Kryeministri Edi Rama ka vijuar në orët e mbrëmjes së të premtes inspektimin e zonave të përmbytura. Kamza ka qenë ndalesa e tij e radhës, ku është pritur nga kryetari i bashkisë, Xhelal Mziu, i cili ka bërë një ekspoze të situatës.

“Kemi filluar me pastrimin e kanalit më të madh që shkon drejt Rinasit, kemi arritur në 1 km dhe po vazhdojmë të punojmë. Por ka probleme me kanalet e tjera. Ndërkohë, përveç ujit në disa pjesë ka edhe rënie tektonike”, ka raportuar mes të tjerash Mziu, duke u shprehur i gatshëm për të shqyrtuar projektet e bashkisë së tij me pushtetin qendror.

Pasi është njohur nga afër me problematikat e krijuara në këtë qytet, Rama ka deklaruar se me kalimin e krizës pushteti qendror do të angazhohet për të gjetur një zgjidhje më të mirë dhe afatgjatë për t’i adresuar ato, jo vetëm në Kamëz.

“Ne, pasi të kalojë faza e krizës, do t’i shohim me kujdes pikat, këtu edhe kudo, për të nxjerrë detyrat. Do të shohim dhe do t’i marrim me radhë si pika prioritare sepse kjo është një situatë e ndërlidhur”, ka deklaruar Rama.

Kreu i qeverisë ka vlerësuar faktin që është pritur nga kryetari i djathtë i Bashkisë së Kamzës, një tregues sipas tij se në situata krizash ndasitë mund të lihen mënjanë.

“Besoj se situata do të vijë duke u vënë nën kontroll dhe gjëja më e mirë e kësaj situate është se jemi të gjithë të bashkuar për një qëllim, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”, ka thënë Rama.

Shefi i ekzekutivit ka nënvizuar se, pavarësisht reagimit të qeverisë, reshjet e këtij sezoni kanë qenë shumë më të dendura se parashikimet dhe krahasuar me vitin 2015. 

Më pas Rama ka shtrënguar duart me efektivët e Forcave të Armatosura dhe punonjës të strukturave të tjera shtetërore që po përballen me përmbytjet në terren. 

G.F. / Shqiptarja.com