Gjuhë që i shkon për shtat një partie politike dhe jo atyre që duhet të jenë garantët e një drejtësie të paanshme e cilësoi kryeministri Edi Rama reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve ndaj deklaratave të bëra më herët nga shefi i qeverisë kundër kërkesës së tyre në Kushtetuese për të rritur pagat e magjistratëve.

Sipas kreut të qeverisë, ata u shfaqën si parti politike ndaj dhe mund të regjistrohen si të tillë, pasi kanë sulmuar publikisht edhe qeverinë. Rama shtoi se me kërkesën e tyre, gjyqtarët po kërkojnë të ndërhyjnë në ligjin e pagave. Po ashtu, shtoi ai, Shoqata e Gjyqtarëve arriti në pikën që të sulmonte publikisht qeverinë dhe kryeministrin.

“Shoqata e gjyqtarëve shfaqet publikisht si një parti politike, me një gjuhë të papranueshme dhe të pajustifikueshme për të ata të cilët përfaqësojnë pushtetin gjyqësor, pra përfaqësojnë një pushtet, i cili arbitron dhe jo një arbitër, i cili thotë ‘’bilbili është i imi, topi është i imi, penalltinë do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të rrijë pa portier’’, tha Rama. 

Akuzave të shoqatës së gjyqtarëve, se kreu i qeverisë ka nisur një fushatë kundër tyre përmes një tymnaje populiste dhe përbaltje kryeministrore iu përgjigj kështu. 

"Të gjithë e dinë se çfarë është një fushatë dhe çfarë është një fushatë kur e udhëheq unë, së bashku me gjithë shokët dhe shoqet e ‘’armëve’’ të Partisë Socialiste, një uragan që merr përpara kë t’i dalë përpara, kur është fjala për një betejë politike, por kjo nuk është një betejë politike. Cilën furi populiste dhe cila e nxitur dita-ditës? Apo është miza nën kësulë që nuk po funksionon plani i kalimit pa mendje të 37 milionë eurove plus, të rritjes së pagave mujore me 2000 e 3000 euro në muaj", tha Rama. 

Rama thotë se gjyqtarët duan t’i imponohen sistemit të pagave, kompetencë tërësisht e parlamentit dhe qeverisë dhe kjo sipas tij, vjen për shkak të arrogancës së përdorjes së një pushteti të pavarur.

“Është e papranueshme dhe është e pagëlltitshme për t’iu imponuar Parlamentit dhe qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes, gjyqtarët me gjyq. Keni një arrogancë të një pushteti që ju e trajtoni si një pushtet të pakufizuar, si pushtet të pakontrolluar”, vijoi kryeministri. 

Argumentet e tyre për rritje progresive të pagës thotë se nuk qëndron, njëjtë si pretendimi se paga u është ulur.

"Neni 138 i Kushtetutës, të cilit i referoheni ju dhe e lexoni ju si garanci, që ju mund t’ia rrisni pagën vetes progresivisht, nuk ka absolutisht as këtë frymë e as këtë germë.  Neni 138 i Kushtetutës parandalon vetëm një gjë; uljen e pagës, prekjen e asaj që është një e drejtë e fituar dhe këtë as e kemi bërë dhe as kemi për ta bërë kurrë", theksoi shefi i qeverisë.

Edhe te kërkesa e togave të zeza kërkojnë që rritja e pagave t’u llogariten në bazë të pagës së drejtorit të departamentit në Kryeministri, Rama gjen pasaktësi:

"Nuk ka fare një pozicion të tillë, Merrni, shikoni gjithë organigramën e Këshillit të Ministrave dhe mos flisni dokrra në sytë e popullit shqiptar se gjithë këto dokrra varen fate njerëzish",vijon Kryeministri. 

Madje, ai thotë se Shoqatat e Gjyqtarëve as nuk duhet të ishin legjitimuar në kushtetuese pasi ato nuk i paguajnë shtetit as detyrimet financiare:

"Ju jeni fillimisht të paligjshëm si shoqata. Shko në Gjykatë Kushtetuese për të fituar para, për të rritur të ardhurat tuaja dhe shoqata e unionit, kjo që ka bërë gjithë këtë paçavure, është e pezulluar nga Qendra Kombëtare e Bizneseve, aty ku regjistrohen se nuk keni paguar detyrimet tatimore dhe nuk keni paguar kontributet shoqërore. Ndërsa shoqata tjetër, s’ishte fare e regjistruar në Qendrën Kombëtare, as te Tatimet", vijoi Rama. 

Një ditë më herët gjyqtarët përmes një reagimi publik e akuzuar Kryeministrin që ka krijuar një “tymnajë populiste me qëllim linçimin e tyre”. Reagimi i Shoqatës me tone të ashpra ndaj kreut të qeverisë, etiketohen si “përbaltje kryeministrore, publike, tërësisht histerike, që synon të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje dhe proces kushtetues.

Gjykata Kushtetuese, pasi e shqyrtoi më 20 janar në seancë plenare të hapur, pritet nga dita në ditë të japë vendimin nëse do të pranojë një kërkesë të shoqatave të gjyqtarëve për përcaktimin e pagës së tyre. Aktualisht paga bazë e tyre llogaritet sa 36% e asaj të Presidentit të Republikës. Togat e zeza kërkojnë që rrogat t’u llogariten në bazë të pagës së drejtorit të departamentit në Kryeministri ose sa rreth 54% e rrogës së kreut të shtetit. Si pasojë e formulës që llogarit pagat në sistemit të drejtësisë, nëse kërkesa do t’u pranohej rritja do të ishte e konsiderueshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:18
'Jeni arrogantë', Rama për shoqatat e gjyqtarëve: Nuk paguani detyrimet tatimore dhe kontributet shoqërore (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama thotë se Shoqata e Unionit të Gjyqtarëve është e pezulluar nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), sepse nuk kanë paguar detyrimet tatimore dhe kontributet shoqërore. Rama nënvizoi se Shoqata e Gjyqtarëve nuk ishte regjistruar në QKB.

Sipas tij, gjyqtarët po sillen si arrogantë dhe e trajtojnë pushtetin e tyre si të pakufizuar dhe pakontrollueshëm.

“Shoqata e Unionit, është e pezulluar nga QKB, se nuk keni paguar detyrimet tatimore dhe nuk keni paguar kontributet shoqërore. Ndërsa Shoqata tjetër nuk ishte regjistruar në QKB, as te tatimet, sipas detyrimit, i ka ligji këto detyrime. Praktikisht duhet të ishte e çregjistruar. Gjykata Kushtetuese nuk i mori në konsideratë këto, ju nuk duhet të merreni në referencë, sepse nuk jeni të përputhje me ligjin. Unë nuk mendoj që ju nuk keni problem të regjistroheni, të keni nipt, të paguani tatime. Unë mendoj se ju jeni arrogantë, keni arrogancëtë një pushteti, që ju e trajtoni si pushtet të pakufizuar, të pakontrollueshëm. Unë jam palë dhe flas në emër të një pale, ju nuk jeni pale dhe nuk mund të flisni si pale. Ju nuk mund t’i trajtoni të tjerët si pale që i vini në shënjestër, që keni dhe gurin, dhe .. por jo për të rritur pagat tuaja.” u shpreh Rama.

Ora 09:13
Kërkesa e gjyqtarëve për rritje pagash, Rama: Po kërkoni të ndërhyni në politikën e pagave, nuk mund ta keni ju këtë epërsi

Kryeministri Edi Rama thotë se me kërkesën për rritje page, gjyqtarët po kërkojnë të ndërhyjnë në politikën e pagave.

"Ju thoni që kundërvënia e kësaj qëndrese, cila është kjo kundërvënie? Nuk mund ta keni ju këtë epërsi. I është dhënë epërsi Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme për shkak të funksonit që krijojnë, kanë mision strategjik për transforimin e shtetit shqiptar. Ata gjenden edhe në situate rreziku, për shkak se përballen edhe me grupe kriminale. Ju si e keni hallin? Nuk rriten pagat me gjykatë. Pse jeni ju ndryshe nga të tjerët? Pse nuk shkojnë mësuesit, pastruesit në gjykatë? Nuk ndodh kjo në asnjë vend të planetit. Për më tepër, ajo që kërkoni ju, të impononi, është që të ndërhyni në politkën e pagave të Republikës së Shqipërisë. Duhet ta ndalni si polemikë. Të drejtën time si kryeministër, për të mbrojtur interesin publik, nuk ma hiqni ju, askush.", nënvizoi kreu i qeverisë.

Ora 09:09
'Nxirrni një dokument', Rama: Gjyqtarëve nuk u është përkeqësuar gjendja financiare, paguhen sa në Greqi

Kryeministri Edi Rama thotë se gjyqtarëve nuk u është përkeqësuar gjendja financiare e tyre, ndryshe nga sa pretendojnë.

Rama i sfidoi ata publikisht që të nxirrnin dokument për ta vërtetuar këtë gjë.

"Nuk jeni parti politike. Si mund të flisni me këtë gjuhë, si mund të hidhni baltë. Flisni për zbritje fiktive, të bëra nga ana e Këshillit të Ministrave. Flisni dhe për uljen, juve u është përkeqësuar gjendja financiare. Nxirrni një dokument, i keni pagat sa gjykatësit e Greqisë, e doni t’i rrisni me 2-3 mijë euro në muaj. Dhe thoni që u paskeni përkeqësuar gjendjen financiare. Nxirrni një dokument të përkeqësimit të sistemit financiar. Ju e shikoni ndryshimin e madh që ka ndodhur. Ju jeni totalisht të anshëm, duhet ta shihni te vetja.", tha Rama.

Ora 08:52
Rama: Gjyqtarët kërkojnë rritje page edhe për ata që i hoqi vettingu për pasuri të pajustifikuara

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka kritikuar sërish kërkesën e gjyqtarëve lidhur me çështjen e rritjes së pagave.

Gjatë një komunikimi live kreu i qevrisë nënvizoi se Shoqata e Gjyqtarëve ka kërkuar rritje pagash edhe për gjyqtarët, të cilët janë larguar nga sistemi i drejtësisë përmes procesit të vettingut, për shkak të pasurive të pajustifikuara.

“Ne kemi vendosur në 2016 një rritje të jashtëzakonshme pagash, si shprehje e vullnetit dhe mesazhit të asaj reforme, që ja dhe një sakfricë të taksapaguesve, që ju jeni të drejtë, të pavarur, të paanshëm. Por ama, nga vendimi i 2016 te krijimi i mundësive për të pasur atë fond pagash, duhet kohë. Kur kemi kaluar atë paketë, nuk ishte kjo Shqipëri. Sot është një Shqipëri tjetër. Si mund të jetë kjo me çelës magjik. Ju vazhdoni edhe me një gjë tjetër, habitem si e diskutoni akoma. Ju keni shkuar në Gjykatën Kushtetuese, për t'iu rritur pagat atyre që i ka hequr vettingu, për t’i kërkuar taksapagesve shqiptarë, për të paguar paga më të larta, për ata që i hoqi vettingu, se kishin pasuri të pajustifkuara, për të korruptuarit dhe gjakpirësit e popullit shqiptar, meritonin rritje pagash, njësoj si ata që kaluan vettingun. Ju duhet të jeni të parët që duhet të shqetësoheni për barazinë para ligjit", deklaroi Rama.

Ora 08:49
'Doni të rrisni pagat me 2-3 mijë euro', Rama-gjyqtarëve: Keni sulmuar publikisht qeverinë, duhet të garantoni paanësi

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se gjyqtarët kërkojnë rritje të pagave me 2-3 mijë euro, ndërkohë që ata paguhen sa gjyqtarët në Greqi.

Sipas kreut të qeverisë, ata kanë sulmuar publikisht qeverinë, kur në fakt duhet të garantojnë paanësi.

“Pagat tuaja janë paga më të larta, goxha më të larta se në rajon dhe të barabarta me një vend të BE siç është Greqia. Ju doni të rrisni me nga 2-3 mijë euro dhe në emër të çfarë? Nuk ka ligj dhe kushtetutë që ju jep këtë të drejtë. Për cilën përbaltje e keni fjalë? Si guxoni ju të vendosni etiketime të tilla? Palë në gjyq jemi të gjithë, përveç jush, duhet të garantoni ligjin për të gjithë. Me këtë tentativë, ju doni të jeni ligji. Si sulmoni publikisht qeverinë, kreun e Këshillit të Ministrave, mediat dhe t’i akuzoni për histeri? Jam shumë i axhetuar se 37 milionë euro nga buxheti i shtetit, duhet të hiqen nga diku tjetër. Ju jepni gjykime politike, a thua se qeveria është palë tjetër në aspektin politik. Ju duhet të garantoni pavarësi dhe paanësi. Ju kërkoni t’i rrisni pagat vetes me gjyq. Kurrë nuk e keni pasur më parë këtë pushtet. Ky është vullneti im, ashtu sikundër edhe pagat që keni sot", theksoi ai.

Ora 08:46
Pagat e gjyqtarëve, Rama: U shfaqën si parti politike, me gjuhë të papranueshme

Kreu i qeverisë i qëndron mendimit se iniciativa e Shoqatës së Gjyqëtarëve për të rritur vetë pagën është një përpjekje e pajustifikueshme dhe  e papranueshme.

“Është hera e dytë që ndodh që ka një habi shoqëruar me një përpjekje për të më mbyllur gojën, kur në fakt unë flas në emër të çka përfaqësoj me votën e shqiptarëve në mbrojtje të interesi me të cilin jemi në gjyq, pra jemi palë.

Befas shoqata e gjyqtarëve shfaqet si parti politike me një gjuhë të papranueshme për ata që përfaqësojnë pushtetin gjyqësor, pra përfaqësojnë një pushtet, i cili arbitron dhe jo një arbitër i cili thotë bilbili është i imi, topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të rrijë pa portier”, tha Rama.

Ora 08:42
'Tymnajë populiste, kërkoni 37 mln euro të tjera nga buxheti i shtetit', Rama për gjyqtarët: Regjistrohuni si parti politike dhe bëni luftën e plotë (VIDEO)

Tymnajë populiste e ka cilësuar kryeministri Edi Rama kërkesën e gjyqtarëve për rritjen e pagave. Rama shtoi se Shoqata e Gjyqtarëve mund të regjistrohet si parti politike, pasi po bëjnë betejë politike me qeverinë.

“Besoj se të gjithë e dinë se çfarë është një fushatë kur e udhëheq unë, bashkë me shokët e shoqet e armëve të PS, një uragan që merr përpara, çfarë të dalë përpara, kjo nuk është betejë politike, ne nuk jemi në asnjë fushatë, nuk kemi qëllim të bëjmë fushatë kundër gjykatësve. Të vetëvendosurit në pozicionin e viktimës, ajo që kjo gjykatë po kërkon është unikale në historinë e Europës. Kjo tymnajë populiste, kush jeni ju, jeni parti politike? Dilni në garë, dilni në platformën tuaj dhe bëni luftën e plotë. Tymnajë populistë e krijuar, për linçimin e gjyqtarëve. Kjo është e vërteta që nuk e luan topi dhe që ta dinë shqiptarët se çfarë kërkoni ju dhe për çfarë jemi ne në gjyq me ju, në Gjykatën Kushtetuese, shqiptarët duhet të dinë që ju kërkoni që për gjyqtarin e Shkallës së Parë, paga të shkojë nga 3360 euro në 5300 euro. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit paga të shkojë nga 3480 që është sot aktualisht, 3480 euro, në 5500 euro. Ju kërkoni që paga në Gjykatën e Lartë të shkojë 5800 euro dhe ju kërkoni që pagat e prokurorëve të SPAK-ut të cilët, edhe një herë tjetër për SPAK-un, e veçoj sepse nuk i është bashkuar dhe respekte, nuk i është bashkuar kësaj përpjekjeje absurde, nuk ka firmosur për të qenë palë në Gjykatën Kushtetuese për ta çuar pagën e vet 9800 euro.", theksoi ai.

R.C/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Meri: 04/02/2026 19:05

    Z.Kryeministër,bëj hapa mbrapa ,dhe rregullo ligjet që i garantojnë liri pa kufi gjyqëtarëve e prokurorēve.

    Përgjigju
  • Mali: 04/02/2026 16:24

    Hahaha, drejtesija e :re" ,me ushtaret e vjeter, skandal eshte pak?!

    Përgjigju
  • Kasem gahinji: 04/02/2026 15:12

    Te dashuri Prokurore dhe gjyqtare. Kerkesa tuaja, reaggimet tuaja ne gjukaten kushtetuese dhe ne publike, vertetojne njollen e "konflikti te interest", qe ju ka zene nga gryka.

    Përgjigju
  • worry: 04/02/2026 12:49

    Do na dale te frigoriferi ky ndonje dite.

    Përgjigju
  • CIMI: 04/02/2026 10:22

    KA ARDHUR KOHA TE KTHEHEN GJYQTARE POPULLORE QE BEJNE PUNE TE NDRYSHME DHE TE PUNOJNE PART TIME SI GJYQTARE

    Përgjigju
  • Qytetari: 04/02/2026 09:51

    Te vetmit qe meritojne rritje page jane prokuroret e Spak dhe Gjyqtaret e Gjkko. Sa per te tjeret e kemi pare se cpo bejne, arrestojne 40 veta per show, u vene gjoba, dhe pastaj bejne gabime teknike ne dosje e procedim dhe dalin te gjithe pa u lagur. Perderisa ska kerkuar Spak le te mos miratohet se edhe ne magjistrature po diplomoheni me miq e me kopje.

    Përgjigju
  • rezi: 04/02/2026 09:38

    Sa do tua bësh rrogën gjyqtarëve përsëri do të vjedhin....

    Përgjigju
  • Populli: 04/02/2026 09:24

    Ngele gjithe diten televizoreve e radiove o lumadh.....ik e bej nej pune ik

    Përgjigju
    • Ilir: 04/02/2026 17:19

      @ Populli, besoj ti po e shkruan komentin nga kafja. Apo jo. Na ve dhe emrin "Populli" pa le. PD-ja nuk eshte popull, por parti antipopull.

  • Sondazhi i ditës: 2 Shkurt, 13:24

    A e mbështesni kërkesën e gjyqtarëve për rritje page?