Vetë shkrimtari, në një intervistë telefonike për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se biseda ka qënë miqësore dhe është diskutuar për qeverisjen e re, luftën kundër nepotizmit në administratë dhe kryesisht për vendosjen e standardit të gjuhës shqipe dhe në shkresat zyrtare, për të cilën Agolli ka vlerësuar shumë Ramën për vendosjen e redaktorëve letrarë në çdo institucion. Sipas tij është shumë e rëndësishme që të vendoset standardi i gjuhës në administratë, pasi në rast të kundërt do të ketë një zhdukje të saj.
Njëherësh, shkrimtari i madh, mbështetur dhe në votën masive që qytetarët shqiptarë dhanë për këtë mazhorancë, shpreson se Rama do të qeverisë më mirë se ish-kryeministrat Fatos Nano dhe Sali Berisha. Pasi pikërisht për këtë ndryshim voton poppulli sipas tij, sa herë që voton për të ndryshuar qeveritë. Nga ana e tij, kreu i PS Rama mësohet të ketë thënë përpos të tjerave dhe faktin se “dëshironte të qëndronte më shumë, pasi qetësohem shumë këtu”.
Kryetari i PS dhe kryeministri i zgjedhur Edi Rama ishte për vizitë në shtëpinë tuaj. Komenti juaj?
Kjo nuk ishte një vizitë zyrtare, por ishte një vizitë shoqërore, siç mund të bëhet gjithnjë mes miqsh. Dhe deomos që në këto takime njerëzit flasin dhe për probleme të ndryshme dhe bisedohet për problemet më të rëndësishme të shoqërisë sonë, të gjendjes së saj dhe të ecjes përpara. Po nuk u bë, si të thuash një bisedim zyrtar, por një bisedë mes miqsh. Unë u përqëndrova në problemet që dalin para, ishte diskutim jo burokratik, s’kishte asgjë të shkruar. Pra siç bëhet një vizitë zakonisht nëpër shtëpitë tona.
Folët për problemet që dalin gjatë qeverisjes....?
Folëm për problemet që ka vendi, shtypi, ato që shohim në TV edhe të tjera që mund të gjykojmë. Fjala vjen, për problemin që të mos jenë nëpër zyrat tona të mbledhur kushurinj dhe farefis siç është folur zakonisht edhe flitet gjithnjë, dhe jo vetëm në ndërrimin e qeverive. Në përgjithësi flitet për këto probleme, pasi mblidhen njerëz të afërt në të njëjtin institucion, dhe që nuk hiqet dorë miqësitë, farefisi. Në të njëjtin institucion mund të gjesh disa kushurinj, farefis dhe miqësira. Nuk janë të mira këto. Por folëm dhe për probleme të tjera dhe kryesisht ku duhet të synojmë që të mos ketë ryshfete dhe korrupsion të adminstratën shqiptare.
Por për elementë të tjerë u fol në këtë takim...?
Folëm për gjuhën që përdoret veçanërisht, kryesisht në publik. Një njëri i letrave si unë këmbëngul se duhet që gjuha shqipe të mbahet e pastër, që nga shkresat zyrtare e deri tek të folurit, sepse ka shumë probleme që dalin jashtë normave të gjuhës. Madje janë krejtësisht anormale, për të të folurit të një gjuhë. Kështu që gjuha shqipe duhet të flitet dhe të ruhet, sepse është një nga elementët themelorë të një kombi. Por të mos e kishim gjuhën ne do të zhdukeshim, siç janë zhdukur kombe të tjera, përshembull sankritishtja që është zhdukur si gjuhe.
Eshtë bërë mirë që kërkohet saktësi dhe për shkresat zyrtare, të cilat duhet të shkruhen qartë, duke vendosur që të ketë redaktor letrar në çdo institucion, në mënyrë që shkresat që bëhen të jenë normale, në bazë të të gjithë atyre rregullave që ka gjuha shqipe e të mos jenë shkel e shko. Gjuhët e tjera siç është frëngjishtje kanë ligje të rrepta për këtë gjë dhe ka dënime nëse nuk shkruhet mirë gjuha e tyre qoftë në shtëpite botuese, tek privatët por dhe në administratë.
Pra duhet të jetë një rregull i përgjithshëm i administratës dhe vendit që gjuha të mos shkatërrohet dhe të mos mbushet me papastërtira. Pasi nuk ndotet vetëm natyra, por dhe gjuha. Kështu që ajo nuk duhet të ndotet si natyra me plehra. Pra ishte një takim privat, miqësor, jo për të marrë nëpër gojë njerëzit, jo për t’u marrë thashetheme. Ishte thjeshtë një bisedë miqësore.
Si patriark i letrave shqipe por dhe i PS dhatë ndonjë këshillë?
Të gjitha këto hynin brenda bisedës miqësore që bëmë.
Keni besim se kryeministri Rama do të qeverisë më mirë se Nano dhe Berisha....?
Tani unë nuk jam ndonjë shënjtor që të parashikoj me saktësi, siç parashikojnë shkencëtarët në Kozmos. Dhe unë kozmosin e shoqërisë e kam të vështirë që të parashikoj, por unë jam me popullin, me elementët që ata votojnë. Dhe për të gjithë ato elementë pozitivë, në shoqërinë pluraliste në të cilën jemi, të gjitha ato qeveri që kanë ndryshuar herë njëra e herë tjera dhe me radhë, gjithnjë ashtu si populli që voton, edhe unë kam besuar që do të jetë më mirë.
Sepse përderisa fiton, ia jep votën populli, pikërisht populli ka një besim që mund të ndryshojnë shumë gjëra. Kjo është ana më e mirë e pluralizimit që, njerëzit kanë shpresë e shtohet optimizmi i tyre se do të vijnë ditë më të mira. Në këtë kuptim dhe unë mendoj dhe besoj, që siç kam menduar e besuar dhe herët e tjera që kanë ndryshuar qeveritë, që do të jetë më mirë. Por këtë gjë do ta themi të plotë se si do të veprojë, kur të fillojë punë qeveria, jo që tani. Por shpresat i kam, siç thashë, në votën e popullit. Dhe siç beson populli, besoj dhe unë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.09.2013
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)