TIRANE- Aksioni i INUK për prishjen e ndërtimeve pa leje është bërë shkak për replika në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Lulzim Basha. Kreu i qeverisë ka përgëzuar në "Twitter" aksionin e INUK, duke u shprehur se 's’do ndalet operacioni i shkuljes se çibaneve". Lidhur me këtë ka qenë i mënjëhershëm reagimi i Bashës në "FB", duke u shprehur se "Rama prish "çibanët" që vetë i lejoi".

Rama: Zaptuesit shfrytëzuan inekzistencën e vendorëve
Kryeministri Edi Rama përmes rrjetit social ‘Twitter’ ka përgëzuar aksionin e INUK për lirimin e hapësirave publike të zëna kryesisht nga lokalet.
 
Zaptuesit e rrugëve, siç i cilëson ai, kanë bërë çkanë dashur falë inekzistencës korruptive të pushtetit vendor shprehet Rama përmes një postimi në rrjetin social.
 
“S’ndalet me operacioni i shkuljes se çibaneve qe vitet e fundit u shumëfishuan trotuareve të Tiranës së mbetur pa kokë”- shkruan Rama ndërsa më pas ai shton se nuk do të ketë tolerancë ndaj tyre.
 
 
Basha: Rama tani po prish "çibanët" që vetë i lejoi
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, i kundërpërgjigjet kryeministrit Rama lidhur me aksionin e INUK për prishjen e ndërtimeve pa leje. Në një reagimin në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, kryebashkiaku shkruan se Rama gjatë 11 viteve kur ishte kryetar Bashkie “i lejoi ndërtimet që po prish tani”.
 
“Vajmedeti e han turpin me buke. Fukarejve që i rropi 11 vjet si kryetar bashkie tani jua prish "çibanët" që vetë i lejoi. Por bekon pallatet dhe sarajet e Kokëdhimëve të pushtetit që lartësohen çdo ditë kundër ligjit. Llogjet për popullin, punët për vete!”, shkruan Basha.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)