TIRANE - Dy ditë nga vota për zgjedhjet lokale të së dielës, dy bashkëkryetarët e mazhorancës Edi Rama dhe Ilir Meta dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp me fokus kryesor apelimin ndaj qytetarëve që të dalin në votime.

“I bëj thirrje shqiptarëve të mos mungojnë në një ditë të rëndësishme, drejt një Shqipërie të një reformë madhore që hyn në fuqi më 21 qershor. Së dyti e dimë që ai që nuk voton nuk ka dhe shumë të drejtë të ankohet nesër. Është e rëndësishme që më 21 qershor të votojnë të lirë të pandikuar nga çdo formë presioni apo shantazhi. Të gjithë komisionerët, vëzhguesit të garantojnë proces normal të evitojnë çdo lloj ndikimi, përpara dhe gjatë momentit të votimit se kjo është e domosdoshme. Ftojmë çdo qytetar të denoncojë çdo formë presioni apo blerje të votës dhe ftojmë policinë dhe prokurorinë të veprojë në çdo rast që kjo do të shfaqet. Çdo shqiptar duhet të shpreh bindjen e tij i pandikuar edhe nga familja. Për ne kanë rëndësi standardet e zgjedhjeve jo rezultati i tyre. Do i ftoja komisionerët e vëzhguesit të vazhdojnë me qetësi dhe durim procesin deri në fund dhe të mbrojnë votën e çdo qytetari shqiptari, asnjë votë nuk duhet të deformohet. Mediat, ju jeni një garanci e madhe i transparencës së këtij procesi.  Fushatën e kemi bërë të gjithë tani t’i lëmë qytetarët të mendohen”, tha Meta.

Rama i bëri thirrje shqiptarëve të votojnë në 21 qershor, “të lirë, alternativën që ata preferojnë, partinë që ata besojnë, kandidatin që ata dëshirojnë. Por të votojnë, se nëse i nuk janë zgjedhje si ato që kemi pasur. janë zgjedhje që kandidojnë me vulosjen e reformës së madhe historike të administrim të territorit, që në përmbajtjen e vet ka një element të fuqishëm modernizimi”.  "Kjo konferencë nuk është për fushatën tonë por për zgjedhjet e 21 qershorit si proces i domosdoshëm i demokracisë në këtë fazë në Shqipëri. Kemi bindjen që duhet pjesëmarrje, pjesëmarrje. Dua të nënvizoj që kemi pasur një komunikim me komisionerët për të udhëzuar rëndësinë themelore të integritetit të votës për çdo subjekt", theksoi ai.

rama

Lideri i LSI-së Ilir Meta dhe kryesocialisti Rama theksuan se më e rëndësishme është procesi zgjedhor e pjesëmarrja dhe jo rezultati.  I pyetur nga gazetarët nëse do të mund të parashikonte se sa bashki do të fitojë e majta në këto zgjedhje, Meta u përgjigj: Nuk jemi këtu për të bërë orakullin e zgjedhjeve jemi për t shprehur vendosmërinë tonë për t’i shërbyer standardeve më të larta. Nuk do mërzitesha fare sikur opozita ti fitonte të 61 bashkitë, rëndësi për ne ka standardi.

meta

Kryeministri dhe kreu i Kuvendit theksuan se kjo ka qenë fushata më e qetë në historinë pluraliste, ndërsa për ato problematika që janë vërejtur organet kompetente si prokuroria dhe policia janë duke hetuar. Për zotin Rama këto zgjedhje në ndryshim nga shumë fushata të kaluara nuk kanë pasur asnjë lloj ndërhyrjeje dhe ndikim të strukturave të shtetit siç ka ndodhur në të kaluarën. 

“Rritja e cilësisë se zgjedhjeve është sfida jonë si shumicë qeverisëse. Kemi përgjegjësinë për të krijuar kushtet optimal që 21 qershori të jetë një ditë feste për demokracinë. Zgjedhjet padyshim më të qeta dhe nga pikëpamja e pushtetit me procesin, më të pandikuar artificialisht nga pushteti. Në të gjithë këtë fushatë nuk ka ndodhur në asnjë rast që takimet e kryetarit të kuvendit apo kryeministrit të bëhen arsye për të marrë në rresht nxënës e mësues që të mbushin sheshin dhe duartrokasin me pahir. Së dyti, administrata e shtetit në asnjë rast nuk është vendosur në rresht nga drejtoritë e burimeve njerëzore, siç ndodhte deri në fushatën e shkuar dhe nëpunësit e shtetit në asnjë rast nuk janë gjendur nën presion imponues për të qenë të pranishëm në mitingje apo për të dorëzuar kartën e identitetit për shkak se dyshohet se janë kundërshtarë të pandreqshëm dhe linin kartën për të mos shkuar në votim. Ushtria shqiptare nuk është përfshirë në asnjë veprimtari të natyrës që kemi parë në zgjedhjet e 2013 ku ministri i Brendshëm u bë drejtorë i përgjithshëm i punëve komunale të shtabit të PD. Së katërti, për herë të parë buxheti i shtetit nuk u bë pjesë e shpenzimeve elektorale, dhe shpenzimet nga buxheti nuk u frynë dhe as u deformuan për shkak të fushatës. Një shqetësim i madh në të shkuarën. Nga janari 2013 deri në gusht OSHEE ka akumuluar 220 milionë borxh elektoral. Dua ta hedh poshtë, në konstatimet edhe tuajat edhe të vëzhguesve, thuhet që fëmijët përdoren për fushatë. Nuk qëndron sepse nuk di ndonjë metodë sesi mund të rrethohen vendet ku zhvillohen takimet elektorale dhe të pengohen fëmijët në gjithë atë turmë njerëz, ku vijnë edhe me fëmijë.  Nuk ka përdorim të fëmijëve në fushatë. Nuk janë partitë tona që i veshin fëmijëve tanë bluza fushate, janë prindërit, familjet, në një lloj procesi gjysmë feste, gjysmë sportiv siç është fushata. A është normale? Mbase jo, por nuk ka lidhje me përdorimin politik të fëmijëve. Kështu besoj është edhe nga ana tjetër, është diçka që nuk shmanget dot. Kriminelë të kërkuar kapen si pasojë e përpjekjes së tyre për tu përfshirë në proces me kërkesën e personave që janë në fushatë. Kjo nuk është një gjë e mirë, por nuk jemi për të bërë polemika do kemi ditë për t’i shtjelluar edhe elementë të kësaj natyre.”, - tha Rama.