Ambasadorja e SHBA-ve në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është pritur në Tiranë nga kryeministri Edi Rama.

Siç duket edhe në videon e siguruar nga Report Tv, Rama priti ambasadoren amerikane në Kryeministri, ku kanë zhvilluar një takim miqësor së bashku.

Ajo që e bën edhe më interesante këtë takim është fakti se Guilfoyle nuk konsiderohet thjesht një ambasadore e SHBA-ve në një vend fqinj, por ajo është një nga njerëzit më të besuar të presidentit amerikan Donald Trump.

Media greke e lidh takimin e ambasadores amerikane me kryeministrin Rama, me zhvillimet në sektorin energjetik në rajon.

Energymag” e ka lajmëruar këtë vizitë që disa ditë më parë, pasi në datën 8 mars është publikuar një artikull se ambasadorja do të udhëtonte në Tiranë.

Sipas artikullit të publikuar në median greke, qëllimi i vizitës është mundësia e ndërtimit të një terminali lundrues për gazin e lëngshëm natyror (FSRU) në Shqipëri. Një projekt i tillë do të kishte rëndësi për furnizimin me gaz të rajonit dhe për rolin e vendeve të Ballkanit në rrjetin energjetik evropian.

Raportimi thekson se zhvillimi i infrastrukturës për LNG është kthyer në një çështje strategjike, veçanërisht pas tensioneve në tregjet globale të energjisë dhe përpjekjeve të Evropës për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz.

Media greke vërejnë gjithashtu se diskutimet për një projekt të mundshëm LNG në Shqipëri vijnë në një moment kur Greqia synon të forcojë rolin e saj si qendër rajonale për importin dhe shpërndarjen e gazit, përmes projekteve si terminalet LNG dhe rrjetet e interkoneksionit.

Çfarë është terminali lundrues për gazin e lëngshëm natyror?

Një FSRU (Floating Storage and Regasification Unit) është një terminal lundrues që përdoret për të importuar dhe përpunuar gazin e lëngshëm natyror (LNG). Ai zakonisht është një anije e pajisur me rezervuarë të mëdhenj ku ruhet gazi i lëngshëm që mbërrin me cisterna nga vendet prodhuese. Në këtë platformë gazi ruhet në temperatura shumë të ulëta dhe më pas përmes pajisjeve të posaçme kthehet sërish nga gjendja e lëngshme në gaz.

Pas këtij procesi, gazi dërgohet përmes tubacioneve drejt rrjetit energjetik të vendit ose të rajonit. Terminalet e tilla konsiderohen zgjidhje më të shpejta dhe më fleksibël se ndërtimi i terminaleve të përhershme në tokë dhe përdoren shpesh për të rritur sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar burimet e furnizimit me gaz.