Llixhat e Bënjës në Përmet mbrëmë ishin teatri i një feste të madhe përmetare thotë Kryeministri Rama, teksa poston pamjet nga vendi destinacion i mijëra turistëve. Efekte
Ky është realiteti deklaron Rama duke e vënë përballë akuzave për shkatërrim dhe betonizim, që sipas Ramës u bë pasi organizatorët e vërtetë të protestës e vunë në shënjestër të histerisë digjitale.
“Ekstremistëve të dukshëm që predikojnë “plumbin tradhëtarëve”, që paguhen për të dirigjuar turmën të këndojë “burg tradhëtarëve”, që bashkë me duart e padukshme të armiqve të Shqipërisë e të kundërshtarëve të përparimit të saj, turrin me furinë e algoritmit lukunira korbash e sorrash virtuale mbi këdo që nuk e do apo e dyshon “Shqipërinë e re” të syve të tyre”, tha Rama.
Duke e krahasuar me Zvërnecin Rama shkruan se ndryshe nga plani për resortin luksoz atje ku ende nuk ka një projekt, zbatimi i investimit të Banjot Termale të Bënjës i ka bërë ato një shëmbëlltyrë të Rilindjes Urbane, ndryshe nga siç pretendohet.
“Por ja, dy pamjet e kundërta, nga njëra anë “Bënja e shkretuar nga hajdutët e tradhtarët”, krijesë e djallëzisë së atyre që prej gati 1 muaji duan ta bëjnë çorap Shqipërinë, duke keqpërdorur ndjenjat, hallet, ndërgjegjen e pastër të shumëkujt që ka sot një arsye për të protestuar dhe nga ana tjetër, Bënja e Rilindur nga pikërisht vizioni, puna e pasioni ynë për Shqipërinë e pakrahasueshme me kur e nisëm këtë rrugë, flasin shumë qartë për këdo që do të shikojë, të dëgjojë, të kuptojë”, tha Rama.
Në fund Kryeministri thotë se kjo është nuk është një luftë mes protestuesve dhe qeverisë, as një luftë mes organizatorëve e financuesve të këtij “revolucioni” dhe atij vetë, por një luftë mes Shqipërisë 2030 në Bashkimin Evropian dhe një “Shqipërie të re” dështakësh, që helmojnë çdo protestues të sinqertë.
Të vendosura rreth 13 kilometra nga qyteti i Përmetit, Banjat e Bënjës janë një nga destinacionet më të njohura natyrore dhe kurative në Shqipëri, ndërsa ditën e fundit në to ka pasur punime për rikualifikimin dhe investime për rrugë të reja aksesi, mjedise shërbimi të reja, me hapësira rekreative për çlodhje e për aktivitete që krijojnë edhe mundësi për festa kulturore e promovuese të traditës.
Postimi i plotë i Edi Ramës
Kjo video është bërë me pamje nga mbrëmë në Banjot Termale të Bënjës, Përmet, ku sonte do të vazhdojë një aktivitet social-kulturor i lajmëruar prej kohësh, si festë përmetare.
Ky është realiteti i një destinacioni turistik, i cili dy ditët e fundit u bë shënjestër e histerisë digjitale të organizatorëve të vërtetë të protestës - ekstremistëve të dukshëm që predikojnë “plumbin tradhtarëve”, që paguhen për të dirigjuar turmën të këndojë “burg tradhëtarëve”, që bashkë me duart e padukshme të armiqve të Shqipërisë e të kundërshtarëve të përparimit të saj, turrin me furinë e algoritmit lukunira korbash e sorrash virtuale mbi këdo që nuk e do apo e dyshon “Shqipërinë e re” të syve të tyre.
Fatmirësisht, ndryshe nga Zvërneci, ku nuk ka ende një projekt për t’ua përplasur si shuplakë të realitetit të tërë këtyre lajmësve të errësirës prej nga Shqipëria ka dalë e ku Shqipëria nuk do kthehet më kurrë, Banjot Termale të Bënjës janë një shembëlltyrë e Rilindjes Urbane, që i përqesh me neveri pamjet e shpërndara anembanë kanaleve sociale, ku duke vënë kujën për betonizimin e për tharjen e ujrave nga kuçedra e korrupsionit, u synua ringritja e protestës së lodhur të bulevardit me të njëjtin inxhinjerim digjital si për Zvërnecin.
Kemi hyrë në një epokë ku ujrat e burimeve të komunikimit e të informimit, burimet shkencore, zyrtare apo gazetareske si ato të kohës kur çdo lajm verifikohej nga dy burime, rrjedhin në të njëjtat kanale me ujrat e zeza të burimeve biologjike të urrejtjes, zilisë, mllefit, gënjeshtrës e paditurisë, të cilat kanë avantazhin e shpejtësisë marramendëse që u jep algoritmi dhe të lehtësisë me të cilën gëlltiten nga njeriu i kthyer në skllav i algoritmit.
Por ja, dy pamjet e kundërta, nga njëra anë “Bënja e shkretuar nga hajdutët e tradhëtarët”, krijesë e djallëzisë së atyre që prej gati 1 muaji duan ta bëjnë çorap Shqipërinë, duke keqpërdorur ndjenjat, hallet, ndërgjegjen e pastër të shumëkujt që ka sot një arsye për të protestuar dhe nga ana tjetër, Bënja e Rilindur nga pikërisht vizioni, puna e pasioni ynë për Shqipërinë e pakrahasueshme me kur e nisëm këtë rrugë, flasin shumë qartë për këdo që do të shikojë, të dëgjojë, të kuptojë.
Kjo është nuk është një luftë mes protestuesve dhe qeverisë, as një luftë mes organizatorëve e financuesve të këtij “revolucioni” dhe meje, po një luftë mes Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian përmes vështirësive, punës, gabimeve, korrigjimeve, rezultateve reale dhe një “Shqipërie të re” dështakësh, si korbat e sorrat e mbledhur nga të katër anët e rrugëve të jetës rreth sheshit televiziv të protestës, të cilët lëpijnë e helmojnë çdo protestues e shqiptar të ndershëm, që një hall a shqetësim i sinqertë e shtyu drejt bulevardit apo e mban lidhur akoma me protestën, përmes nevojës që ai hall të zgjidhet e ai shqetësim të adresohet ndershmërisht.
Gjithkush le të zgjedhë pasqyrën që do
Dhe kush do të shohë se si sulmon errësira, ka më poshtë komentet e panumërta të profileve fallco, që i çojnë të njëjtat duar të pista
Komente











Deri dje Kur?!Para 13 vitesh?
PërgjigjuFoto me AI … vetem vaska e Benjes nuk eshte..
Përgjigju