Kryeministri Edi Rama nga Lezha komentoi akuzat që Partia Demokratike ka lëshuar në drejtim të tij dhe Partisë Socialiste. Rama tha se pavarësisht të thënave nga opozita, shumë prej të cilave i janë drejtuar dhe familjarëve e fëmijëve, as vetë ai dhe as anëtarë të PS nuk kanë zgjedhur rrugën e hakmarrjes, por atë të qytetarisë evropiane.
“Socialistët që nuk iu bashkuan dhunës, piramidave dhe shkatërrimeve dhe nuk mishëruan një pushtet familjar mbi të tjerët, i bashkon diçka që është Europa në zemër dhe të qenit europian në mendje. Pikërisht pse ne jemi të tillë, jo vetëm nuk ua kemi kthyer kusurin të tjerëve me të njëjtat mjete, nuk kemi kërkuar rrugët e hakmarrjes, por kemi pranuar baltën që na ka sjellë çdo ditë fortuna që është ngritur kundër nesh. Baltë ndaj familjes sonë, ndaj fëmijëve tanë.
Keni parë ndonjëherë që tu kthehemi atyre duke përdorur librin e tyre të shtëpisë? Asnjëherë. Nuk kanë lënë gjë pa thënë pa familjen time, për fëmijët e mi, për të vdekurit në shtëpinë time, por kurrë nuk do dëgjoni që unë të flas për familjet e tij dhe të tyre dhe për të vdekurit në shtëpinë e tyre sepse kjo nuk është europiane, kjo nuk është njerëzore. Në fund është njerëzillëku që ndan PS-në me forcat e tjera politike”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
35-vjetori i PS/ Rama në Lezhë: Jemi forcë ndërtuese, jo shkatërruese! ADN jonë është interesi kombëtar, s’e përdorim pushtetin për hakmarrje politike (VIDEO)









