Kryeministri Edi Rama gjatë aktivitetit “Me Partinë Socialiste për të pastruar më tej Shqipërinë” në Vlorë tha se inspektorët tatimorë kanë kompromentuar operacionin kundër informalitetit. Rama deklaroi një gjë të tillë duke thënë se shpesh kontrollet e tatimorëve bëheshin tek bizneset e rregullta dhe jo tek ato që kryenin abuzime.

Kryeministri tha se kjo çështje do të zgjidhjet duke tërhequr inspektorët nga terreni dhe duke i monitoruar bizneset me anë të një sistemi vëzhgues në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Më tej, Rama ndal tek heqja e taksave për biznesin e vogël ku tha se taksat që shkonin për buxhetin e shtetit tashmë do të shkojnë për buxhetin e familjeve.

“Zerimi i taksës për 83 mijë e disa qindra familje, individë që jetojnë me biznes të vogël e që kanë një xhiro vjetore deri në 50 milionë lekë”, tha Rama duke shtuar se është përgjysmuar taksa dhe për mbi 16 mijë biznese të tjera që kanë një xhiro 50-80 milionë lekë në vit. “Së bashku shkojnë në 99 mijë e 800 biznese të vogla, të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, që e fillojnë vitin e ardhshëm me një ndryshim shumë të ndjeshëm në ekonominë e tyre familjare, sepse çka deri sot ia jepnin buxhetit si taksë, do t’ia kalojnë buxheteve të familjeve të tyre”, u shpreh kreu i qeverisë.

Kryeministri iu përgjigj dhe pretimeve të bëra nga opozita sa i takon heqjes së taksave për fshatarët. “Do tua heqim të gjitha taksave e fshatarëve thonë? Cilat taksa? Nuk ka asnjë taksë! Dhe thonë do ua japim leket në dorë pa NIPT. E njëjta poshtërsi si me energjinë. Po morët NIPT-in ca ndodh? Do të merrni mbrapsht 20% të lekëve. Na ngeli të themi vetëm na kopjojnë, se kush e kopjon ngalësin vetëm këta e dinë”, u shpreh Rama.

Rama foli edhe për reformën në sistemin e energjisë elektrike, ku tha se tashmë kompania do të ketë mundësi të bëjë dhe investime për të shmangur problemet me furnizimin. Në këtë kontekst ai nuk kurseu edhe një batutë thumbuese për deputetin e Vlorës, Koço Kokëdhima. “Pse ikin dritat kaq shpesh në bregdet sidomos kur është sezoni veror? Sepse sistemi i shpërndarjes së energjisë që mbahet tek ato shtyllat që janë bërë si ato plakat e Vunoit që mezi ecin, është më i vjetër sesa gjysma e këtyre që janë këtu në sallë. Është në moshën e Koços, që kur u vu elektrifikimi”, u shpreh Rama.

Rama foli dhe për përmbytjet në Vlorë duke thënë se kjo erdhi se rezultat i asaj që ka ndodhur ndërtimeve në Vlorë me abuzimet me ndërtimet. “Pse u përmbyt Vlora? Se ka gjithmonë një faturë, se një ditë fatura e të jetuarit në zullum një ditë vjen. Fatura e shkatërrimeve prit pemë e hidh llaç, ndërto këtu e ndërto aty një ditë vjen. Sot ishim në mëngjes në Novoselë, për herë të parë një qeveri ka ndjeshmërinë morale të mos zhduket mbasi ikën shiu. I kemi kthyer kokë për kokë të gjitha delet, lopët, që humbën në ujë”, u shpreh Rama.
 
Duke folur për policinë, Rama u shpreh se ky vit mbyllet me 50% më pak vrasje në krahasim me çdo vit tjetër të tranzicionit. Ai tha se policia sot nuk është ajo që duhet, por nuk është ajo që ishte gjatë qeverisjes së kaluar. “Policit ishin bërë që shkonin në punë për të bërë pushim dhe lodheshin kur lenin punën. Ky vit mbyllet me 50% më pak vrasje krahasuar me çdo vit të tranzicionit. Policia e Shtetit është kthyer në krye të detyrës dhe punon për shtetin, por nuk është ende policia që duam, të cilën jam i bindur që do ta arrijmë. Mandatin që kemi ia kemi kushtuar arritjes së niveleve të rajonit, deri dje nuk fillonte biseda me policin pa i dhënë lekët e birrës. Pastja hapej biseda sa do ta vë gjobën. Kapelën e grumbullonin për farat që hanin, sot sigurisht që ka ende korrupsioni por nuk është kaq e lehtë dhe kaq e zakonshme që t’i japësh bakshish policit, se ka raste kur polici të çon në prokurori për korrupsion pasiv’, u shpreh kreu i qeverisë.

Kreu i qeverisë nuk i kurseu në këtë fjalim dhe batutat për preferencat e të rinjve në arsim, duke thënë se nuk ka mbetur taksist pa diplomë juridiku.
“Përveçse kemi numrin më të madh të juristëve për metër katrorë, nuk ka taksixhi pa diplomë juridike.
Më tha një kamerier na gjej naj pune.
Po ca diplome, ke i thashë?
Juridik tha si të gjithë shqiptarët”, u shpreh Rama.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)