Rama e Veliaj kafe me banorët e Njësisë 3: T’i hapim rrugë zhvillimit, më shumë punë në mandatin e dytë (VIDEO)

Dita e punës nisi ndryshe sot për kryeministrin Edi Rama dhe kandidatin e PS për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon besimin e qytetarëve për një mandat të dytë si kryebashkiak, për të vijuar projektet transformuese për kryeqytetin.

Ata zgjodhën që kafen e mëngjesit ta pijnë me banorë të zonës së Brrylit, me të cilët bashkëbiseduan për një sërë projektesh të rëndësishme, të cilat do të vijojnë edhe në 4-vjeçarin e ardhshëm, si edhe rasti i projektit të "Unazës së Re". Kryeministri Rama tha se nuk ka rrugë tjetër përveç zhvillimit të zonës, ndërsa Veliaj sqaroi planin që do të zbatohet në vazhdim.

Në këtë takim është folur edhe në lidhje me shpronësimet tek ASTIR-i. Kryeministri u shpreh se pjesa e banorëve që kanë mbetur aty dhe që kundërshtojnë janë manipuluar.

"Pjesa e mbetur aty është pjesë e manipuluar, e abuzuar komplet, se edhe partiake, partiake, po prapë njerëzit logjikojnë për interesin e tyre. Po avash-avash do sqarohen dhe ata se s’kanë dalë fare..., protestojnë kundër vetes së vet. Pjesa më e madhe që dalin aty s’janë fare të zonës. Në përgjithësi aty s’ka asnjeri përveç atyre që janë të organizuar nga bashkitë e tyre, nga punonjës, pastaj një pjesë e vogël ... [nuk dëgjohet] Se për çfarë do dalë, qoftë edhe një qytetar super demokrat, me mend në kokë, për çfarë do shkojë atje? Se tani është bërë që ha dru dhe nga ata vetë, një skandal i madh" ka thënë Rama.


Ndërsa lidhur me investimet në zonë, Kryeministri Rama nënvizoi: "Investimet e infrastrukturës nuk bëhen sot për sot. Nuk mund të bësh një investim, duke sakrifikuar të ardhmen, për diçka që mund të jetë shumë e rëndësishme patjetër, por sidoqoftë është raporti 5 shtëpi me 50 vjet nesër, për të gjithë komunitetin. Por gjëja që është e sigurt është që në rastet kur janë prona me letra, ato absolutisht trajtohen ligjërisht dhe tjetra që është e sigurt është që në vend që të rrinë dhe të shohin nga qielli, njerëzit të bashkohen bashkë e të ndërtojnë dhe marrin përqindje mbi ndërtimin si gjithë pronarët e tjerë dhe dalin më të fituar se janë sot me atë që kanë. Eksperienca tek Unaza e Re e tregon shumë qartë këtë që është avantazh. Tjetër gjë pastaj që funksionojnë gjithë këto metodat e nxitjes së frikës, e nxitjes së pasigurisë, hajde dilni, mbroni shtëpitë tuaja, ndërkohë që nuk ka një rrugë tjetër. Duhet me i hap rrugë zhvillimit, por paralelisht mjafton pak bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe njerëzit fitojnë. Ti mund t’i kesh të gjitha letrat, por, nëse aty figuron që jeton dikush, ti duhet të sjellësh kontratën, lejen që i ke dhënë atij, për sa vjet do ndërtohet. Ai do shkojë të banojë e ti do i paguash qiranë. Pastaj kur mbaron ndërtimi ti do i japësh pjesën që i takon. Këtu, kudo e në gjithë botën zhurmën e bën lajmi i keq por faktikisht, të tilla leje që jepen, ka njerëz që sistemohen, por nuk bëhet lajm dhe janë në rregull. Zhurmën e bën lajmi i keq, ndodh një rast për një arsye apo një tjetër, që edhe manipulohen dhe nxiten, por, në fakt, e vërteta është që me të përditshmen e vet, bashkia, jo në Tiranë, por kudo i jep në këtë bazë. Nuk ka njerëz që janë në shtëpi dhe i nxjerrin jashtë. Edhe ajo historia që u bë atje, që u bë gjithë ai skandal i madh me përmbarimin, kompania kishte dhënë kontratën dhe prandaj fitoi dhe gjyqin."

Nga ana tjetër Veliaj siguroi se askush nuk do të ngelet pa strehë, ndërsa sqaroi se shumë prej banorëve po pranojnë propozimin e bashkisë për t’u zhvendosur në banesa sociale. Duke u ndalur në investimet e shumta që janë realizuar në këtë zonë, si rikonstruksioni i çerdheve, kopshteve, rehabilitimi i disa blloqeve të ndërtimit, këndet e lojërave, Veliaj theksoi se më e mira është përpara dhe se puna do të vijojë më tej në mandatin e dytë.

Pista të reja biçikletash që do të nisin nga Shkoza dhe do të përfundojnë te Pallati me Shigjeta, impiantet në Kashar si dhe shtimi i parkimeve në kryeqytet, këto janë disa nga projektet të cilat do të vijojnë edhe në mandatin e dytë. “Pista e biçikletave do fillojë në Shkozë dhe do mbarojë te Pallati me shigjeta, e cila do të jetë një korsi preferenciale për qytetarët. Rregulluam trotuaret për këmbësorët, ndërkohë që puna do të vijojë edhe korsitë e biçikletave”, tha Veliaj.

Zgjidhje do të marrë edhe çështja e parkimit në këtë zonë. Veliaj theksoi se falë investimit të Bashkisë së Tiranës për parkun e ri “7 Xhuxhat”, përveç këndit të ri të lodrave, poshtë tij ndodhet edhe parkingu i ri me 200 vende. “Në Tiranë sot 50% e njerëzve ecin në këmbë, 30% ecin me autobus ose me biçikletë dhe vetëm 20% me makinë. Kështu që, edhe këto investime duhet t’i çojmë në këto proporcione” tha ai. 

Më pas, kryebashkiaku Veliaj zhvilloi një sërë takimesh me qytetarët dhe pronarët e bizneseve të vogla në zonën e Brrylit, ku bisedoi rreth punës që është bërë në këto katër vite dhe asaj që e pret kryeqytetin në katër vitet e ardhshme

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • aaa: 05/06/2019 12:13

    Ku jane banoret aty se spo shof asnje banor.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen