50 mijë hektarë troje janë identifikuar si të grabitura ne jug nëpërmjet falsifikimit ët dokumentave. Nga Saranda, shefi i qeverisë Edi Rama siguroi vendasit se nuk do të lejojë që uzurpatorët të vijojnë të mbajnë tituj pronësie. Rama tha se pronarë të tokave në jug janë "ata që solli Berisha nga alpet".

"Sa i përket tokave  mbi 50 mijë ha janë të identifikuara si të grabitura nga persona që figurojnë pronarë dhe që detin Jon e kanë parë për herë të parë pasi fitoi Saliu pushtetin, për herë të parë në historinë e fisit të tyre. (...) Çfarë gjetëm ne?! Një breg jonian nga Llogaraja deri në kufi këtu me fqinjët tanë, me ndërtime pa leje. Mirë pa leje, se dhe stërgjyshërit tanë nuk morën leje gjëkundi, por të shëmtuara deri në pikën ku nuk mund të thuhet. Se çdonjëri nga këta ndërtuesit pa leje, - jo nga ata që i importoi Saliu nga Alpet, që i bëri pronarë në Jon, s’flas për ata, - flas për ata që kanë qenë këtu, stërnipërit e atyre që ndërtuan Dhërmiun, që ndërtuan Vunoin, që ndërtuan Himarën, që ndërtuan Qeparoin e vjetër, që ndërtuan Borshin, që ndërtuan edhe Sarandën, si ka mundësi?! Stërgjyshërit bënë fshatra që janë sot trashëgimi kulturore shqiptare dhe që janë estetikisht të shkëlqyera dhe që çdo turist do të ëndërronte të vinte të kalonte pushimet nëse do të ishin të trajtuara dhe të pajisur për turizëm.

Menjëherë pas deklaratave të kryesocialistit ka reaguar edhe demokrati Basha i cili ka ftuar të gjithë shqiptarët gegë e toskë të ngrihen për të gjetur një zgjidhje.

“Ky që i le ata të vetevriten e të vdesin së ftohti për 3 mijë lekë por deputetët e tij kriminelë e kusare i blaton perditë me tendera, konçesione, laguna, naftë, krom, kontrabandë cigaresh dhe emerime të paligjshme, ky pra kujton se do të gjeje shpëtim duke i fryrë përçarjes e dasisë. Ngrihuni toskë e ngrihuni gegë, ngrihuni shqiptarë ti tregojmë vendin.”-shkruan Basha
 
Deklarata e kryeministrit erdhi gjatë ndalesës në Sarandë në kuadër të turit “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”. Kreu i qeverisë foli për projekte konkrete për zonën dhe kryesisht në rrjetin energjitik.

Kryeministri theksoi se reformat sado të dhimshme synojnë të hedhin bazat e shtetit, i cili nuk mund të rrëzohet me revolucion.

Më herët, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, premtoi se në janarin e vitit të ardhshëm do të inaugurohet unaza energjitike e jugut, me anë të së cilës do të zgjidhet problemi i furnizimit me energji në këtë zonë.

“Sektori energjitik ishte në buzë të humnerës. Nuk them se për dy vjet janë bërë mrekullira, por gjërat po ndihen për shkak të punës së mirë. Në janar do të inaugurojmë unazën energjitike të jugut dhe nuk do të ketë më probleme me furnizimin me energji në këtë zonë. Ndërsa në vitin 2016 do të pajisen të gjithë me matësa për të zhdukur faturimin aforfe”, premtoi Gjiknuri.

Rama foli dhe për reformën në hipoteka, të cilat nuk do të ngjasojnë më si zyra torture.

Fjala e plotë e Kryeministrit Rama

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)