Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të biznesit, të cilëve iu ka kërkuar që t’i japin fund mashtrimit me bilancet e dyfishta, dhe nga gënjeshtarë të kthehen në aleatë të qeverisë.

“Problemi juaj nuk është TVSH-ja, problemi juaj është tavani 8 milionë, se duke e kapërcyer atë, ju ktheheni në subjekt që pastaj është i detyruar të paguajë taksë nga 5-15% dhe kjo bën që shumë prej jush gënjejnë, e thonë vetë, gënjejnë me bilancet dhe për të mbajtur kokën nën tavan ndërkohë që xhiron e kanë më të lartë se 8 milionë jetojnë në stresin e vazhdueshëm të hartimit të bilanceve të rreme”.

Në bashkëbisedim me biznesmenët, Rama tha se qeveria që ai drejton nuk ka rritur taksa, por vetëm i ka ulur ato.

“Erdha këtu për tu dhënë fund gënjeshtrave. Më tregoni, çfarë takse ju është rritur. Asnjë. Qeveria ime vetëm ka ulur taksa”.

Rama ka shpjeguar se përfshirja në TVSH e çdo biznesi mbi 2 mln lekë xhiro në vit nuk sjell asnjë efekt negativ mbi të vegjlit, por sipas tij mbyll kanalet e evazionit të të mëdhenjve.