IZRAEL - Kryeministri Rama u prit sot, në selinë e qeverisë në Jerusalem, nga Kryeministri Benjamin Netanyahu, ku për mbi dy orë u diskutua për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimit në fusha të interesit reciprok, me theks në energji dhe në sektorin e ujit.
Në fokus ishte edhe rritja e ndërveprimit në çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj ekstremizmit të dhunshëm, në mbrojtje të vlerave dhe popujt tanë nga ky kërcënim.  
 
Ndihem shumë i nderuar sepse jemi këtu të nënshkruajmë deklaratën e miqësisë, në një moment kur marrëdhëniet tona kanë nevojë të forcohen , kjo edhe për shkak të sfidave të përbashkëta. Ne jemi shumë të qartë dhe të prerë në qëndrimin tonë ndaj terrorizmit dhe akteve ekstreme të dhunës.
Së fundmi ne kemi themeluar në Shqipëri një qendër rajonale për të ndaluar ekstremizmin e dhunshëm  dhe ne jemi të vendosur të punojmë së bashku me ju, përkrah popullit izraelit për të mbrojtur vlerat tona dhe njerëzit tanë nga rreziku i terrorizmit dhe i çdo forme tjetër te ekstremizmit, në një vend i cili është krenar për harmoninë dhe bashkëjetesën fetare. Në fund, por jo e fundit ne jemi shumë të lumtur që së bashku të parashikojmë një rritje të bashkëpunimit tregtar, një rritje të bashkëpunimit në të gjitha fushat.Përsa i përket ujit, i tregova ministrit se dy vendet tona janë shembulli më i mirë i asaj se vendet ndryshojnë jo nga ajo që kanë, por nga ajo që dinë të bëjnë. Ju nuk keni burime ujore, por e keni menaxhuar më së mirë. Ndërsa ne kemi shumë pasuri ujore, por nuk jemi më të mirët në përfitimet prej sa
j” ka deklaruar Rama.

Kryeministri Netanyahu nënvizoi miqësinë midis dy popujve, e cila ka spikatur veçanërisht në periudha kyçe të historisë dhe i shprehu Kryeministrit mirënjohjen ndaj popullit shqiptar për kontributin në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ne nuk i harrojmë kurrë miqtë”, u shpreh Kryeministri Netahyahu, gjatë prononcimit të përbashkët pas takimit.
 
Unë mendoj se Shqipëria është vendi i vetëm ku popullata hebre u rrit për shkak të refugjatëve, dhe falë miqësisë që populli shqiptar tregoi. Dhe ne nuk i harrojmë kurrë miqtë tanë, dhe vlerësojmë ndjenjën e njerëzimit dhe qytetërimit dhe kurajën që treguat gjatë kohës sonë më të zymtë.Ndaj dhe është kënaqësi e veçantë për mua që sot të zgjerojmë marrëdhëniet në shumë fusha konkrete, të cilat mbulojnë një spektër shumë të gjerë, mbulojnë tregtinë, investimet, industrinë, ujin. Ne kemi të gjithë nevojë për ujë që të jetojmë, dhe Izraeli ka eksperiencë në fushën e burimeve ujore; ato mbulojnë gjithashtu çështjen e sigurisë, e cila përfshin dhe shqetëson vendet anë e mbanë. Sot terrorizmi na kërcënon të gjithëve. Izraeli lufton kundër terrorizmit përditë dhe nuk e ul asnjëherë vëmendjen. Por besoj se popujt sot i kuptojnë gjithnjë e më shumë se problemet e sigurisë ndërkombëtare janë të ndërlidhura. Kërcënimi terrorist është ndaj kujtdo, ai është në nivel ndërkombëtar, ndaj dhe përgjigjja duhet të jetë e tillë. Këto janë disa nga argumentet e diskutimeve. Gjithashtu, do të firmosim disa marrëveshje për të përforcuar dhe pasqyruar miqësinë tonë, dhe me këtë frymë miqësie unë Kryeministër Rama ju uroj mirëseardhjen në Jeruzalem” u shpreh Natanyahu. 
 
Kjo vizitë celebron edhe 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Takimi mes dy Kryeministrave dhe delegacioneve respektive konkludoi me nënshkrimin e Deklaratës së Miqësisë mes dy vendeve, ku shprehet angazhimi i mëtejshëm mes dy vendeve për të thelluar marrëdhëniet në të gjitha fushat me interes reciprok, por sidomos në atë të sigurisë, përfshirë sigurinë energjetike, luftës kundër terrorizmit, krimit kibernetik, si dhe në energji, bujqësi, kulturë, turizëm dhe arsim.

Kjo deklaratë synon të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si edhe i hap rrugën negociatave për Marrëveshjen e eliminimit të taksimit të dyfishtë. 
 
Janë nënshkruar edhe: Marrëveshja në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, ku palët angazhohen të nxisin shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit mbi tema që lidhen me shëndetësinë në fusha me interes të përbashkët;  

Memorandum Bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Yad Vashem, Autoriteti i Përkujtimit të Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit, për të bashkëpunuar në promovimin e edukimit dhe përkujtimit të Holokaustit. 


 
Kryeministri Edi Rama foli shkurt për këtë takim në rrjetet sociale ku postoi edhe një foto me homologun izraelit. "Në Jerusalem pas takimit me kryeministrin Netanyahu ku përreth dy orë u ndalëm në çdo temë të interesit reciprok", shkruan Rama në Twitter.

rama netanyahu

“Jerusalem Post” shkruan se gjatë Holokaustit shqiptarët, pjesa më e madhe e të cilëve myslimanë, rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë, përfshi edhe ata të larguar nga vendet e tjera. 
 
73 shqiptarë myslimanë janë vlerësuar nga Izraeli për këto merita.
 
Kryeministri Rama pritet që të takohet edhe me Presidentin Reuven Rivlin.

Në këtë vizitë Kryeministri i Shqipërisë është planifikuar që të qëndrojë dy ditë dhe bashkë me të drejt Izraelit edhe disa anëtarë të kabinetit qeveritar.
 
Çështje për tu diskutuar pritet që të jetë bashkëpunimi mes dy vendeve, sidomos në sektorin ekonomik, për të cilin janë realizuar edhe disa takime të tjera në nivel ministrash më parë

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)