Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Forumi Ekonomik i Delfit në Greqi se Shqipëria i ka pranuar anëtarët e opozitës iraniane në Shqipëri, për arsye humanitare dhe jo për të bërë opozitën politike të Teheranit.
Rama tha se njësoj si iranianët, Shqipëria ka strehuar edhe anëtarë të komuniteteve të tjera, si afganët, apo edhe hebrenjtë e italianët më herët.
“Ne kemi një histori, pra duhet t’i thërrasim historisë. Kemi një histori mikpritjeje, që duam ta ruajmë e ta ushqejmë. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që i dha fund luftës së Dytë botërore me më shumë hebrenj sesa ishin para se të ishte kjo luftë. Dhe nuk ka shifra të dhëna për asnjë hebre të dorëzuar nazistëve. Ne kemi mbrojtur edhe 25 mijë italianë, pjesë e ushtrisë pushtuese kur Italia kapitulloi. Pritëm afganët, pasi ndodhi ai largim nga Kabuli në një mënyrë të turpshme. Ne hapëm dyert me mijëra afganë që askush në Europë nuk i donte. Sa për iranianët na u kërkua të merrnim në konsideratë, t’i sillmin aty jo për ta përdorur Shqipërinë si një platformë për opozitën politike, por për arsye humanitare, sepse ndodheshin në kampin Liria në Irak dhe sulmoheshin gjatë gjithë kohës nga vrasësit e Teheranit. Po, i kemi aty prej vitesh dhe u kemi shpëtuar jetën. Mendoj se do të ketë një konsideratë për ta futur Shqipërinë në parajsë, nëse rrëfejmë të gjitha këto histori kur kemi shpëtuar jetë”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
Rama në Forumin Ekonomik të Delfit: Ballkani Perëndimor është në kohën më të mirë! Çështja e pronave, vëmendje e posaçme për pakicën greke










