Shqipëria është gati. Gati të reformohet. Pyetja e vërtetë është nëse Europa është gati? Gati të përfundojë punën ende të pakryer të historisë së vet. Gati të ribashkojë gjeografinë e saj me imagjinatën e saj strategjike”. Kryeministri Edi Rama i kërkon Bashkimit Europian të guxojë dhe të vendosë në tryezën e saj si anëtare Shqipërinë, fillimisht pa të drejtë vetoje, duke përsëritur se integrimi nuk duhet të ngelë peng i një pritjeje të gjatë që varet nga ankthet e shteteve anëtare.

“Kam qenë ndër zërat e parë nga rajoni ynë që kam mbrojtur përfitimet e shumta të integrimit gradual, por integrimi gradual nuk mund të kthehet në shtyrje pa fund, as një tjetër paradhomë pritjeje. Na futni në arkitekturën strategjike të Europës tani. Na jepni vend në tryezë, para se të na jepni veto. Na jepni pjesëmarrje, para se të na jepni komisionerë.

Na jepni përgjegjësi, para se të na jepni ornamente institucionale. Dhe më tej, hap pas hapi, na futni në Bashkimin Energjetik. Në Bashkimin Digjital. Në kornizat e përbashkëta të sigurisë. Në instrumentet e përbashkëta financiare. Në zinxhirët e përbashkët të furnizimit sepse Europa nuk mund të flasë seriozisht për autonomi strategjike, ndërkohë që mban një vakum strategjik në qendër të saj dhe të mbajë një plagë të hapur në skajin e vet lindor”, tha Rama.

Nga Berlini, kreu i qeverisë evidentoi se Shqipëria ka përparuar duke hapur kapitujt negociues më shpejt se çdo vend kandidat në historinë e zgjerimit.

“Ne po përparojmë me vendosmëri të zjarrtë. Objektivi ynë është i qartë. T’i përmbyllim negociatat deri në vitin 2027, diçka që e kemi diskutuar e për të cilën kemi rënë dakord me Komisionin Evropian. Të bëhemi anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian përpara fundit të kësaj dekade”, tha Rama.

Dhe jo vetëm zgjerimi. Kreu i qeverisë thotë se Bashkimi Evropian duhet të fokusohet edhe te novacioni teknologjik. Duke sjellë shembullin e Zvërnecit, që ka nxitur protesta në vend, Rama thotë se shoqëria po përballet me sfidën e dezinformimit, edhe për një projekt, që siç thotë ai ka rëndësi edhe për vetë Evropën.

“E përmend këtë jo sepse vetë projekti ka rëndësi për Europën. Një propozim për zhvillim turistik në bregdetin e Shqipërisë u befas qendra e një stuhie digjitale ndërkombëtare. Katastrofa mjedisore u paraqit si fakt i provuar. Korrupsioni u shpall i vërtetuar përpara se të ekzistonte ndonjë provë. Teoritë konspirative u shumëfishuan orë pas ore. Pretendimet u bënë tituj. Titujt u bënë të vërteta. Të vërtetat u bënë dogma dhe kushdo që kërkonte prova trajtohej si i dyshuar”, tha Rama.

Në konferencën vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, kreu i qeverisë tha se ndërkohë, Shqipëria po zbaton një nga transformimet më të mëdha digjitale në Evropë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:56
Berlin/ Rama takon ministren e Ekonomisë dhe Energjisë: Në fokus forcimi i mëtejshëm i partneritetit Shqipëri-Gjermani

1781715612_rama12sd.webp

Nga Berlini, ku ndodhet në një vizitë me ftesë të komunitetit gjerman të biznesit, kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Ministren Federale të Çështjeve Ekonomike dhe Energjisë së Gjermanisë, Katherina Reiche.

“Berlin, Gjermani. Në kuadrin e vizitës me ftesë të komunitetit gjerman të biznesit, ishte edhe takimi me Ministren Federale të Çështjeve Ekonomike dhe Energjisë së Gjermanisë, Katherina Reiche, ku në fokus ishte forcimi i mëtejshëm i partneritetit ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si edhe qasja e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor si një horizont i ri investimesh për sipërmarrjet europiane”, shkruan Rama.