Në fjalën e saj, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, u shpreh se maturantët të cilët s'kanë fituar të drejtën e studimeve në universitete, kanë të gjitha shanset në raundin e dytë që të shpallen fitues.
Nikolla tha se reforma në arsim ishte një domosdoshmëri dhe se ajo do të jetë eficente.
Edhe kryeministri Edi Rama vlerësoi reformën në arsim, duke theksuar se kjo reformë çliroi maturantët dhe universitetet.
Sipas tij, rruga e suksesit të maturantëve përcaktohet nga rezultatet e tyre dhe jo nga faktorë të tjerë. Kreu i qeverisë kërkoi nga maturantët të cilët ende s'kanë fituar një degë, të ndjekin raundet e pranimeve në universitete, pasi siç u shpreh ai, asnjë maturant me rezultate të larta nuk do të mbetet jashtë dyerve të universiteteve.
"Reforma funksionion më së mirëi, në radhë të parë për më të mirët. Secili prej jush, jam i bindur se mund të dëshmojë se reforma funksionon së pari se ka një transparencë të plotë dhe çdo maturant apo maturante, e ka sistemin para syve. Së dyti, sepse është e bazuar në konkurencën që diktohet nga rezultatet dhe bën të pamundur interferencën në procesin e konkurencës të faktorëve të jashtëm, që kanë qenë gangrenma e sistemit tonë universitar, por edhe e këtij kapërcimi jetik mes maturës dhe universitetit. Besoj që ju, duke qenë më tëmirët, jeni edhe të mirëinformuar sesi ka funksionuar sistemi i mëparshëm, një sistem me zgjedhje të detyrueshme të alternatiës më të lartë, ku maturantët detyroheshin që 15-vjeç, të bënin llogari sipas koeficentëve dhe të bënin një zgjedhje duke përcaktuar një moshë krejtësisht të brishtë dhe të papërshtatshme fatin e jetës së tyre, për shkak të kalkulimeve. Dhe gjimnazi për ju ka qenë një torturë. Për më tepër, deri vjet pasi bëje zgjedhjet, nuk mund të ndryshoje degën. Rrugën e suksesit e përcaktojnë vetëm rezultatet tuaja dhe asnjë faktor tjetër", u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se sistemi aktual i aplikuar prej reformës në arasim, nuk është më i miri, por garanton më të mirët. "Ky sistem nuk është i përsosur por garanton më të mirët. Më të mirët, për shkak të rezultatit të tyre, garanci për meritën. Dhe sot, ju akoma jeni në kushtet kur mund të reflektoni mbi bazën e alternativave që keni në dorë dhe deri në fund bëni një zgjedhje përfundimtare të mirë peshuar sipas të gjithë arsyetimit që në këtë moshë mund ta bëni më mirë se në moshën 15-vjeç dhe në këto kushte, mund ta bëni shumë më të balancuar duke marrë në konsideratë shumë faktorë të tjerë. Ka një lojë kungulleshkash, pse 10, bëjnë 5, pse 5, të jenë tre, të jenë 7...Pyetja ime është shumë e thjeshtë, jashtë shtetit sa alternativa ka? Pa kufi. Maturantët mund të zgjedhin edhe 100 po të duan. Pse i hymë kësaj loje? Se ata që flasin, për fat të keq në Shqipëri që kanë një mikrofon, penë dhe kanë akses në informacion, në të shumtën e herës nuk dinë çfarë flasin dhe nuk u intereson fare për ç'fare flasin. U intereson vetëm që të çojnë përpara axhendën e tyre sipas nevojës së momentit dhe jo sipas nevojës së grupit të interesit apo individëve që pretendojnë se flasin.
Parashikohet një raund i dytë ku keni të drejtë të ndërroni zgjedhjet tuaja dhe sistemi ka mundësi ankimimi në çdo raund. Përpara nuk ekzistonte. Kuotat e deklaruara nuk mund të ndryshojnë. Në raundin e dytë, pasi ata kanë fituar zgjedhjen, gjithë të tjerët do t'i nënshtrohen pozicionit që detyron vija e kuqe.
Deri në 20 shtator ju do të vendosni se cili do të jetë rruga e jetës. Kush nuk fiton, bën aplikimin me 10 preferenca. Brenda datës 4 tetor, AKP dërgon listat te Universitet dhe në 6 Tetor, universitet shpallin listën e raundit të dytë", tha Rama.
Rama dhe tha se raundin e parë të shpalljes së fituesve për pranimet në universitete, pati vetëm 0.06% ankimime nga maturantët, çka sipas Kryeministrit është një sukses më vete dhe rrjedhojë direkte e reformës në arsim.