Kreu i PD-së Sali Berisha nga Foltorja që po zhvillon në Elbasan akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka grabitur zgjedhjet e 11 majit.

Ai tha se demokratët janë të pamposhtur, ndërsa theksoi se do të ketë revoltë, deri në fitore.  Berisha deklaroi gjithashtu se e di që në PD ka njerëz të pakënaqur. Ai tha se e di që ka edhe njerëz që kanë kontrata me qeverinë, duke shtuar se PD nuk do të ndalet, deri në rrëzimin e regjimit të Ramës.

“Ne demokratët jemi njerëz të idealeve dhe u ngritëm në vitin 1990 për interesin kombëtar. Ne jemi të pamposhtur. Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Këto vetëm zgjedhje nuk quhen, ishin të vjedhura nga fundi në krye. Zgjedhjet u blenë me para droge. Edi Rama kurrë nuk fitoi zgjedhje, i rrëmbeu me dhunë e me forcë. Unë e kisha thënë me kohë që me Ramën nuk ka zgjedhje, por unë u zotova se do ta mbroj votën. 

E mbrojtëm votën, këtë e bëmë në të gjithë Shqipërinë gjatë periudhës së verës. Jemi në pjesën më kritike të historisë së PD-së. Duhet ta kuptojmë se pa votë të lirë, ne të ardhme nuk kemi. Revoltë, revoltë deri në fitore. Jemi këtu për t’i bërë ballë shkombëtarizimit të vendit. Duhet të mbrojmë vlerat e forta të familjes. Mes nesh ka njerëz të pakënaqur, ka njerëz që kanë kontrata me qeverinë, por kam bindjen se ka mijëra idealistë, që idealin për kombin shqiptar e kanë më të rëndësishëm. Ne nuk do të ndalemi deri në përmbysjen e regjimit të Edi Ramës dhe fitoren e Partisë Demokratike”, deklaroi Berisha. 


Lajmi kryesor:

Foltorja/ Berisha në Elbasan: Duhet të analizojmë problemet e PD-së gjatë zgjedhjeve, por duhet revoltë deri në fitore