TIRANË- Nga dita e hënë, farmacitë, marketet dhe bankat do të qëndrojnë të hapura deri në orën 17:30. Kjo është masa e parë lehtësuese, e cila vjen si rezultat i uljes së ndjeshme të numrit të të infektuarve në javën e katërt të shpërthimit të koronavirusit në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije, gjithashtu se në javën e ardhshme, gjithmonë nëse kurba do të ketë këtë trend rënie, do të shihet mundësia për të zgjeruar edhe lëvizjen me makina private të kompanive që lejohen të qëndrojnë të hapura.

Ndërkohë, kreu i qeverisë ka bërë me dije se në ditët në vijim do të prezantohet paketa e zgjeruar financiare, ku do të përfshihen edhe bizneset e vogla që nuk janë mbyllur, por kanë pasur dëme ekonomike si pasojë e kësaj situate (agjenci turistike, rrobaqepēsi e mobileri të vogla, hidraulikë, elektriçistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të liçencuar), do të përfshihet gjithashtu biznesi i madh, sektori turistik dhe fasoneritë

Megjithatë, këto masa lehtësuese, do të shoqërohen me ndëshkime më të ashpra, për të cilat qeveria ka paralajmëruar ndryshime të kodit penal dhe rrugor. Fundi i majit, është parashikimi i bërë nga Task Forca, ku jeta mund t'i kthehet në vija të përgjithshme jetës normale, ku parashikohet të hapet pjesa më e madhe e bizneseve, por me rregulla të mirëpërcaktuar. Për do të hartohet edhe një rregullore me standardet bazë për këtë biznese që do të hapen në javët e mëtejshme.

Postimi i plotë i kryeministri Edi Rama
Në kushtet kur kurba e infeksionit është më e ulët se pritshmëria jonë më optimiste, si rezultat i masave të forta që kemi marrë në kohën e duhur dhe rezistencës fantastike të popullit në unitet me shtetin; Në kushtet kur mund të shohim me optimizëm të arsyeshëm fundin e muajit maj si një dalje nga kjo fazë e parë përballjeje të gjithanshme me armikun e padukshëm, ku një pjesë e madhe e aktivitetin ekonomik mund të rikthehet në një normalitet të ri dhe shumë kush mund të rikthehet në punë, me rregulla të mirëpërcaktuar natyrisht;

Në kushtet kur duhet të përballojmë dyzet ditë shumë të rëndësishme, për fitoren e kësaj faze vendimtare të rezistencës sonë të përbashkët, duke u hapur me kujdesin më të madh e me disa hapa shumë të matur, duke vendosur njëkohësisht masa të rrepta penale për shkelësit, që të blindojmë rezultatet e arritura me sakrificë ditë pas dite dhe të mbajmë mbyllur çdo shteg rikthimi të armikut; Do të zgjerojmë duke nisur nga e hëna fashën orare të shërbimeve ushqimore, farmaceutike dhe bankare, deri në orën 17.30

Do të zgjerojmë brenda javës së ardhshme (nëse kurba e infeksionit do të qëndrojë në trendin aktual) mundësinë e lëvizjes me automjet privat të atyre që punojnë në hapësirën e lejuar të aktivitetit ekonomik
Do të miratojmë javën që vjen në parlament risitë e kodit penal / rrugor për periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme të epidemisë
Do të përgatisim brenda javës tjetër rregulloren e standardeve bazë të sigurisë për njësitë ekonomike të shërbimit që do të hapen në javët e mëtejshme
Do të publikojmë fillimjavën e ardhshme, paketën e zgjeruar të mbështetjes financiare, për të lehtësuar drejtëpërdrejtë:

1) bizneset e vogla që edhe pse nuk u mbyllën gjatë kësaj periudhe, u goditën ndjeshëm në xhiron e tyre si pasojë e luftës, si për shembull agjenci turistike, rrobaqepēsi e mobileri të vogla, hidraulikë, elektriçistë, fizioterapi, kancelari, servise makinash e lavazhe të liçencuar, etj., përfshirë edhe shoferët e taksive e të linjave të transportit urban e punonjësit e tyre...

2) punonjësit e bizneseve të mëdha, që bazuar në listë-pagesat e fundit të ditës së djeshme, figurojnë të goditur nga lufta në vendin e tyre të punës, të cilëve do t'u sigurojmë mjetet e nevojshme financiare të rezistencës për dyzetë ditët vendimtare në vijim - duke mbajtur parasysh se një pjesë e madhe e tyre mund të rikthehen në punë deri në fund të majit dhe se paketa mund të rizgjerohet, sipas dinamikës e nevojave të luftës në 10 ditëshin e fundit të muajit maj

3) sektorët e turizmit e të industrisë fason dhe njësitë prodhuese në tërësi". 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:00
Nga sot në orën 13:00 deri të hënën në 05:00 gjithçka mbyllur! Rama: Është hera e fundit

TIRANË- Kjo fundjavë do të jetë e fundit ku gjithçka do të jetë e mbyllur, pasi nga e hëna do të hynë në fuqi masat e reja lehtësuese. Që do të thotë të shtunën në orën 13.00 deri të hënën në 05.00 gjithçka do të jetë e mbyllur dhe të gjithë në shtëpi.

"Sot është dita e fundit me fashën orare deri në 13.00. Nga sot në 13.00 deri të hënën në 05.00 gjithçka do të jetë e mbyllur dhe të gjithë në shtëpi Nga e hëna, fasha orare do të zgjatet deri 17.30 dhe autorizimet për leje-dalje për pazar do të jenë 90 minuta. Pak nga pak dhe me durim, do të dalim me kokën lart nga kjo luftë", shkruan kryeministri Edi Rama.

Vendimi i plote
Ora 12:57
Rama: Nga e hëna plan për hapje graduale të rrugës së riatdhesimeve

1584380213_RAMA.jpg

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nga dita e hënë do të publikohet plani për hapje graduale të rrugës së riatdhesimeve.

"Duke ju kërkuar 1000 herë ndjesë të gjithë atyre që janë rezidentë në Shqipëri dhe për arsyen madhore të mbrojtjes së popullit e të vendit tonë nga agresioni i armikut të padukshëm, kanë mbetur jashtë kufijve të mbyllur, si edhe duke u nisur nga mbajtja nën kontroll e kurbës së infeksionit deri tani, jemi gati të publikojmë të hënën planin e një hapjeje shumë graduale të rrugës së riatdhesimit, me kushtet përkatëse detyruese të karantinimit 14 ditor nën rregulla të forta sigurie!

Duke i mirëkuptuar të gjitha ankesat e madje edhe sharjet e fyerjet, për mbylljen e plotë të kufijve dhe me bindjen se edhe ata që nuk përmbahen fare në mallkimet që lëshojnë, e kuptojnë se masa ekstreme e ndalimit për t'u kthyer në këtë fazë, diktohet nga interesi jetik i mbrojtjes së shëndetit të popullit shqiptar, u lutem të gjithëve të bëjnë edhe pak durim

Luftrat nuk vijnë për të sjellë as gëzime, as qetësi, as ekonomi, po sjellin plagë, dhimbje, stërmundim dhe nëse sot nuk kemi qindra të vdekur, mijëra të plagosur nëpër spitale e një re të zezë mbi kokat tona, si shumë vende më të mëdha e më të zhvilluara se Shqipëria, kjo nuk ka

Ardhur nga qielli, po falë pikërisht masave të forta që kemi marrë dhe sakrificës së përditshme të secilit prej nesh!

Ne nuk mund ta humbim këtë luftë, e nuk do ta humbim këtë luftë, sepse ne nuk jemi pasardhësit e heronjve, dëshmorëve e luftëtarëve shqiptarë në shekuj, vetëm kur kemi festa e kur këndojmë këngë për ta, po edhe kur duhet të bëjmë detyrën tonë ndaj atdheut, popullit, njëri - tjetrit, SOT MË SHUMË SE KURRË, si njëAtdhe  njëFamilje", shkruan Rama.