Kryeministri Edi Rama vijon fushatën në qarkun e Beratit, ndërsa sot u ndal në Skrapar për të prezantuar kandidatin për kryetar bashkie Adriatik Mema. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se kemi bashkëpunuar me kryetarin aktual, të zgjedhur para katër vitesh nga radhët e LSI-së, por e sulmoi duke thënë se ka tej fryrë administratën me njerëz që nuk jetojnë në Skrapar. "Me kryetarin e bashkisë së Skraparit kemi bashkëpunuar dhe kemi bërë punë të mira, por mundësia për të bërë më tepër është në dorën tonë. Administrata është tej fryrë me njerëz që nuk jetojnë fare këtu në Skrapar dhe marrin rroga. Kush e di që është aty si mbush i topit të një partie apo një tjetër do të largohet që në datë 1 korrik. Do të përfundojmë rrugën Skrapar -Përmet. Nuk kemi bërë sa duhet për furnizimin me ujë të zonës 24 orë" tha Rama.
Më pas ai u ndal edhe te përgjimet e publikuara nga 'Bild' të bisedave mes Astrit Avdylit me Vangjush Dakon dhe zyrtarë të tjerë lokalë socialistë duke thënë se janë një arsye për të hetuar këdo që provohet që ka kryer veprimet e paligjshme. "Përgjime që janë një arsye për të hetuar deri në fund dhe për të çuar para drejtësisë këdo që provohet që ka kryer veprimet e paligjshme, që mund të merren me mend, por duhet provuar dhe që duhet të ishin kryer si hetime me kohë e me vak dhe sikur e keni parë dhe dëgjuar. Në fakt bëhet fjalë për shantazh kundër qeverisë dhe reformës në drejtësi dhe PS-së. Prokuror të diskredituar, me shumë hije në karrierën e tyre kanë preferuar që në vend që ti hetojnë dhe të veprojnë menjëherë ti mbledhin ato numra dhe ti bashkojnë në një kazan të mbyllur dhe ti dorëzojnë te PD-ja për të ndotur Shqipërinë" tha ai.
VIDEO/Takimi i kryemistrit Edi Rama me elektoratin në Skrapar
Më pas ai sqaroi edhe njëherë se përse nuk shtyhen zgjedhjet e 30 qershorit. "Keni dëgjuar kur thonë se përse nuk shtyhen zgjedhjet. Nëse i hapet rrugë dhe shpërblehet kjo politikë qorre dhe e dhunshme dhe atëherë nuk është cështja se po ç'tensionohet situata tani, por do ta marrë përpara për disa vite Shqipërinë se një parti tjetër mund të dalë me këtë kërkesë, pastaj një tjetër dhe një tjetër dhe kthehet në një lojë të rëndë. Në 30 qershor do të ndodhin dy gjëra, e para do të bëhen zgjedhjet dhe do të nisë mandati i ri i qeverisjes vendore për katër vitet e ardhshme dhe do të ndëshkohen të gjithë ata që do të gabojnë duke shkuar par berihait dhe jo vetëm do të përballen me ligjin e këtij vendit, por që në momentin që do të fillojë procedimi do të ndalohet dalja jashtë vendit, pastaj kur të dalin nuk do të kenë mundësi për të shkuar në Itali apo diku tjetër në BE pasi do të jenë pjesë e listës së zezë.
Ndërsa në SHBA do të humbasin të drejtën për të shkuar. Dhe kjo do të fitojë nga këta që bëjnë thirrje për revolucionin e tyre imagjinar. Kush nuk e beson ti bëjë një telefon plakut, nëse plaku u thotë jo më pyesni mua se u sqaroj unë edhe për plakun. PS-ja ka kaluar përmes divorcesh dhe martesash (i referohet LSI-së), u bëj thirrje socialistëve që të shkojnë në kutitë e votimit sepse duhet një mbështetje jo thjeshtë për kandidatët tanë por për Shqipërinë që duhet të ndahet nga politika e baltës dhe sherrit e një individi që e mban Shqipërinë nën tension prej 30 vitesh. Ato forca duhet të shpërbehen duke dalë nga duart e tij" tha ai.
Në fund, Rama kishte një mirënjohje edhe për ish-aleatin e tij në mandatin e parë, sot President i vendit, Ilir Metën. "Ja di për nder Ilir Metës, që më ka sjellë dhe treguar mrekullinë e kanioneve, këtu ka potencial të jashtëzakonshëm për turizmin dhe ekonominë. Më vjen shumë mirë që bashkë me Ilirin kam bërë rafting në kanione. Por tani kam mësuar, e bëj edhe pa shoqërues" përfundoi ai.