Rama: Ministrat s’do jenë
deputetë, do ndahen punët

Rama: Ministrat s’do jenë<br />deputetë, do ndahen punët
TIRANE - Në një bashkëbisedim me gazetarët, kreu i PS Edi Rama tha se deputetët që do bëhen pjesë e kabinetit qeveritar do dorëzojnë mandatet. Ai flet për KQZ, komisionin e hetimit, aleancat dhe fitoren e zgjedhjeve më 23 qershor bashkë me aleatët.

Maxhoranca, ka nisur një komision hetimor ndaj jush lidhur me atë që është cilësuar një incident mes jush dhe diplomatit Ceka në Vjenë. Cila është e vërteta..?
Dua të shprehem shumë i kënaqur që mora medaljen e radhës nga PD dhe nga kryetari i saj, që do thotë komisionin hetimor të radhës. Edhe pse më duhet të them që nga komisioni hetimor në komision hetimor ka një degradim të vazhdueshëm siç është rrënimi i qeverisjes, i rrugës logjike të komunikimit me popullin dhe me opozitën, i vetë PD që sot është një parti familjare. Kam parë se ka pasur një mbështetje shumë të madhe publike në rrjetet sociale propozimi i artistit të njohur shqiptar Fate Velaj për ta shpallur 24 prillin ditën kombëtare të shkuljes së veshit.

Përgjigjja për shqetësimet e disa deputetëve mes tyre anëtarë të kryesisë së PS që thonë që në lista po vihen individë që nuk e meritojnë?
Në raport me listat është e natyrshme që të ketë edhe ndonjë stonaturë në ndonjë dalje publike. I mirëkuptoj dhe stonaturat, dhe pse janë plotësisht të evitueshme. Ne po punojmë dhe po bashkërendojmë idetë. E, po bashkërendojmë edhe sensin logjik të gjithë ndërtimit të skuadrës sonë kombëtare, në një proces ku janë përfshirë drejtues politikë, ku janë përfshirë drejtues lokalë, ku janë përfshirë edhe aktorë dhe faktorë të rëndësishëm të jetës politike brenda familjes sonë politike, por dhe të jetës sociale në zona e komunitete të ndryshme. Jemi të bindur që Skuadra jonë Kombëtare do të jetë një skuadër që do të jetë në lartësinë e sfidës që kemi.

Nisma që deputetët nuk do jenë ministra....?
E kundërta është e vërtetë. Ministrat do zgjidhen mes deputetëve, por me marrjen e mandatit të ministrit do heqin dorë nga mandati i deputetit. Ministrat do jenë përgjithësisht figura politike, figura që janë pjesë e Skuadrës sonë Kombëtare të Rilindjes, por do bëjmë një ndarje të punëve, siç kemi rënë dakord dhe siç e kemi sanksionuar dhe në marrëveshjen me LSI, dhe në marrëveshje me të gjitha forcat e tjera të koalicionit duke bërë që Kuvendi të bëjë parlamentin, legjislativi të bëjë legjislativin dhe ekzekutivi të bëjë ekzekutivin. Duke krijuar një ekuilibër të ri e një hapësirë shumë më të madhe për kontrollin parlamentar, por edhe për t’i kryer punët në shërbim të publikut shumë më mirë dhe shumë më të fokusuar nga ana e qeverisë. Duke shtuar padyshim edhe numrin e njerëzve tanë pjesëmarrës në atë hapësirë që është hapësira që, nesër, do të jetë e ndarë mes Kuvendit dhe qeverisë.

Milo ka deklaruar se PS mund t’u ofronte më shumë aleatëve të saj tradicionalë...?
Është normale që aleatët e vegjël të kërkojnë gjithnjë e më shumë, sepse duan të rriten, apo jo? Por, besoj që kemi arritur marrëveshje korrekte me të gjithë.

Meqë jemi te marrëveshja me LSI, është edhe përfshirja në listën e PS e disa kandidatëve të ardhur nga LSI. Kanë vend të tjerët, pasi Gjinushi e Milo dukeshin të pakënaqur..?
Me PDS kemi firmosur një marrëveshje të cilës ne do t’i qëndrojmë pikë për pikë dhe PDS nëpërmjet profesor Milos është shprehur e kënaqur për atë marrëveshje, edhe pse sigurisht do të kishte dashur më shumë. Kush nga partitë e vogla nuk do kishte dashur më shumë. Për sa i përket listave besoj që është përjashtuar dhe nga vetë kryetari i LSI, pjesëmarrja e LSI me prezencë të zgjeruar në listat tona.

Ka pasur dje një akuzë nga Ministria e Arsimit se ky nuk është një raport i BB, por i hartuar në “zyrat mavi”...?
Në çështjet e arsimit Ministria e Arsimit s’ka gojë të flasë, siç nuk ka gojë të flasë në çështjet e krimit Ministria e Brendshme, siç s’ka gojë të flasë në çështje të fshatit Ministria e Bujqësisë, siç s’ka gojë të flasë në çështje të transportit Ministria e Transportit. Është një gjendje rrënimi i përditshëm. Çfarë mund të flasë Ministria e Arsimit? Për universitetet, që janë kthyer në skema piramidale që investimet e prindërve i kthen në diploma pa asnjë vlerë apo do flasë për 57% analfabetizëm funksional.

Berisha akuzon ju dhe akademikun kosovar Rexhep Qosja se po mbroni periudhën e diktaturës...?
Ju besoj po shikoni që marrëzia po përshkallëzohet. Vlerësim më të madh sesa të akuzohem në bllok bashkë me Profesor Rexhep Qosen nga kryeministri në ikje, unë nuk mund të kisha nga dita e djeshme.

Do të kemi një kandidim tuajin për deputet...?
Në sistemin e sotëm pjesa më e madhe e atyre që janë në parlament janë deputetë automatikisht, sepse gara zhvillohet mes palëve dhe numri i deputetëve që janë në kufirin mes hapësirës së Kuvendit apo hapësirës politike pa mundësinë për të qenë në parlament, është një numër i kufizuar. Unë patjetër do të jem deputet, si shumë të tjerë në skuadrën tonë kombëtare.

11 sekretarë politik të AK dhanë dorëheqjen. Nëse ky veprim do ndërmerret dhe nga numri dy i saj Myslym Pashaj do të jetë ai i mirëpritur në PS?
Të gjithë janë të mirëpritur në PS. Ne po mirëpresim në mënyrë të vazhdueshme anëtarë, themelues, drejtues të PD ashtu sikundër edhe të forcave të tjera. Kemi bërë aleancë me një sërë forcash që deri dje kanë qenë në kampin tjetër, por që janë pozicionuar për rotacionin dhe për ndryshimin e domosdoshëm të qeverisë dhe të qeverisjes. Sigurisht, që mirëpresim edhe të gjithë ata patriotë, ata idealistë, ata njerëz të ndershëm dhe të zakonshëm të këtij vendi. Po ashtu jo vetëm figurat e njohura, që u mikluan dhe u tërhoqën pas në emër të flamurit kuq e zi drejt një rruge ku fatkeqësisht doli që destinacioni s’ishte opozita, nuk ishte beteja për rotacionin, por ishte beteja për oborrin e Saliut. Shqiponja doli sorrë dhe, fatkeqësisht, ndodhi kështu.

Nëse Berisha nuk pranon për rikostituimin, apo gjetjen e një zgjidhje tjetër, a do të shkoni ju në zgjedhje me këtë KQZ? A mund ta përjashtojmë skenarin e tërheqjes së komisionerëve ditën e votimit?
Ka vetëm një forcë që duhet të tërhiqet në këtë histori dhe bën mirë të tërhiqet për veten e vet, në radhë të parë, dhe sigurisht për të mirën e vendit. Kjo është partia familjare e Saliut që ka uzurpuar KQZ duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur ligjin, duke shkelur çdo standard të zhvillimit të zgjedhjeve pluraliste e duke shkelur padyshim dhe në të gjithë partneritetin e Shqipërisë me botën demokratike. Përsa na takon, është një përgjegjësi shumë e madhe që Saliu ka marrë përsipër, nëse do që ta mbajë të tërën mbi vete, le ta mbajë. Ne nuk do të tërhiqemi nga asgjë. Ne do të vazhdojmë betejën. Por do jemi të pranishëm në të gjithë administratën zgjedhore e do të mbrojmë si asnjëherë më parë çdo votë për Aleancën për Shqipërinë Europiane. Çdo votë!

Para pak ditësh kishte një protestë tek shtëpia e Islamit, ju distancoheni nga një protestë e tillë?
Unë nuk kam nga çfarë të distancohem, sepse ajo ka qenë një protestë krejt spontane e njerëzve që kanë besuar dhe kanë votuar duke menduar se atë zotëri e kishin deputetin e tyre. Edhe në Amerikë, ka fushata të tëra deri edhe presidenti i SHBA u thotë njerëzve, publikisht, përmes spoteve elektorale, ky është numri i telefonit i filan senatori, ky është numri i telefonit i filan kongresmeni, merreni dhe kujtojani se për çfarë e keni votuar.

Kriteret për kandidimin e deputetëve, kur do jetë gati lista?
Qëllimi është që të ndërtojmë një skuadër që të jetë skuadra më e mirë kombëtare që PS ka pasur ndonjëherë për të përballuar sfidën më të madhe që PS ka pasur pas asaj të vitit ’97. Ne jemi në një linjë me partnerët ndërkombëtarë. KQZ duhet të rikonstituohet. S’kemi asnjë kushtëzim që do të pengonte një rikonstituim të KQZ përmes një dialogu mes palëve për t’i dhënë procesit një KQZ që të marrë përgjegjësi institucionale përpara shqiptarëve dhe të mos jetë një vegël politike e partisë familjare të Saliut. Në rast se duan ta bëjnë këtë jemi gati që të ulemi. Në të kundërt duan ta mbajnë ashtu të pushtuar atë institucion, ta mbajnë. Ne s’kemi lidhje me këtë KQZ. Do mbajë përgjegjësi për çdo cenim.

Ka ndonjë komunikim me PD për çështjen e KQZ apo të dy palët komunikojnë përmes ekranit?
Siç e shihni ne s’po merremi fare me këtë çështje. Ju po më pyesni për këtë dhe unë po përgjigjem. Por ne nuk po merremi fare me këtë çështje, nuk po humbasim asnjë sekondë për këtë çështje. Shqiptarët sot e kanë të qartë, KQZ është e tëra e kontrolluar nga personalisht kryeministri në ikje. Do të jetë edhe kryetar KQZ, do të jetë edhe anëtar KQZ, do të jetë edhe kryetar plus tre anëtarë ai vetë, le të jetë, le të rrijë, le ta mbajë. S’ka problem fare. Ne do ta mundim thellë, e kush do guxojë që fitoren e thellë ta prekë qoftë dhe një fije do të marrë përsipër të paguajë të gjithë çmimin e këtij guximi. Kush do përdorë mjete jashtëligjore për të na penguar në këtë rrugë do të marrë përsipër reagimin sipas nevojës.

Janë 30 mijë dublime në listat e zgjedhësve, 400 mijë pa adresë, a jeni të sigurt të hyni me këto lista në zgjedhje?
Shqipëria sot është një rrëmujë e tërë kudo. Shqipëria është një rrëmujë me listat. Shqipëria është një rrëmujë me pronat. Shqipëria është një rrëmujë me rrugët. Shqipëria është një rrëmujë me shkollat e universitetet. Shqipëria është një rrëmujë me qendrat shëndetësore e me spitalet. Por, duke e pasur këtë pamje të qartë të Shqipërisë së sotme, e duke qenë të vetëdijshëm dhe për rrëmujën e listave, s’ka asnjë fije dyshimi se ne do hyjmë në zgjedhje, se ne do t’i fitojmë ato.

Është thënë që kryetari i KQZ duhet të zgjidhet me konsensus ...?
KQZ prej dy zgjedhjesh është institucioni më i rëndësishëm i vjedhjeve jo i zgjedhjeve. Mos u bëni ju si ata ndërkombëtarët që janë larg, se ata që janë afër e shohin mirë dhe nuk e përdorin më këtë shprehje “klasa politike shqiptare”, të gjithë në një thes, të gjithë njësoj fajtorë, të gjithë njësoj të barabartë para fajit. Por, si qenkan të gjithë njësoj ata që kanë të gjithë instrumentet për t’i bërë gjërat dhe ata që kanë vetëm mundësinë të flasin se si gjërat mund të bëhen më mirë.
Marrë me shkurtime nga takimi i Ramës me gazetarët.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Kthjellime në të gjithë territorin, si parashikohet moti sot

Kthjellime në të gjithë territorin, si parashikohet moti sot