe të të gjithë asaj mase të madhe qytetarësh shqiptarë që Partia Socialiste përfaqëson në Kuvend, dëshiroj t’Ju ftoj me atë të kësaj letre të takohemi drejtpërdrejtë për të këmbyer pikëpamjet tona dhe për të tentuar të hapim një dialog konstruktiv mes të gjitha palëve lidhur me rëndësinë madhore të ndërtimit të një procesi të dobishëm për vendin në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.

Letra me të njëjtën përmbajtje i është nisur, kreut të LSI, Meta dhe drejtuesve të partive të tjera parlamentare, PR, PBDNJ, PDIU.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Media: Armëpushimi në  Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00

Media: Armëpushimi në Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00