Rama:Maqedonia në NATO nëse 
zbaton Marrëveshjen e Ohrit

Rama:Maqedonia në NATO nëse <br />zbaton Marrëveshjen e Ohrit
MBRETERI E BASHKUAR- Samiti i NATO-s në Uells i ka shërbyer kryeministrit Edi Rama të kërkojë njohjen e Kosovës si shtet nga anëtarët e aleancës të cilët ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Duke mbajtur një qëndrim të fortë, Rama ka sqaruar se për t’i hapur rrugën Maqedonisë si pjesëtare e NATO-s nevojitet zbatimi i përpiktë i marrëveshjes së Ohrit.

Kryeministri shqiptar e ka vënë theksin edhe në nevojën e përfshirjes së vendeve të tjera të Ballkanit në NATO duke filluar me Malin e Zi për të cilin Rama kërkoi ftesë në strategjinë e saj të zgjerimit.

Rama takim kokë më kokë me presidentin Obama
Kryeministri Edi Rama në përfundim të samitit 2 ditor të Natos në Uells, bëri një përmbledhje të takimeve që zhvilloi. Rama para mediave tha se është takuar me presidentin Amerikan Barack Obama dhe me sekretarin për shtetin John Kerry, por pa dhënë detaje nga për temat e diskutimit. Fjala e Ramës pas mbylljes së punimeve të samitit të NATO-s

Shefi i qeverisë gjatë një konference për shtyp në Wales ku u zhvillua samiti i NATO-s tha se përveç këtyre takimeve ai ka zhvilluar takime dhe me tre partnerë startegjikë në rajon, kryeministrin italian Matteo Renzi, kryeministrin grek Antonis Samaras dhe Presidentin turk Rexhep Taijp Erdogan.
 
“Pra përkatësisht me Italinë, Greqinë dhe Turqinë për te forcuar partneritetin strategjik dhe për të identifikuar bashkarisht gjithçka duhet të bëjmë, qoftë në raport me angazhimet tona brenda suazës së sigurisë, qoftë në raport me shmëshka tjetër na lidh. Në konkluzion dhe për ti hapur rrugë pyetjeve tuaja, dua të them se edhe njëherë ka qenë rasti jo vetëm për të nënvizuar por edhe për të parë impaktin e jashtëzakonshëm të nismës së Kancelares Merkel.  E cila ndërmori një hap historik për te ulur së bashku të gjithë përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit duke u dhënë të gjithë popujve të Ballkanit një mesazh shumë të qartë të perspektivës së tyre Europiane, por duke dhënë një mesazh shumë të qartë edhe për të gjithë aleatët dhe partnerët, në funksion të perspektivës së këtyre vendeve”, deklaroi Rama.

Në konferencën për shtyp Rama ka folur dhe për takimin me homologun grek Antonis Samaras dhe interesin e palës greke për reformën territoriale. Rama tha se kjo çështje është atribut i Shqipërisë dhe e miratuar nga Parlamenti shqiptar.

Sa për çështjet e pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë, Rama ka theksuar se, kjo nuk është një çështje e tillë por vetëm e Shqipërisë, për përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe minoriteteve.

Sa për Marrëveshjen e anuluar të Detit, Rama ka shprehur gatishmërinë për ta trajtuar atë me qeverinë e Athinës. Ndërkohë, paralajmërohet një vizitë e kryeministrit grek në Tiranë, me ftesë të zotit Rama.

Rama u ndal edhe te kundërshtitë që qeveria greke ka patur në lidhje me ndarjen e re territoriale të Himarës, duke sqaruar se qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht në respektimin e të drejtave të tyre , dhe nuk ka një problem të tillë. Por përveç problemit të kufirit detar, një tjetër problem i pazgjidhur mes dy vendeve është edhe çështja çame.

Shqipëria qëndrim të fortë në Samitin e NATO për njohjen e Kosovës
Shqipëria mban qëndrim të fortë në samitin e NATO-s qoftë për nevojën e njohjes së Kosovës si shtet nga anëtarët e Aleancës që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, qoftë për nevojën e zbatimit të përpiktë të marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, por edhe për nevojën që NATO të përfshijë edhe vendet e tjera të Ballkanit, duke filluar me Malin e Zi për të cilin KM Rama kërkoi ftesë, në strategjinë e saj të zgjerimit. Në të dyja sesionet Kryeministri u ka bërë apel të hapur katër vendeve të NATO-s që ende s’e kanë njohur Kosovën që “të nxitojnë për ta hedhur këtë hap, pasi edhe në kuadrin e zhvillimeve të reja në frontin e propagandës së ekstremistëve islamike, është e domosdoshme që shqiptarët e Kosovës që kaq shumë kanë investuar për lirinë, paqen dhe stabilitetin e rajonit, meritojnë të ndjehen pjesë e familjes së shteteve evropiane”.

Rama: Shqipëria e vlerësuar dhe kërkuese në samitin e NATO-s
Në përfundim të samitit të NATO-s të mbajtur në Uells të Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri Edi Rama shprehet se është vlerësuar roli i Shqipërisë në aleancë. Kreu i qeverisë shqiptarë nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, rithekson vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të kontribuar në çdo betejë e front. Kryeministri Rama shkruan që gjatë samitit 2-ditor të NATO-s është kërkuar të merret në konsideratë mjedisi i paqes në rajon dhe të përshpejtohet procesi i zgjerimit për këto vende. Sërish, kryeministri Rama ka ritheksuar qëndrimin e tij, sa i takon njohjes së Kosovës nga shtetet e aleancës, të cilët ende nuk e kanë bërë këtë gjë. Më tej, Rama ndalet tej presioni pozitiv mbi Shkupin, për të zbatuar me përpikëri Marrëveshjen e Ohrit.
 
“SHQIPËRIA E VLERËSUAR DHE KËRKUESE NË SAMITIN E NATO-s
U mbyll Samiti dy ditor i Uellsit ku Shqipëria u vlerësua lart për rolin e saj në gjirin e Aleancës dhe përveçse afirmoi vendosmërinë për të kontribuar në çdo betejë e front me të gjitha forcat e mundësitë, kërkoi marrjen shumë seriozisht në konsideratë të potencialeve por edhe rreziqeve të mjedisit të ri të paqes së arritur në rajon pas 100 vjetësh; përshpejtimin e zgjerimit të NATO-s në rajon me institucionalizimin e partneritetit me Kosovën, ftesën vitin e ardhshëm për Malin e Zi, si edhe nxitjen e fortë drejt gjetjes së një zgjidhjeje për krizën e emrit mes Maqedonisë e Greqisë, paralelisht me ushtrimin e presionit pozitiv mbi Shkupin për të jetësuar në frymë e në gërmë Marrëveshjen e Ohrit. Njëkohësisht, iu adresua në mënyrë të përsëritur katër vendeve të NATO-s që nuk e kanë njohur ende Kosovën, që ta bëjnë këtë për të mos i mohuar më gjatë Kosovës njohjen e merituar e të domosdoshme për Ballkanin, Europën demokratike e vetë NATO-n në këto kohë të vështira për të gjithë”, shkruan kryeministri Rama.
 
Konferenca e plotë e Kryeministrit Edi Rama

Zoti Rama, për tu ndalur tek takimet dypalëshe dhe konkretisht tek takimi me homologun tuaj grek Samaras. Nga ajo që ju keni komunikuar dje më të, a e ka konsideruar Athina çështjen e ndarjes territoriale edhe konkretisht atë të minoriteteve një çyshtje të shtuar në dosjen e çështjeve të pazgjidhura mes Tiranës dhe Athinës?

Ndarja territoriale administrative është një atribut i organeve vendimmarrëse të Shqipërisë, dhe organet vendimmarrëse të Shqipërisë, qeveria pastaj Kuvendi kanë marrë një vendim në frymën e interesit kombëtar dhe në frymën e mbrojtjes pa asnjë ngurim të minoriteteve, të lirive dhe të drejtave të tyre. Kështu që për ne nuk ka një çyshtje të tillë.

Të njëjtin qëndrim i keni thënë dhe dje Kryeministrit Samaras zoti Rama?

Absolutisht për ne është e domosdoshme të shkojmë përpara me këtë reformë, nga e cila përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë, qofshin ata me kombësi shqiptare, qofshin dhe ata me kombësi greke.

A ka përmendur pala greke fillimin e bisedimeve mbi marrëveshjen e detit?

Ne kemi një pozicion shumë të qartë për këtë, dialog dialog dialog, barazi barazi barazi dhe vullnet vullnet vullnet, për të gjetur zgjidhjen një orë e më parë të një çështjeje ku sigurisht nuk mund të kthehemi pas por duhet të shkojmë përpara. Që do të thotë na duhet një zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranueshme nga dy palët, çka është, besoj unë dhe qasja e palës greke. Dhe besoj po ashtu që është në dorën tonë, që siç kemi bërë progres me disa nga çështjet, të bëjmë progres dhe me këtë çyshtje duke mos harruar që të vazhdojmë të kërkojmë siç kemi kërkuar heqjen e ligjit absurd të luftës mes të dy vendeve. Por dua të theksoj se me Kryeministrin Samaras kemi një dialog jashtëzakonisht konstruktiv, të hapur, miqësor. I kam bërë ftesë të vizitojë Shqipërinë dhe e ka pranuar ftesën me kënaqësi dhe nga ana tjetër besoj dhe besojmë që çështjet mes nesh janë një arsye më shumë për të kuptuar se jemi fqinj që ndajmë, le të themi murin e oborrit, dhe që e kemi të domosdoshme të bashkëpunojmë me njeri-tjetrin. Aq më tepër në kushtet kur na duhet të forcojmë bashkëpunimin, si me Greqinë, si me Italinë, si me Turqinë dhe me të gjithë vendet që kanë një impakt në rrjetet e krimit të organizuar duke vënë theksin tek shkëmbimi i informacioni dhe bashkërendimi i forcave mes policive dhe mes inteligjencës së vende që përmenda. Kam theksuar në samit edhe domosdoshmërinë që të mbështetemi si Shqipëri dhe si rajon në rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të inteligjencës si një domosdoshmëri në këtë betejë me një forcë të egër barbare, vrastare dhe jo plotësisht të njohur të fytyrës së re të terrorizmit në emër të Kalifatit.

Zoti Kryeministër pak pas minutash pritet të fillojë një panel tjetër i liderëve të NATO-s ku do të diskutohen buxhetet e mbrojtjes dhe pritet të miratohet një deklaratë, ku buxhetet e mbrojtjes nuk do të preken. A është e gatshme Shqipëria të përmbushë këtë detyrim, pavarësisht situatës të vështirë financiare?

Deklarata është një shprehje e vullnetit të mirë, nuk është një postulat apo një fjali e shkruar në ndonjë libër të shenjtë. Kështu që ne do të angazhohemi plotësisht siç jemi angazhuar dhe më lejoni ta them që jemi përmendur, përgëzuar dhe jemi parë me shumë respekt për atë që po bëjmë në frontin e ri ku jemi bashkuar me SHBA, me Gjermaninë dhe me një sër shtetesh të tjera, për të qenë pjesëmarrës aktiv në një betejë që zhvillohet në dukje larg por që në fakt është një betejë që zhvillohet brenda shtëpive tona. Sepse kjo formë e re agresioni ndaj botës dhe ndaj familjes së vendeve demokratike është një formë që nuk njeh kufi dhe mund të shfaq brutalitetin e vet, sa hap e mbyll sytë, kudo që ne jetojmë.

Redaksia Online
(g.f/ Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën

Maqedoni e Veriut/ Po mbante një fjalim, ish kryeministri i Skocisë rrëzohet dhe humb jetën