Kryeministri Edi Rama përshëndeti punën e pandërprerë të SPAK gjatë muajit gusht, një ditë pas arrestimeve për tenderin e sterilizimit në ministrinë e shëndetësisë. Në një reagim të gjate në Twitter, Rama kujton se ishte partia socialiste që mundësoi Reformën në Drejtësi pas një kohë të gjatë që ky sistem komandohej nga qeveritarët.

‘SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ranë nga qielli, po erdhën në jetë si shprehje e vullnetit të sinqertë e të palëkundshëm shtetndërtues. Nuk ishin fjalë të bukura si ato të 100 vjetëve të shkuara me radhë, kur unë dhe Partia Socialiste iu zotuam popullit shqiptar, se do të ndërtojmë një drejtësi të re, të pavarur, europiane, që do t’i japë fund kancerit të pandëshkueshmërisë.’- shkruan Rama.

Kreu i qeverisë, thotë se kjo drejtësi ka lindur e po rritet përditë, sepse Partia Socialiste e Shqipërisë mbajti zotimin e saj për të realizuar, ndryshe nga çfarë kishte ndodhur përgjatë 100 viteve përqeshjeje

“Disa flasin sot sikur SPAK-u është dallga e Zotit dhe qeveria porti i Djallit. Kjo qeveri dhe askush tjetër e hapi me gjoks rrugën e drejtësisë së re dhe kurrë nuk do ta pengojë drejtësinë në rrugën e vet, kudo ku ajo të hyjë, brenda qeverisë, rrotull saj, mbrapa saj apo nën ombrellën e saj.”- shkruan Rama.

Rama përfundon duke shkruar se Shqipëria do të bëhet, duke nisur nga pavarësia e drejtësisë, dhe mbështetja për një Shqipëri Europiane, të cilën nuk e ndal asgjë për të shkruar një histori të re.

Reagimi i plote

Puna e pandërprerë e SPAK-ut dhe GjKKO edhe në gusht meriton respekt e falenderime!

Me këtë rast le të rikujtojmë kush e premtoi, filloi dhe mundësoi Reformën në Drejtësi, pas një kohe të gjatë lëngimi të Shqipërisë në batakun e padrejtësisë, kur askush s’kishte guxim as ta mendonte, jo ta bënte drejtësinë të pavarur nga qeveria.

SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ranë nga qielli, po erdhën në jetë si shprehje e vullnetit të sinqertë e të palëkundshëm shtetndërtues. Nuk ishin fjalë të bukura si ato të 100 vjetëve të shkuara me radhë, kur unë dhe Partia Socialiste iu zotuam popullit shqiptar, se do të ndërtojmë një drejtësi të re, të pavarur, europiane, që do t’i japë fund kancerit të pandëshkueshmërisë.

Kjo drejtësi sot ka lindur e po rritet përditë, sepse Partia Socialiste e Shqipërisë mbajti zotimin e saj më solemn e më të vështirë për të realizuar, përballë 100 viteve përqeshjeje me drejtësinë në historinë e shtetit shqiptar, kur nuk u prek kurrë dot nga drejtësia asnjë individ i pushtetshëm apo i lidhur me pushtetin, ku drejtësia ishte një shëmtirë e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët.

Disa flasin sot sikur SPAK-u është dallga e Zotit dhe qeveria porti i Djallit. Po ata harrojnë se dallgën e drejtësisë e ka ngritur në krye të herës guximi, vullneti dhe ambicia për Shqipërinë e pikërisht kësaj qeverie, e cila ndryshon si dita me natën me ato të mëparshmet e 100 vjetëve pengmarrje të drejtësisë. Kjo qeveri dhe askush tjetër e hapi me gjoks rrugën e drejtësisë së re dhe kurrë nuk do ta pengojë drejtësinë në rrugën e vet, kudo ku ajo të hyjë, brenda qeverisë, rrotull saj, mbrapa saj apo nën ombrellën e saj.

Falë besimit se ky vend bëhet dhe fuqisë së kësaj qeverie për të hequr dorë nga kontrolli i drejtësisë, e për ta mbështetur atë pa kushte kundër korrupsionit e krimit të organizuar, Shqipëria Europiane, që po hedh shtat dita - ditës mes 1000 sfidave, pengesave e vështirësive, do t'i provojë vetes e botës se historia nuk është një mallkim i përjetshëm, se historinë janë vetë njerëzit e çdo gjenerate që e shkruajnë me forcën e ëndrrave, shpresave, këmbënguljes së tyre dhe se në ngjitjen drejt majës që meritojnë brezat që vijnë, këtë vend nuk ka më forcë që ta ndalë të shkruajë një histori të re.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:36
Arrestimet e SPAK për sterilizimin, Bardhi: Rama s’ka asgjë në dorë për të ndaluar drejtësinë, nëse do kishte asnjë nga miqtë e tij s’do ishte në burg

1690634087_gazmentbardhi.jpg

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi thotë se të ishte në dorë të kryeministrit Edi Rama asnjë nga miqtë e tij nuk do të ishte sot në burg. Në një përgjigje për kreun e qeverisë i cili reagoi sot për arrestimet e SPAK për koncesionin sterilizimit, Bardhi thotë se Edi Rama s’ka asgjë në dorë për të ndaluar drejtësinë, e shton se ndërhyrjet e SHBA-së bënë që Rama të mbaj larg duart nga drejtimi i SPAK.

‘Të ishte për Edi Ramën dhe PS, sot në drejtimin e SPAK do ishte një ushtar i tij, që siç provoi GJKKO kërkoi burg për ish-zëvendësministrin por jo për ish-ministrin hajdut, mik të Edi Ramës. Ishte ndërhyrja e SHBA që mbajti larg duart e qeverisë nga drejtimi i SPAK.

Të ishte për Edi Ramën dhe PS, sot prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, do të emëroheshin në detyrë pas certifikimit nga DSIK, institucion në varësi të Edi Ramës. Ishte ndërhyrja e SHBA që i dha të drejtë opozitës dhe e konsiderojë të papranueshme një parashikim të tillë.

Të ishte për Edi Ramën dhe PS, sot koncesioni i sterilizimit do të vazhdonte qetësisht të zhvaste paratë e qytetarëve shqipëtarë dhe Edi Rama do shëtiste studio më studio me setin e bisturive në dorë për ti bërë reklamë hajdutërisë. Ishte dhe është investimi i partnerëve ndërkombëtar drejtësia që i jep fund pandëshkueshmërisë.

Për Edi Ramën dhe PS, Ilir Beqaj i certifikuar në hajdutëri është emëruar drejtor i fondeve publike, si manovër për ti dhënë atij mbrojtje politike ndaj hetimeve të drejtësisë. Edhe pse nën hetim për një dëm miliona euro, Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë, me shpresën se do ta shpëtojë nga drejtësia.

Për Edi Ramën dhe PS, Arben Ahmetaj pasi certifikohet si hajdut i parave publike në pozicionin e ministrit, promovohet duke u bërë Zëvendëskryeministër. Të ishte për Edi Ramën dhe PS, edhe sot do vijohej qetësisht me pagesat për mafiozët e inceneratorëve, për vepra që nuk ekzistojnë.

Edi Rama nuk ka asgjë në dorë për të ndalur drejtësinë! Nëse do të kishte askush prej miqve të tij nuk do ishte në burg. Atë që ka në dorë Edi Rama po e bën çdo ditë: po zhvat qytetarët me afera miliona euro, duke i varfëruar çdo ditë e më shumë dhe duke i dhënë Shqipërisë qeverinë më të korruptuar në 100 vite.’- shkruan Bardhi.