Kur hyri vrullshëm në politikën shqiptare, përmes veshjes ndryshe, vizionit ndryshe dhe veprimin ndryshe që vërtet stononte me modelin e politikanëve të atëhershëm por që në fund të herës pëlqehej shumë nga shqiptarët. Që s’ngurruan ta provonin në krye të bashkisë së Tiranës, dhe t’a rivotonin dhe dy herë të tjera.
Dje Rama u shfaq si dikur, kur ka folur pa letër, por që ka marrë një për një gjithë pikat e programit qeverisës të PS e i deklaroi siç ka bërë herët, shqeto përmes batutave e thjeshtësisë. Duke zbritur këtë herë në “tokë” ku vetëm kostumi e kravata e ndryshonte herë të tjera, ndërsa të gjithë ata që panë e dëgjuan kreun e PS dje e kanë imagjinuar me sopatë në dorë, brekushet legjendare apo grushtin mbi tavolinën që mungonte aty dhe që nuk kishte një mikrofon të lëvizshëm.
Në fakt, Rama kishte vendosur një kollare me ngjyrën e Rilindjes, ndërsa në sfond, për aq sa u pa u kthye koloriti i ngjyrave që përdor në pikturat e tij, a thua se donte të ngjyroste me të njëjtat ngjyra edhe programin e Rilindjes. Plot 1 orë e 45 minuta fjalim, ku herë herë ulej duke përthyer gjunjët për të treguar vështirësinë e njerëzve; herë të tjera kalonte dorën mbi kokë për të treguar hallet e tyre; herë të tjera hapte duart për të treguar sesa larg shkon korrupsioni i qeverisë dhe duke lëvizur gishtin tregues për të thënë sa keq është qeverisur vendin.
Tonet e larta, atëherë kur e mbanim mend duke i rënë me grusht tavolinës, këtë radhë nuk i bëri kështu, ndoshta edhe për shkak të podiumit të qelqtë; por e tregoi duke mbledhur duart fort, e duke i ngritur sipër, në gjestikulacione që donin të tregonin sesa forcë do të kishte e majta për të ndryshuar realitetin.
Si rrallë ndonjëherë, emri “SALI BERISHA” nuk u dëgjua asnjëherë në fjalimin prej gati dy orësh të kryetarit të Partisë Socialiste. “Ne duam që njerëzit ta shohin, ta prekin, ta ndjejnë me sytë e parafytyrimit e me ndjeshmërinë e lartë që ka sot çdo shqiptar kur dëgjon politikanët të flasin, se cila do jetë natyra e re e qeverisjes”, tha Rama në Konventë.
Duke nënvizuar se elementi i parë që do ndryshohet për të rikthyer seriozitetin e shtetit do të jetë rregullimi i statisikave. “Do kemi një INSTAT që do nxjerrë lakuriq gjithçka përpara partnerëve tanë ndërkombëtarë, i binjakëzuar me një vend të BE. Mos u trembni nga fjala lakuriq ju e dini që unë s'kam frikë nga lakuriqësia. Kjo ndan nga gënjeshtra dhe shtetet që funksionojnë.
Sepse kur do jetë në opozitë, ai do thotë ju lashë një hap prapa Gjermanisë", tha Rama. Ai premtoi një polici. “Do mbyllim epokën e kushedi sa lloje policish janë”, tha Rama, duke paralajmëruar Byronë Kombëtare të Hetimit. Ai tha se të gjithë mendojnë se Shqipërisë i duhet një Rilindje dhe nëse i duhet kjo, për të gjithë ata demokratë që e duan, kjo rilindje fillon nga ndarja me PD e kalimin e PD në opozitë.
Nuk duam të fitojmë e të qëndrojmë për 30 vjet në pushtet. Jo! Dhe fjala “pushtet” është term i vjetër. Ne duam një mandat për të mirëqeverisur jo pafundësisht por deri në pikën kur një alternativë e re të lindi natyrshëm. Për këtë është demokracia“, nënvizoi kryetari i PS.
“S’jemi të pagabueshëm as të rënë nga qielli por kemi prova se mësojmë nga e shkuara por nuk jetojnë në të shkuarën, ndërsa kjo qeverisje jeton vetëm me të shkuarën, me ta ka vetëm të shkuar me ne ka një rrugë drejt ë të ardhmes“, tha Rama. Ai s’ka munguar të hedhë batutat e tij për nacionalizmin e Berishës.
“Berisha që flet për nacionalizmin vetëm një luftë ka bërë në Kosovë e atë kundër saj, bllokoi pataten e Kosovës në kufi. Bëri luftën e patates”, tha Rama. Duke hyrë nga arsimi, ai thotë se një mësues fshati që jepte 22 vjet histori është zëvendësuar me një muzikant që i ka rënë dajres në një miting të PD. Ndërsa në takimet me të përndjekurit i thonë se askush nuk i kishte dëgjuar.
Rama thotë se do ketë taksim të drejtë, heqje taksash për biznesin e vogël, ulje taksash e financim në bujqësi, reformë në drejtësi, arsim, shëndetësi, pronësi, kujdes për ish-të përndjekurit dhe punësim për të gjithë përmes një konkurrence të ndershme. Rama ka përmendur thënien e një miku të tij të moshuar: “Shqipërinë më të varfër e kam parë, por më të çoroditur, kurrë”, për të përmbyllur ofertën e tij.
Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com
Redaksia Online
(b.m/shqiptraja.com)