Listë përmes të cilës, gjithë elektorati do të joshet për të votuar këtë bllok politik dhe për të bërë atë që vetë koalicioni e cilëson si ndryshimi i madh.
Teksa afati për përmbylljen e listave të kandidatëve për deputetë ka si kohë limit mesnatën e 6 majit sipas Kodit Zgjedhor, ende nuk janë formatuar të gjithë emrat e kandidatëve për deputetë që do të plotësojnë 140 vendet garuese në zgjedhjet e 23 qershorit, përpos disa emrave të cilët kryesojnë listën e kandidatëve për deputetë në disa qarqe të vendit, duke përfshirë këtu qarkun e Tiranës ku kandidimi në krye të listës i kryetarit të PS Edi Rama është i garantuar dhe do të ketë përballë kreun e mazhorancës, kryeministrin Sali Berisha, në përpjekje që në rezultatin final ti marrë atij “skeptrin” e kreut të qeverisë, të cilin po e mban me shumë fanatizëm prej tetë vitesh dhe është në përpjekje për ta mbajtur dhe katër vite të tjera.
Kështu që kryetari socialist Rama, si në të gjitha zgjedhjet e deritanishme e ka shumë të vështirë që të formatojë listën përfundimtare, për shkak të përplasjeve të forta që ekzistojnë jo vetëm te deputetët aktualë, një pjesë e të cilëve ndjehen të rrezikuar për të mbetur jashtë listave, por dhe të krerëve të listave nëpër qarqe anëtarë të kryesisë së PS që ndjehen të lëvizur pavarësisht dëshirës së tyre.
Kështu, sinjalet e para të përplasjeve në PS me Ramën për shkak të moskandidimit në listat prioritare në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të këtij viti kanë ardhur një muaj më parë, teksa dy deputetët socialistë të qarkut të Kukësit e Lezhës, përkatësisht Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli kanë marrë komunikimin se nuk do të jenë në listat e PS për zgjedhjet e qershorit, duke iu kërkuar kontributi i tyre njërit në Bathorë dhe Paskuqan dhe tjetrit në Lezhë për kandidatët për deputetë të tjerë.
Pikërisht për shkak të moskandidimit të dy deputetët, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli deklaruan largimin nga grupi parlamentar por dhe nga PS për të qëndruar si deputetë të pavarur. Ndërkohë që këtë përplasje me Ramën dy deputetët e përkthyen me votë pro ministrave të rinj të kabinetit qeveritar pas largimit të LSI nga bashkëqeverisja me PD, duke mbajtur kështu qeverinë Berisha në këmbë deri në fund të mandatit të dytë.
Njëherësh kanë votuar shkarkimin e anëtarit të KQZ të propozuar nga LSI Ilirian Muho dhe emërimin e anëtarit të ri Klement Zguri përfaqësues i PR në qeverisje. Madje kanë marrë në mënyrë publike mbëhstetjen e kryeministrit Berisha për të pasur një bashkëpunim afatgjatë me ta, bashkë me Islamin, çka pritet të përkthehet në një vend të sigurtë në listat e kandidatëve për deputetë të PD.
Ndërkohë debate ka pasur dhe në qarkun e Beratit, për shkak të përplasjeve me anëtarin e kryesisë dhe deputetin Erjon Braçe. Që rrezikon kandidimin në këtë qark sipas zërave brenda PS, për të ardhur në Tiranë apo në ndonjë qark tjetër të rëndësishëm, pavarësisht se ai ka refuzuar të jetë madje dhe i deleguar i kryesisë në Korçë.
Njëherësh dhe në qarqet e tjera priten debate, ndërsa një deputet në qarkun e Fierit thuajse e ka mbyllur marrëveshjen për të qënë kandidat i PBDNJ në koalicion me PS. Gjithsesi me 6 maj mbyllen listat.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)