Rama nga Luksemburgu: Lidhjen e vetme çift Shqipëria e ka me BE, gjithë të tjerat na janë imponuar

Rama nga Luksemburgu: Lidhjen e vetme çift Shqipëria e ka me BE, gjithë të tjerat na janë imponuar

Kryeministri Edi Rama

Në përmbyllje të agjendës në Luksemburg, kryeministri Edi Rama është shprehur se vendin e pret një rrugë e gjatë dhe me pengesa për të ecura para me integrimin, por se tashmë hapat kryesorë janë hedhur me nisjen e negocimeve për 5 grupkapitujt themelore. 

Në një intervistë për RTSH kryeministri tha se “kemi përpara një mal për të ngjitur”, ndërsa shtoi se ambicia dhe synimi është që kjo të ndodh brenda vitit 2030.

Lidhur me ndarjen e rrugëtimit drejt BE nga Maqedonia e Veriut, kryeministri Rama u shpreh se lidhjen të vetme çift Shqipëria e ka me BE, ndërsa të gjitha lidhjet e tjera kanë qenë të imponuara.

“Maqedonia e Veriut ka qenë shumë përpara nesh edhe tani neve jemi, konsiderohemi përpara gjithë të tjerëve. Kjo është një korsi individuale e çdo vendi dhe nuk jemi të lidhur në çift me askënd përgjithmonë”, tha Rama.

Për sa i përket rolit të opozitës në këtë rrugëtim të rëndësishëm për Shqipërinë, kryeministri Rama u shpreh se nuk mund të flasë në emër të saj, por dha mesazhin se politika nuk i ka më duart në drejtësinë e re.

Intervista e plotë e kryeministrit Edi Rama

Kryeministër kemi gati dy vite që diskutojmë për negociatat, çelje negociatash. Kjo u zyrtarizua sot, le të themi... çfarë do të thotë për Shqipërinë?

Jo. Faktikisht ne i kemi çelur negociatat, kemi çelur fazën e parë të procesit të screening, të gjithë organizimin po themi institucional të Shqipërisë, diagnozës dhe tani kemi çelur negocimin, pra jemi në momentin kur kemi hapur kapitullin e “Themeloreve”, grupkapitullin e “themeloreve” me pesë kapituj dhe tri kritere, që do të thotë, futja tani në thellësinë e negocimit.

Ju thatë që keni një plan për këtë rrugëtim, kur parashikohet të përmbyllet ky dhe kur do të jetë etapa tjetër, çelja e grup kapitujve të tjerë, kur do të parashikohet të paktën?

Ne kemi një plan shumë ambicioz, sepse ne duam që Shqipëria të jetë gati dhe të ketë përmbushur të gjitha objektivat dhe të ketë goditur të gjitha shënjestrat, që ka procesi përpara vitit 2030 dhe në vitin 2030 maksimumi po themi, ne të jemi gati për Bashkimin Europian. Plani nuk është një plan se kemi ne dëshirë të kemi një plan. Është një plan i përpunuar dhe i dakordësuar me komisionin duke menduar që brenda mandatit të katërt puna të jetë përmbyllur dhe Shqipëria të konsiderohet një vend me detyra të kryera.

Ne këtë rrugëtim e nisëm së bashku me Maqedoninë e Veriut. Si ishte? Çfarë fryme përcollën miqtë tanë të Maqedonisë së Veriut gjatë punimeve të sotme dhe a ka ndonjë qejfmbetje nga ana e tyre?

Shqipëria në këtë rrugë ka hyrë vetë dhe pastaj është gjendur mbrapa, pak më përpara pastaj shumë mbrapa, pastaj është gjendur në shoqëri të dikujt, pastaj në shoqëri të dikujt tjetër. Ndërkohë që Maqedonia e atëhershme dhe kjo e Veriut që është e njëjta gjë, po ka një emër tjetër, ka qenë shumë përpara nesh dhe tani neve jemi, konsiderohemi përpara gjithë të tjerëve, ndërkohë që deri dje konsideroheshim, kur ne e nisëm ishim prapa të gjithëve, pastaj filluam t’i afroheshim, por të tjerët ishin përpara. Kjo është një korsi individuale e çdo vendi dhe nuk jemi të lidhur në çift me askënd përgjithmonë, sepse ka vetëm një lidhje në çift që shqiptarët kanë vendosur vetë që ta bëjnë dhe është lidhja me Bashkimin Europian, ndërkohë që të gjitha lidhjet e tjera në çift që kemi jetuar në shekuj kanë qenë lidhje të imponuara.

Shqipëria ka tashmë një staf negociuesish të mirë, të konsoliduar do të ketë të themi zgjerim duke qenë se ka nisur një proces që është shumë i rëndësishëm e ambicioz dhe a shikoni ju pengesa përgjatë kësaj rruge. Do doja të dija se çfarë prisni në fakt nga opozita për ta mbështetur vendin në këtë proces?

Tani patjetër që kjo është një rrugë me pengesa. Pengesat në radhë të parë janë pengesa që duhet t’i kapërcejmë ne, sepse është një mal i tërë për t’u ngjitur tek ajo maja që unë e përsëris, ku Shqipëria duhet të ngjitet në 2030 në të gjitha aspektet dhe këtu nuk është fjala për ta marrë Shqipërinë për ta sjellë këtu.

Këtu është fjala për ta ndërtuar Evropën atje dhe për ta kthyer Shqipërinë në një vend që funksionon si një anëtar i BE me liri individuale, me rendin ligjor, me demokraci funksionale.

Për sa i përket opozitës unë nuk kam çfarë të them. Ne nuk mund as ta ndalojmë, as ta ndryshojmë, as ta ngadalësojmë dhe as të ndërhyjmë në procesin pa kthim të vendosjes së drejtësisë përmes një sistemi drejtësie të pavarur dhe natyrisht, heqja e duarve të politikës nga drejtësia ka krijuar dhembje, ka krijuar situata me të cilat ne nuk jemi mësuar dhe drejtësia ka goditur majtas dhe djathtas. Me shumë majtas sesa djathtas nëse e marrim në aspektin kuantitativ, por kjo është ajo që kemi kërkuar, kjo është ajo për të cilën kemi luftuar edhe kush nuk do të pranojë vendimet e drejtësisë, është i destinuar t’i bjerë murit me kokë dhe në fund është koka dhe jo muri që do bëjë prapa.

Komisioneri i Zgjerimit, Várhelyi, deklaroi se "ne po ndërtojmë Evropën në Shqipëri". Shqipëria përfiton tani një fond të konsiderueshëm, rreth 1 miliard euro nga plani i investimit i BE. Ku do të investohen këto para?

Nuk është vetëm kjo anë. Kjo është njëra anë, ana tjetër është qe Shqipërisë dhe vendeve të tjera po i jepet akses në tregun e përbashkët evropian dhe po ju jap vetëm një shembull. Shqipëria është më e avancuara në procesin e futjes në zonën e përbashkët evropiane të pagesave, që do të thotë që të gjitha transaksionet e parasë që bëhen nga shqiptarët e Evropës për në Shqipëri, të cilat jashtë kësaj zone dhe në kushtet që jemi, janë shumë më të shtrenjta sesa transaksionet që bëhen në vendet e BE, do të bëhen njësoj si të ishte Shqipëria një vend anëtar i BE. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë miliona e miliona euro të kursyera nga xhepat e shqiptarëve të Evropës ku çojnë para në Shqipëri dhe anasjelltas, kështu që është një kompleks i tërë gjërash për të cilat jam shumë krenar sepse ne kemi qenë zëri i fuqishëm që kemi avokuar prej disa vitesh, një ndryshim në qasje në këtë proces dhe njëkohësisht jam shumë, shumë falënderues Komisionerit Várhelyi sepse ka qenë vërtetë një urë e bekuar mes nesh dhe Komisionit./RTSH

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit