TIRANË- Katër ditë pas dorëheqjes së Mirlinda Karçanajt, kryeministri Edi Rama prezantoi në krye të AKSHI-t drejtorin e ri, Igli Tafa, duke i lënë porosinë e qartë: për të çuar para vizonin për modernizmin dhe dixhitalizimin e të gjitha shërbimeve.

“Igli është tjetër rekruti Shqipërisë dixhitale që ka lënë misione edhe punë të tjera në vende të tjera, dhe ka ardhur të shërbejë në një moment dramatik kur ne u sulmuan na terrori kibernetik. Kapaciteti i tij drejtues, i dikujt që është pjesë e juaj, kupton gjuhën tuaj, na bëri që së bashku me ministren t’i kërkojmë të spostohet brena së njëjtës godinë", u shpreh Edi Rama. 

Shefi i qeverisë vlerësoi kontributin që Mirlinda Karçanaj ka dhënë në krye të këtij institucioni përgjatë 13 viteve, e cila ndodhet në arrest shtëpie në kuadër të hetimeve të SPAK për abuzime me tendera të zhvilluar nga AKSHI. Rama theksoi se në një botë të drejtë, çdo person që është marrë në hetim do duhej të prezumohej i pafajshëm, por ndërkohë në vendin tonë të gjithë anatemohen dhe prezumohen të fajshëm, ndonëse nuk ka ende një vendim nga gjykata. 

“Nëse mbi AKSHI-n ka një hetim, në një botë të drejtë, të gjithë duhet të prezumoheshin të pafajshëm ndërkohë të gjithë prezumohen të fajshëm. Disa prej jush këtu janë ufo, që jetojnë me ekranin e kompjuterit dhe mund të harrojnë të hanë për disa ditë, kur duhet të përballen me këtë brutalitet, me të drejtë ndihen të çorientuar”, theksoi Kryeministri Rama.

Kryeministri Rama shtoi se Karçanaj është përballur me një agresion barbar të portaleve, por duke theksuar se në fund beson se ajo të do të dalë e pastër.

“I pikëlluar për gjithçka ajo që po kalon, në radhë të parë për agresionin barbar të portaleve dhe të rrjeteve të dhunës verbale që e asociojnë me gjëra të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Mirlindën. Edhe në këtë rast unë nuk futem në meritën e çështjes në fjalë, nuk kam dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e atyre kompanive të përfshira në një hetim, por unë kam dijeni për faktin që Mirlinda është një nënë e vetme me 2 fëmijë, ka një karrierë nga më të shkëlqyera në shërbimin publik, kam dijeni për faktin se me të gjithë partnerët. AKSHI ka partnerë të nivelit të lartë, se janë të mëdhenjtë e teknologjisë, Microsoft e me radhë. Kam dëgjuar fjalët me entuziaste dhe mbresat më të jashtëzakonshme për ju, stafin dhe për Mirlinda Karçanaj. I them këto në respekt të një personi për faktin që ndodhet sot në një kalavar, ku unë dua të besoj se do dalë e pastër, por në të gjitha rastet nuk më takon mua ta them këtë gjë, por drejtësisë, por kjo s’do të thotë t’i hidhen poshtë vlerat që ka krijuar dhe revolucionet që ka udhëhequr me ju këtu”, tha Rama.

Nuk mungoi as edhe një mesazh për drejtësinë, për të cilën Rama tha se është në një fazë “revolucioni” për tu transformuar nga një "kalbësirë e gjallë" në një sistem drejtësie të barabartë dhe funksional.

“Jetojmë në një fazë të historisë, ku po ndodh një tjetër revolucion, si ai revolucioni që ju bëni çdo ditë për të transformuar Shqipërinë në shëmbëlltyrë të botës së re dixhitale. Po ndodh edhe një tjetër revolucion, më i egër, më i dhimbshëm, me më shumë plagë me më shumë brutalitet, por i domosdoshëm, revolucioni i transformimit të sistemit të drejtësisë nga një kalbësirë e gjallë, në një sistem drejtësie të drejtë, barabartë dhe funksional. Jemi larg prej kësaj të fundit, por rruga është pakthim, dhe për fat të keq, nëse në botën tuaj virtuale eksperimente bëhen me algoritme, nëse në botën tuaj virtuale dështimet janë ngecje, fikje të programit, në këtë botën e drejtësisë, këto bëhen mbi lëkurën e njerëzve. Nuk është një kompjuter që fiket, është një jetë njeriu që vendoset në pozitë aspak të admirueshme dhe aspak për tu pasur zili”, vijoi Rama.

Njoftoi edhe një partneritet tjetër që Diella dhe Inteligjenca artificiale të shkojnë në një tjetër nivel.

“Nvidia është e gatshme të bëhet partnere me ne për Diellën. Kemi sfida të tjera, sic janë prokurimet me inteligjencën artificiale. Do të jetë model. Aleanca jonë me Microsoft e jashtëzakonshme. Microsoft ju admiron. Nuk duhet të dorëzoheni, sepse çfarë nuk të vret, vetëm të forcon", tha kryeministri. 

Krah ministres Delina Ibrahimaj, Kryeministri Rama premtoi paga më të larta për punonjësit e AKSHI-t, në një kohë kur konkurrenca nga privati në këtë sektor është tepër e lartë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:37
Ibrahimaj: AKSHI shtylla e qeverisjes elektronike, platforma 'e-Albania 2.0' do shtrihet edhe në pushtetin vendor

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, prezantuan drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Igli Tafa. Në fjalën e saj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ibrahimaj, e vuri theksin te roli strategjik i Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në transformimin digjital të vendit.

Ministrja vlerësoi punën e deritanishme të AKSHI-t, duke e cilësuar atë si shtyllën kryesore të qeverisjes elektronike në Shqipëri dhe një histori suksesi në ofrimin e shërbimeve publike online.

“AKSHI përfaqëson një nga institucionet më të rëndësishme për qeverisjen moderne. Arritjet në digjitalizimin e shërbimeve publike janë një krenari për vendin tonë dhe një dëshmi e kapaciteteve profesionale të stafit. Shqipëria sot renditet ndër vendet me nivel të avancuar të ofrimit të shërbimeve elektronike, falë një pune të qëndrueshme dhe vizioni afatgjatë”, u shpreh ministrja.

Duke u ndalur te prioritetet për periudhën në vijim, ajo theksoi se objektivat për vitin 2026 janë ambicioze dhe kërkojnë vijimësi të ritmit të lartë të punës. Fokus i veçantë do të jetë zhvillimi i platformës “e-Albania 2.0”, me shtrirje të plotë edhe në pushtetin vendor, si dhe ofrimi i shërbimeve proaktive të bazuara në ngjarje jetësore, me qëllim reduktimin e procedurave dhe lehtësimin e aksesit për qytetarët dhe bizneset.

Një tjetër prioritet madhor mbetet modernizimi i portalit të prokurimeve publike, si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së transparencës, efikasitetit dhe integritetit në menaxhimin e fondeve publike.

Ora 12:11
Rama: Dikur emri i AKSHI-t nuk thoshte asgjë, sot është gjithçka! Do ju rrisim pagat, vijoni dhe jepni kontributin këtu, është shtëpia juaj

Kryeministri Edi Rama në prezantimin e drejtuesit të ri të AKSHI-t, u bëri me dije punonjësve rritjen e pagave me qëllim që ata të vijojnë të japin kontributin e tyre në atë institucion pavarësisht çështjes së hapur nga SPAK.

“Në këtë evolucion jetojmë një fazë kur nuk është prezumimi i pafajësisë ai që udhëheq veprimtarinë e tyre që duhet ta transferojnë këtë sistem në të drejtë, por është prezumimi i fajësisë, ky është element dramatik. Nëse mbi AKSHI-n ka një hetim, në një botë të drejtë, të gjithë duhet të prezumoheshin të pafajshëm ndërkohë të gjithë prezumohen të fajshëm. Disa prej jush këtu janë ufo, që jetojnë me ekranin e kompjuterit dhe mund të harrojnë të hanë për disa ditë, kur duhet të përballen me këtë brutalitet, me të drejtë ndihen të çorientuar. Dua të them diçka, në fund e drejta del. Ka një kosto, në këto kushte mund të jetë më e lartë, por del. Për ne është e rëndësishme qe AKSHI të vazhdojë punën, të jetë ai fari që orienton të gjithë lëvizjet e anijeve dhe tregon e ku është porti. Dua t’ju inkurajoj për këtë gjë, e di që nuk është ky thelbi, por së bashku me ministren kemi vendosur të ndërhyjmë në legjislacion dhe të bëjmë një rritje te pagave të tuaja, me ju thënë që ju kemi të çmuar, dhe nuk duam që ju ta braktisni këtë shërbim dhe talentin tuaj ta vini në dispozicion të sektorit privat, duam që të besoni që ky është vendi, kjo është shtëpia juaj, jeni ju zot shtëpie ku ia lehtësoni jetën kaq shumë njerëzve.

Ky është një moment për të qenë solidar, për të darë me thikë atë që është një çështje që do të merret drejtësia për tu lutur të gjithë që drejtësia të jetë sa më e drejtë, nga ana tjetër të jem një skuadër që shkon në të njëjtin drejtim dhe që projekton të njëjtat qëllime dhe i gëzohet të njëjtave sukses. Pikëllohem kur dëgjoj histori të njerëzve që kalojnë trauma. Pikëllohem kur dëgjoj që një nën  me një fëmijë 2 muajsh, pasi ka luftuar me kancerin, vendoset përpara dhëmbëve të një fytyrë të verbër, që është verbëria e brutaliteti që humb gjykimin. Duhet të më besoni që nuk ka një rrugë tjetër. Sa vite ka kërkuar ky transformim që keni bërë ju? Lind e ka hapur derën të AKSHI, akshi kishte një emër që nuk i thoshte asgjë askujt. Sot akshi ka përdorues të gjithë shqiptarët dhe në botë përmes e-albania”, tha Rama.

SI.E./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Parku Rinia: 17/02/2026 20:23

    Premtime e rritje rrogash ne stil banditesk, = 'una tantum' ketu ..., e/o 'una tantum' atje, = jo ne menyre te strukturar e te harmonizuar per te gjithe organigramen shteterore !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 15 Shkurt, 14:59

    Rama firmos ndryshimin ligjor që ndalon GJKKO të pezullojë ministrat, jeni dakord?