TIRANË- Kryeministri Edi Rama merr edhe një tjetër opozitar. Ish-deputeti demokrat, Dashnor Sula është emëruar kryeinspektor i përgjithshëm. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë dhe Sula zëvendëson në këtë detyrë ish-prokurorin Shkëlqim Hajdari.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 15, të  ligjit nr.99/2024, ‘Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë’, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Z. Dashnor Sula emërohet inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm.Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletoren zyrtare’”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave.

Prej viti 2016 Hajdari mbante postin e kryeinspektorit të përgjithshëm derisa dha dorëheqjen më datë 15 janar. Hajdari është emëruar Prefekt i Tiranës dhe zëvendëson në këtë detyrë Afrim Qendron.

“Në mbështetje të neneve 100 e 114 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të   ligjit nr.107/2016, ‘Për prefektin e qarkut’, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Z. Afrim Qendro, prefekt i Qarkut të Tiranës, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Shkëlqim Hajdari emërohet prefekt i Qarkut të Tiranës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në ‘Fletoren zyrtare’”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Distancimi i Sulës me Partinë Demokratike nisi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pasi Sali Berisha nuk e përfshiu në listën e deputetëve.