Rama mbështet Erdoganin për zgjedhjet presidenciale në Turqi: Lider politik shumë i veçantë! E bën atë çfarë thotë

Rama mbështet Erdoganin për zgjedhjet presidenciale në Turqi: Lider politik shumë i veçantë! E bën atë çfarë thotë

Rama dhe Erdogan

Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e tij për presidentin turk,  Recep Tayyp Erdogan në zgjedhjet presidenciale që Turqia mban në 14 maj. Nëpërmjet një video-mesazhi Rama shprehu konsideratë për vizionin dhe punën e presidentit turk, Erdogan për transformimin e Turqisë në një fuqi të madhe.

“Turqia është përpara një zgjedhjeje me rëndësi të madhe, jo vetëm për kombin dhe popullin turk, po edhe për Ballkanin dhe Europën. Eshtë padiskutim detyra e qytetarëve të Republikës së Turqisë të zgjedhin liderin dhe qeverinë që duan. Askush nuk mund dhe nuk di ta bëjë këtë më mirë se ata. Por në respekt të secilit e të secilës prej tyre, unë dua të shpreh konsideratën më të lartë për Presidentin Erdogan, vizioni, kurajoja, vullneti dhe puna e palodhur e të cilit, e ktheu në sytë e krejt botës Turqinë në shembullin e një transformimi fantastik.

Fuqizimi shembullor i Turqisë dhe krijimi i një vetëdijeje të re, tek forca e kombit dhe e shtetit turk, nuk sollën vetëm plot të mira për Turqinë e për popullin e saj, po krijuan edhe vështirësi të mëdha,l dhe kundërshti të forta,  të cilat kulmuan me vënien deri në pikëpyetje të  integritetit të institucioneve legjitime të Turqisë, madje edhe të vetës jetës së Presidentit Erdogan”-thotë Rama.

Duke folur për rëndësinë e Erdogan në krye të shtetit turk në këtë periudhë, Rama tha se eksperieanca dhe karakteri i tij ka qenë tepër i rëndësishëm gjatë konfliktit në Ukrainë, për shkak se bëri të mundur furnizimin me grurë të vendeve që prekeshin nga pasojat që sillte ky konflikt i armatosur.

“Unë e di se Presidenti Erdogan ka kritikë të fortë, ashtu siç ka edhe mbështetës pasionantë dhe me siguri të dyja palët kanë arsyet e tyre legjitime, për të cilat sot Turqia po zhvillon një ballafaqim të zjarrtë.  Po unë dua vetëm t’ju them të gjithëve se në kohë kaq të vështira, jo vetëm për Turqinë, po për krejt botën e sidomos Europën, eksperienca dhe karakteri i Presidentit të Republikës së Turqisë - roli i tij për lehtësimin e barrës së madhe të konfliktit në Ukrainë mbi rrugët e furnizimit me grurë të shumë vendeve të rrezikuara nga pesha e atij konflikti apo pesha e gjykimit të tij në përballjen me vatrat kërcënuese të terrorizmit - janë një aset tepër i çmuar, për të mos u marrë parasysh nga të gjithë ata që të dielën e ardhshme do të vendosin për drejtimin që do të marrë Turqia”-shtoi ai.

Ndërsa foli për rëndësinë e Erdogan për shqiptarët, Rama e konsideroi si mik të ditëve të vështira, duke përmendur edhe faktin se Turqia ishte shteti i parë që njohu shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Po ashtu solli ndërmend edhe mbështetjen e Turqisë për Shqipërinë pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit të vitit 2019.

“Për Shqipërinë dhe shqiptarët Presidenti Erdogan është një mik i mirë i ditëve më të vështira, që nga dita e vendimit për njohjen e Kosovës si shtet, që Turqia ishte e para e cila e deklaroi sapo Kuvendi i Kosovës shpalli republikën, tek tragjedia e tërmetit në Shqipëri, kur Turqia mbështeti qindra familje të prekura shqiptare me ndërtimin e shtëpive të reja apo mundësimi i vaksinave kundër virusit vdekjeprurës, kur të tjerët ishin shumë të zënë me hallin e tyre”-shprehet kryeministri.

Mes të tjerash, Rama e konsideron Erdoganin jo vetëm si një mik të mirë në ditë të vështira por edhe si një lider politik që e mban fjalën. Duke vijuar më tej, Rama tha se edhe Turqia në 14 maj, vendos mes vështirësisë për të vazhduar para dhe kthimit mbrapa që sipas tij është një rrugë shumë e lehtë. Kryeministri shqiptar u kërkoi qytetarëve turq që kur të votojnë të kenë parasysh rolin e pazëvendësueshëm të Turqisë për ruajtjen e ekuilibrave të brishtë të Ballkanit.

“Për mua personalisht Presidenti Erdogan nuk është vetëm një mik i mirë në ditë të vështira, po edhe një lider politik shumë i veçantë, për faktin se thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Disa mendojnë se ai është shumë rigjid dhe i prerë! Mbase kanë të drejtë, po  mbase për këtë fazë të historisë së Turqisë dhe në këtë botë kaq të paparashikueshme, mospërkulja është pikërisht ajo që i është dashur e i duhet ende një vendi si Turqia. E cila në 14 maj duhet të vendosë mes vështirësisë për të vazhduar përpara dhe lehtësisë së kthimit mbrapa! Duke i uruar Turqisë dhe popullit turk të gjitha bekimet e Zotit, uroj megjithë zemër që qytetarët turq të kenë parasysh në zgjedhjen e tyre edhe rolin e pazëvendësueshëm të Republikës së Turqisë në ekuilibrat e brishtë të kësaj kohe të vështirë për Ballkanin, e për krejt Europën”- përfundon video mesazhi i Ramës.

Turqia mban zgjedhjet presidenciale në 14 maj, ku Recep Tayyp Erdogan kandidon për një mandat të tretë në postin e presidentit. Ndërsa kundërshtari më i fortë përballë tij shihet kreu i opozitës,  Kemal Kilicdaroglu.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 09/05/2023 03:45

    Mos pyet se cfare /transformimi fantastik/ kaloi Turqia-Nga republike demokratike,po kthehet ne autokraci me te drejtat e njeriut te neperkembura,me qindra te arrestuar e denuar,me nje autokrat ne krye,qe jo vetem kerkon t'a ktheje kohen e progresit e qyteterimit mbrapa,por kerkon te mumifikohet ne fron si sulltan.

    Përgjigju
  • Demokrati: 08/05/2023 20:17

    Ky po ndihmon nje nga diktatoret me te mëdhenj te botes e qe këtu ne Shqipëri na ka ndihmuar duke ndërtuar xhamia arabsh ne qdo lagje te Shqipërisë qe vajtojnë arabisht 5 here ne dite

    Përgjigju
  • Olsi: 08/05/2023 19:14

    Kurre nuk i ke hedhur poshte miqte

    Përgjigju
  • Klea: 08/05/2023 18:51

    Ju lumte zoti kryeminister qe asnjehere nuk i hidhni posht miqte tuaj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Sulmi izraelit, VIDEO e shpërthimeve pranë bazës ushtarake në Iran

Sulmi izraelit, VIDEO e shpërthimeve pranë bazës ushtarake në Iran