Rama nga Durrësi: Shyqyr që drejtësia po godet drunjtë e shtrembër në Partinë Socialiste

Gjatë fjalës së tij para anëtrëbve të PS, të cilët janë mbledhur ditën e sotme në Durrës, kryeministri Edi Rama e cilësoi Partinë Socialiste si flamurmbajtësen e reformës në drejtësi dhe theksoi se mbështetja ndaj institucioneve të drejtësië do të vazhpodj ëtë jetë e pakursyer nga kjo parti.

Nëse ne nuk do të donim një drejtësi me duart e lira nga prangat 100 e kusur vjeçare të pushtetit ekzekutiv, i kishim bërë të tëra pazaret e nevojshme për ta penguar ardhjen e kësaj kohe, kur për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, hetohen, gjykohen, dënohen individë të niveleve më të larta të pushtetit politik. Thonë disa që e bënë amerikanët, s’e bëmë ne, po amerikanët këtu ishin edhe përpara, aty janë edhe në vende të tjera të Natos apo pro Natos në rajon. 

Pse Shqipëria të mos ishte ende sot, si vendet e tjera të rajonit, ku tre prej tyre  i kanë hapur para nesh negociatat me BE-në dhe asnjëra s’e ka ndërmarrë akoma reformën, e thellë në drejtësi që u kërkohet nga BE ta bëjnë duke marrë si shembull Shqipërinë? Përgjigja është shumë e thjeshtë po ashtu: 

Sepse në Shqipëri ka një parti që e kishte në programin e saj Reformën në Drejtësi, qysh se ishte në opozitë, që fitoi zgjedhjet duke e premtuar Reformën në Drejtësi dhe që bëri Reformën në Drejtësi, sepse është një parti që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë, e cila quhet Partia Socialiste e Shqipërisë! 

Kështu që jo vetëm s’ka shans, që kjo parti të kthehet nga flamurmbajtësja e Reformës në Drejtësi, në flamurgrisësen e saj, po kjo parti do të jetë garantja e vendosur, me çdo çmim të drejtësisë së re, duke i mbështetur pa kushte institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit majtas e djathtas, lart e poshtë, dhe duke i mbajtur larg duart e pushtetit të shumicës nga punët e pavarura të drejtësisë. 

Kush predikon të kundërtën, ose është aq në hall, sa kërkon të shpjegojë me përrallën e persekutimit politik, vënien e vet para drejtësisë, ose është aq i mllefosur me Partinë Socialiste e sidomos me mua personalisht, sepse fitojmë sa herë që na vihen përballë, sa nuk e pranon dot që kjo parti po bën histori me Reformën në Drejtësi, dhe me shtetbërjen europiane të Shqipërisë në përgjithësi dhe prandaj zgjidhet, e do të vazhdojë të zgjidhet pa dilema, nga shumica absolute e shqiptarëve. 

U pa pastaj qartë, që s’kishte asnjë pazar, asnjë marrëveshje mes askujt për asgjë, përveç ripranimit të marrëveshjes së shkruar në Kushtetutë nga ata që u përpoqën ta marrin parlamentin peng, duke humbur logjikën në kërkim të së pamundurës. 

Ajo marrëveshje thotë se shumica qeveris dhe pakica bën opozitë, me të drejta e detyra të përcaktuara në ligjet dhe në zakonet demokratike dhe  historia e këtyre dhjetë viteve e gjysëm, përfshirë edhe të ashtuquajturin aksion opozitar të muajve të fundit, me kërcënime muskulore e me flakadanë, duhet t’i mësojë njëherë e mirë të gjithë, se çfarë s’ia merr dot me zgjedhje të lira, Partisë Socialiste s’ia merr dot me asnjë formë abuzimi të lirisë. 

Kundërshtarët politikë, as nuk i zgjedhim ne, as nuk i ndryshojmë dot ne, ne kemi në dorë vetëm t’u respektojmë të drejtat që u jep Kushtetuta e ligji, prandaj ato dy komisione hetimore që u ra dakord të votohen brenda kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, mund t’i kishim votuar qëkur, nëse nuk do të ishin kërkuar qorrazi jashtë asaj kornize.  

E dimë ne, e dinë ata, e di i madh e i vogël që e ndjek nga sado larg jetën tonë politike, se halli i tyre nuk ishin komisionet hetimore, siç besoj e dinë të tërë se prej kohësh tanimë unë personalisht i kursej, siç nuk kam bërë kurrë më parë, fjalët dhe kohën për të komentuar bëmat e taksiratet e tyre.

Prandaj edhe sot nuk do të marr kohë e as harxhoj fjalë të tjera, për të shpjeguar si e kanë hallin, pse dolën nga shinat e pse u kthyen prapë në shina apo kush është kush në atë çorbë të prishur, ku të tërë vjellin në mexhelis lugët që kanë gëlltitur me vite duke ushqyer njëri-tjetrin.

Kjo kohë e re e Shqipërisë, s’ka kohë për të humbur me hallet e tyre me drejtësinë e me vulat e humbura të tyre, ndërkohë që ne kemi detyrën të jemi në lartësinë e kësaj kohe, të lemë drejtësinë të bëjë punën e saj me çdo dru të shtrembër në radhët tona - shyqyr që ia arritëm kësaj dite - e të bëjmë punët tona të mëdha e të vogla, që të qeverisim më mirë në çdo drejtim e sektor, duke garantuar pakthyeshmërinë e progresit, modernizuar më tej shtetin për të zgjeruar më tutje horizontin e mundësive për shqiptarët dhe ngushtuar më tej hapësirat e korrupsionit, si edhe nxitur më shumë konkurencën e meritokracinë, për të fuqizuar hap pas hapi kapitalin njerëzor të Shqipërisë në sektorin publik dhe privat. 


Lajmi kryesor:

Asambleja e PS-së në Durrës, Rama: 50 mijë anëtarësime të reja deri në qershor! Klosi: Më 12 maj, zgjedhje të brendshme në parti


K.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë