Sipas vlerësimit të tij, gratë mund të dëshmojnë më mirë se burrat të vërtetën e ekonomisë së vendit, varfërisë së përgjithshme, jo vetëm materiale por edhe kulturore.
Rama tha se “mbështetja e grave në jetën politike, por jo vetëm, është një domosdoshmëri për të bërë të mundur eliminimin e pabarazisë në shoqërinë shqiptare, si dhe për të mundur kështu frikën e shqiptarëve”.
Duke iu drejtuar grave vlonjate, kreu i PS, tha se rilindja fillon pikërisht me gruan dhe vajzën dhe me atë pjesë të shoqërisë që vuan mungesën e ekuilibrit në jetën politike.
“Rilindja fillon me gruan dhe vajzën dhe me gjysmën e shoqërisë që sot e gjithë ditën vuan pabarazinë dhe mungesën e ekuilibrit, kur është fjala për pjesëmarrjen në jetën publike dhe politike. Të mendojmë pa frikë në Shqipëri është sfida më e madhe, është angazhimi ynë më i rëndësishëm. Ju e dini shumë mirë se frika e ka shoqëruar gjatë Shqipërinë në periudha të caktuara dhe është kthyer në qendër të jetës shqiptare, në çdo vend pune dhe hapësirë publike”, u shpreh Rama.
Së fundmi, Rama u shpreh: "Do doja që t’u thosha se kujtdo që thotë se ndryshimi është i pamundur, sepse në radhë të parë është e vështirë deri në kufijtë e pamundësisë që ne t’i hapim rrugë ndryshimit me fitoren e zgjedhjeve, ne kemi shembuj të panumërt që provojnë të kundërtën. Vetëm pak ditë më parë me Eglantinën, me Oltën dhe me të tjera gra të spikatura, kurajoze dhe këmbëngulëse të familjes sonë politike ne ishim në Kavajë, ku takuam disa qindra gra dhe vajza në një moment që për mua posaçërisht ishte shumë emocionues. Ishte emocionues për faktin se kjo ndodhte në Kavajë, ku vetëm një vit më parë ishte e pamundur që si kryetar i Partisë Socialiste unë të takoja socialistë burra dhe jo më socialiste gra dhe vajza. Sepse deri në një vit më parë Kavaja si komunitet i ishte dorëzuar një fataliteti sipas të cilit gjithë jetën do të duhet të jetonte nën sundimin e agallarëve të Saliut".
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)