Kryeministri Edi Rama thotë se ia refuzoi tre herë kërkesën për dorëheqje Belinda Ballukut, pasi sipas tij GJKKO u kuturis (me apo padashje) dhe ndërhyri në kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Rama tha se vetëm PS-ja është garante e drejtësisë, duke theksuar se Belinda Balluku në betejën me drejtësinë do te këtë në krah vetëm avokatët e saj.
“Ne dhe vetëm ne jemi garantët e pavarësisë së drejtësisë, edhe sot me mënyrën si po i qasemi kërkesës për të autorizuar arrestimin e një deputeteje, ne po e provojmë katërçipërisht edhe këtë. Fola gjatë deri këtu, por as ju dhe askush që ka arritur të dëgjojë ato që kam thënë deri tani, nuk keni dëgjuar asnjë llaf që të lëndoj autoritetin e prokurorit, që të hedhë poshtë motivin e hetimit, që të bëj avokatinë e ballukut për çështjen, e lërë të angazhojë këtë fuqi të madhe që merr para të madh e të vogël, për t’i vendosur përballë prokurorëve një mur me presion, zero. Sepse unë e respektoj pavarësinë e prokurorit. Belinda në këtë betejë ligjore do ketë në krah vetëm avokatët e saj, i kërkoj ndjesë për refuzimin e 3 kërkesave për dorëheqje. I kam refuzuar vetëm sepse drejtësia, pushteti i pavarur gjyqësor u kuturis pa ose me dashje, këtë do ta mësojmë dhe të jeni të sigurt që po e mësova do t’ua tregoj, në territorin e pavarësisë së pushtetit të pavarur ekzekutiv dhe legjislativ. Pushteti këtu buron nga vota e popullit dhe kjo për mua ishte dhe do të jetë e patolerushme sa të jem unë në këtë detyrë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
PS nuk jep aprovim për arrestimin e Ballukut! Rama: SPAK të shterojë çdo pistë që mund të çojë te korrupsioni, s’e shpall të pafajshme, e vetme përballë drejtësisë (VIDEO)











