Rama rrëfen shqetësimin e madh gjatë protestave të opozitës dhe lë porositë për Policinë (VIDEO)

Shefi i mazhorancës, Edi Rama, i falenderoi efektivët e policisë që në mesin e protestave të opozitës dhe mbarëvajtjes së tyre, nuk lanë pas punën e tyre të përditshmërisë.  Nga ana tjetër ai ndau edhe piketat kryesore mbi të cilën duhet ta bazojnë punën komisariatet, duke paralajmëruar lirime nga detyra të kujto që mbyll sytë para paligjshmërive.

"Dua t’ju rrëfej sot, juve dhe publikut, se një ndër shqetësimet e mia më të mëdha të gjithë periudhës së trazuar nga politika e rrugës ka qenë impakti i saj nxitës mbi kriminalitetin, motivues për paligjshmërinë, stimulues për moskokëçarjen, në raport me detyrimet e çdo qytetari ndaj shtetit dhe shoqërisë, por më vjen mirë, vërtetë, që me gjithë mbingarkesën e rëndë, të imponuar nga domosdoshmëria për të garantuar protestat e për të mbrojtur institucionet e shtetit prej sulmeve vandale e të rrezikshme deri dhe për jetën e efektivëve të saj, si dhe po ashtu për të garantuar zhvillimin deri në fund të një fushate zgjedhore të ndërlikuar për shkak të grupeve të organizuara kudo për pengimin e fushatës, Policia e Shtetit ka arritur të bëjë mirë edhe detyrat e saj të përditshme.

Në gjysmën e mbrapshte të vitit, shifrat e kriminalitetit janë mbajtur nën kontroll. Dy vrasje me dashje më shumë, krahasuar me gjysmën e parë të vitit të shkuar, nga të cilat 3 më shumë sesa vjet, janë vrasje në familje dhe një vrasje kriminale më pak se vjet. Vjedhjet me armë kanë rënë. Nga 8 në 5, ndërkohë që ndryshe nga vjet, që numri i viktimave të vjedhjeve me pasojë vdekjen është 3, këtë vit është zero. Vjedhja e dhunshme ka rënë në 45 nga 55. Vjedhjet e banesave dhe lokaleve po ashtu kanë shënuar rënie, ndërkohë që janë me rritje vjedhjet e automjeteve. Rënie është shënuar në shpërthimet e eksplozivëve. Natyrisht, nëse nuk llogarisim molotovët, kapsollat dhe fishekzjarrët e marrëzisë antiligjore të protestave të dhunshme.

Shkurt, duke marrë në konsideratë rrethanat, bilanci është i kënaqshëm. Atmosfera kritike politike, sociale, e cila ishte në favor të krimit dhe të paligjshmërisë së përgjithshme, nuk ka arritur të ndikojë më shumë sesa shumë pak, falë jush.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Nuk mund të them të njëjtën gjë, fatkeqësisht, për situatën e kontrollit mbi territorin, sidomos gjatë vijës bregdetare, ku gjatë kësaj periudhe janë vënë re shenja negative riaktivizimi të ndërtimtarisë së paligjshme. Po ashtu nuk është pozitiv fakti që jo të gjitha strukturat dhe jo të gjithë punonjësit e policisë e kanë përvetësuar plotësisht konceptim se ky aktivitet i paligjshëm është drejtpërdrejtë objekt i punës së tyre, përgjegjësi ligjore e drejtpërdrejtë e Policisë së Shtetit, ashtu si dhe veprimtaritë kriminalë dhe kundërvajtjet e përcaktuara si objekt i punës së saj. Kështu që ju kërkoj sot hedhjen menjëherë në veprim, për të identifikuar, ndaluar dhe penalizuar çdo subjekt apo individ që ushtron aktivitet ndërtimor të paligjshëm. Jo për muret dhe për tjegullat e shtëpive në fshat, por kudo në hapësirat urbane ku cenohet prona publike, prona e tjetrit, apo çdo zonë strategjike për zhvillimin, duke filluar nga tërë vija bregdetare.

Është bërë një përparim i jashtëzakonshëm në marrjen nën kontroll të territorit edhe në këtë aspekt, por unë dua që kjo përpjekje të përshkallëzohet në një ofensivë sistemike, e planifikuar, organizuar dhe zbatuar njësoj si ofensiva shfarosëse e kanabisit. Çdo komisariat dhe çdo punonjës policie në terren duhet të ketë të qartë zonën e mbulimit me vëzhgim të këtij fenomeni dhe po njësoj si me kanabisin, duhet të monitorohet për performancën përkatëse, duke liruar nga detyra, apo penalizuar ligjërisht këdo që kapet në kushtet e mbylljes së syve përpara këtij fenomeni", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama falenderon policinë për protestat, fushatën dhe zgjedhjet: 30 qershori fitore e së drejtës, jo e së majtës (VIDEO)


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja