Rama në "VOA": Plani për prishjet
nuk do të ndalet deri në fund

Rama në "VOA": Plani për prishjet<br />nuk do të ndalet deri në fund
SHBA - Kryeministri Edi Rama ka vënë vulën e tij, se plani për prishjen e ndërtimeve me leje edhe paleje në zonën bregdetare nuk do të ndalet deri në fund. Gjatë një interviste për “Zëri e Amerikës”, Rama është ndalur edhe tek debati që është ngritur në Tiranë për ligjin e nënpunësit civil. Sipas tij, ligji edhe pse ka marrë 84 vota ka nevojë për ndryshime, pasi sipas tij është i pazbatueshëm. I futur në politikë prej vitesh Rama është ‘ushqyer’ me modelet e qeverisjes të ndjekura që nga Abraham Linkoln deri tek Toni Bler.

Para se të merrnit votën e parlamentit, ju thatë se kishit përfunduar së përcaktuari piketat për 100 ditët dhe 300 ditët e para të qeverisë. Në fakt, cilat do të jenë ndërhyrjet tuaja të para, cilat do të jenë objektivat përparësore që do të keni?
Praktikisht, ju e keni ndjekur, puna e 100 ditëve të para ka nisur, një punë në të gjitha drejtimet, me aksione konkrete në çdo fushë, aksione që synojnë të shkundin thellë një administratë tërësisht të përgjumur, të demotivuar, dhe që ka shumë për të bërë, e mbi të cilën ne do të mbështetmi fuqimisht. Por, nga ana tjetër dhe të godasim, në ato aspekte dhe në ato drejtime, ku ne kemi identifikuar se duhet të nisë një luftë kundër korrupsionit dhe beteja për të ndërtuar shtet në shërbim të qytetarëve.
 
-Keni përmendur disa herë vendosjen e kontrollit mbi territorin. Disa Këto zona në fakt janë të kontrolluara nga socialistët dhe vazhdojnë të kontrollohen nga socialistët. Çmendoni ju për këtë?
Së pari, unë nuk e ndaj në socialistë apo në demokratë, përgjegjësinë. Kjo është një përgjegjësi kombëtare, kjo është një përgjegjësi qytetare dhe padyshim është dhe një përgjegjësi politike e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. (...) Ne do ta marrim këtë si përgjegjësi tonën dhe në ditët në vijim, do të vëmë në zbatim një plan, që po detajohet imtësisht, për një aksion që nuk do të ndalet, deri kur kontrolli mbi territorin të jetë vendosur dhe ligjshmëria mbi territor të jetë e pakontestueshme nga askush, apo nëse dikush e konteston të përkthehet në ndëshkime të forta, të cilat do të jenë shprehje e domosdoshmërisë që ndaj territorit të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe të jemi të gjithë bashkëpunues.
 
-Debati mbi çështjen e statusit të nëpunësit civil. Ka një debat të fortë në Tiranë, këto ditë, për këtë çështje, për çështjen e shtyrjes që kërkon mazhoranca. Opozita ka një akuzë shumë të fortë ndaj jush, se ju po përpiqeni të spastroni administratën me shtyrjen të hyrjes në fuqi të këtij statusi. Çmendoni?
Nuk ka debat për statusin e nëpunësit civil. Ka vetëm një domosdoshmëri për ta bërë të zbatueshëm ligjin, që është miratuar me tre të pestat, përpara zgjedhjeve dhe që është i pazbatueshëm, pasi në të gjithë këta muaj, nuk janë nxjerrë aktet e domosdoshme nënligjore për ta bërë atë të zbatueshëm. E dyta, akuzat për spastrime, janë të gjitha, le të themi, shembuj të asaj shprehjes, që thotë: “kush shpif ndaj teje, e bën duke u nisur nga çka është në gjendje, në fakt, të bëjë vetë”. Ne nuk kemi plane spastrimi. Ne kemi një projekt të madh të shtetndërtimit dhe të ndërtimit të një shteti në shërbim të qytetarëve dhe të një administrate, që është aty, për t’u shërbyer qytetarëve, të një raporti të ri mes shtetit dhe qytetarit.

Ju me siguri e dini që në administratat e kaluara, gjithmonë ka patur spastrime. Ky është njëfarë rregulli në Shqipëri. A do ta ndryshoni ju këtë?
Ky është një rregull për të cilin duhet të përgjigjen ata që u larguan nga pushteti më 23 qershor dhe jo ne që kemi ardhur në qeveri me një mandat shumë të fortë për të ndërtuar një shtet që ju shërben qytetarëve, të cilëve iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni, nga nëpërkëmbja, nga moszbatimi i ligjit, nga pandëshkueshmëria, nga gjithë ajo tërësi fenomenesh dhe sjelljesh që e kanë mbajtur Shqipërinë larg BE. Ne jemi këtu për të mos përsëritur gabimet dhe aq më shumë fajet dhe mëkatet e së shkuarës, por për të shkuar përpara, duke respektuar mandatin e fortë që kemi. Dhe në fund fare, askush të mos ta harrojë, që ky është ligji i miratuar me 84 vota dhe për ta bërë atë të zbatueshëm duhet një ndërhyrje, që përsëri kërkon miratimin me 84 vota. (...)

A nuk ju takon ju si kryeministër për të mos e ulur nivelin e debatit tek fotografitë e kryeministrisë, por për ta ngritur atë tek nevojat e qytetarëve, tek nevojat e vendit dhe tek çështjet thelbësore.
Unë nuk kam bërë asnjë debat për çështje fotografish dhe as kam ndërmend ta bëj me ju. Thjesht ne kemi ekspozuar fotografi të mjediseve të kryeministrisë apo mjedise të tjera dhe kjo besoj është një normalitet. Edhe fotografitë e kryeministrive të vendeve të Evropës ndahen me qytetarët. Qytetarët mund t’i vizitojnë kryeministritë online. Ne thjesht kemi fotografuar çfarë kemi gjetur brenda. Pastaj të tjerët janë ndjerë keq nga ato fotografi, kjo është një çështje e tyre, nuk është çështje e imja, unë nuk bëj debat fare për këtë.

Pyetja ishte se kjo tingëllonte si një fyerje ndaj opozitës?
Unë po ju them edhe njëherë tjetër që ne kemi ekspozuar fotografi të mjediseve të kryeministrisë jo skenografi, apo imazhe imagjinare. Se kush fyhet nga kjo, nuk është çështja jonë. Ne nuk e kemi bërë për të fyer njeri. Ne e kemi bërë për t’u thënë qytetarëve shikoni kryeministrinë, apo shikoni ministrinë e Brendshme, apo shikoni spitalin, apo shikoni mjedise që ne kemi gjetur dhe ku po punojmë dhe do të punojmë për t’i shërbyer qytetarëve.

Heqja e portretit të Presidentit u duk si një hap impulsiv...
Ne nuk kemi hequr portret të Presidentit. Ne në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë kemi bërë një propozim për të vendosur portretin e Ismail Qemalit si një figurë unifikuese për të gjithë shqiptarët. Si një figurë shumë simbolike dhe domethënëse për shtetin shqiptar dhe si një figurë që i jep fund një historie qesharake fotografish që hiqen e vihen për shkaqe të politikës së brendshme. (...)Di vetëm një gjë që vendosja e fotografisë së Ismail Qemalit në Këshillin e Ministrave dhe në zyrat e shtetit shqiptar është pritur jashtëzakonisht mirë nga shumica dërrmuese e shqiptarëve. Kjo mjafton.

Z.Rama në qoftë se i hidhni një vështrim historisë shqiptare cili është ai shef ekzekutivi, apo shefa ekzekutivi nga të cilët ju do të dëshironit të mësonit, të thoshit nga ky dua të mësoj.
Nuk e kam menduar këtë gjë të them të drejtën, po nëse e kërkoni vërtet që unë t’ju them se nga kush unë dëshiroj të mësoj unë kam shumë njerëz që janë shkak që unë merrem me politikë apo që sot jam në krye të qeverisë që nga Abraham Linkolni deri tek Tony Blair.  
 
 
Shkrimi u publikua sot (29.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Vrasja me thikë e shqiptarit Van Koxha, 2 maqedonas të arrestuar dhe 2 në kërkim! Shkak dhe bastet, vëllezërit policisë: Na therën, na ndihmoni!

Itali/ Vrasja me thikë e shqiptarit Van Koxha, 2 maqedonas të arrestuar dhe 2 në kërkim! Shkak dhe bastet, vëllezërit policisë: Na therën, na ndihmoni!