Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Michigan, vuri në dukje edhe kontributin e emigrantëve shqiptarë.

“Kur e nisëm rrugën e takimeve me diasporën, ishte nëntori 2016 në Tiranë dhe ishte një rrugë që asokohe e diskutuam dhe e ndamë së bashku me Hashim Thaçin. Gjërat atëherë ishin ndryshe dhe ai ishte i pari kuvend gjithëshqiptar ku ne shkuam me emocion dhe me pak mjete për ta kthyer atë ndjenjë pozitive në një punë të përbashkët. Diaspora e djeshme ishte një det i madh energjie, një det i hapur pa kufij dhe pa port për të ankoruar kontributet, mundësitë, dëshirat e njerëzve tanë jashtë Shqipërisë.

Lidhja e diasporës me Shqipërinë u përmblodh për shumë vite në kontribute financiare dhe ato dërgesa mbajtën në këmbë Shqipërinë në vitet e vështira të kalimit nga koha kur shqiptarët jetonin me idenë se ka dhe më keq, në kohën e sotme që jetojnë me idenë se ka dhe më mirë. Ju dërgonit shkollën e fëmijëve, ilaçet e prindërve, tjegullat e çatisë, kapitalin e parë të një biznesi të vogël e pastaj rritej. Ju dërgonit shpresën në kushtet e mbijetesës. Ka një shifër që është reale: 90% e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën 1 herë nga dërgesat e diasporës. 9/10 e familjeve shqiptare janë shëruar, kanë ngritur çati falë diasporës”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama me shqiptarët në Michigan: Nis zbatimi i Strategjisë së Diasporës 2030! Mesazh Kosovës për verdiktin e Hagës: Refuzoni 'varrosjen për së gjalli' të krerëve të UÇK