Rama falenderon policinë për protestat, fushatën dhe zgjedhjet: 30 qershori fitore e së drejtës, jo e së majtës (VIDEO)

Kryeministri Rama së bashku me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj kanë qenë të pranishëm ditën e sotme në një takim me drejtuesit e Policisë ne Ministrinë e Brendshme.  Teksa paralajmëroi ndryshimet që do të nisin këtë javë në kodin penal, Rama foli edhe për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat sipas tij i shërbyen të drejtës dhe jo të majtës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:50
Rama rrëfen shqetësimin e madh gjatë protestave të opozitës dhe lë porositë për Policinë (VIDEO)

Shefi i mazhorancës, Edi Rama, i falenderoi efektivët e policisë që në mesin e protestave të opozitës dhe mbarëvajtjes së tyre, nuk lanë pas punën e tyre të përditshmërisë.  Nga ana tjetër ai ndau edhe piketat kryesore mbi të cilën duhet ta bazojnë punën komisariatet, duke paralajmëruar lirime nga detyra të kujto që mbyll sytë para paligjshmërive.

"Dua t’ju rrëfej sot, juve dhe publikut, se një ndër shqetësimet e mia më të mëdha të gjithë periudhës së trazuar nga politika e rrugës ka qenë impakti i saj nxitës mbi kriminalitetin, motivues për paligjshmërinë, stimulues për moskokëçarjen, në raport me detyrimet e çdo qytetari ndaj shtetit dhe shoqërisë, por më vjen mirë, vërtetë, që me gjithë mbingarkesën e rëndë, të imponuar nga domosdoshmëria për të garantuar protestat e për të mbrojtur institucionet e shtetit prej sulmeve vandale e të rrezikshme deri dhe për jetën e efektivëve të saj, si dhe po ashtu për të garantuar zhvillimin deri në fund të një fushate zgjedhore të ndërlikuar për shkak të grupeve të organizuara kudo për pengimin e fushatës, Policia e Shtetit ka arritur të bëjë mirë edhe detyrat e saj të përditshme.

Në gjysmën e mbrapshte të vitit, shifrat e kriminalitetit janë mbajtur nën kontroll. Dy vrasje me dashje më shumë, krahasuar me gjysmën e parë të vitit të shkuar, nga të cilat 3 më shumë sesa vjet, janë vrasje në familje dhe një vrasje kriminale më pak se vjet. Vjedhjet me armë kanë rënë. Nga 8 në 5, ndërkohë që ndryshe nga vjet, që numri i viktimave të vjedhjeve me pasojë vdekjen është 3, këtë vit është zero. Vjedhja e dhunshme ka rënë në 45 nga 55. Vjedhjet e banesave dhe lokaleve po ashtu kanë shënuar rënie, ndërkohë që janë me rritje vjedhjet e automjeteve. Rënie është shënuar në shpërthimet e eksplozivëve. Natyrisht, nëse nuk llogarisim molotovët, kapsollat dhe fishekzjarrët e marrëzisë antiligjore të protestave të dhunshme.

Shkurt, duke marrë në konsideratë rrethanat, bilanci është i kënaqshëm. Atmosfera kritike politike, sociale, e cila ishte në favor të krimit dhe të paligjshmërisë së përgjithshme, nuk ka arritur të ndikojë më shumë sesa shumë pak, falë jush.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Nuk mund të them të njëjtën gjë, fatkeqësisht, për situatën e kontrollit mbi territorin, sidomos gjatë vijës bregdetare, ku gjatë kësaj periudhe janë vënë re shenja negative riaktivizimi të ndërtimtarisë së paligjshme. Po ashtu nuk është pozitiv fakti që jo të gjitha strukturat dhe jo të gjithë punonjësit e policisë e kanë përvetësuar plotësisht konceptim se ky aktivitet i paligjshëm është drejtpërdrejtë objekt i punës së tyre, përgjegjësi ligjore e drejtpërdrejtë e Policisë së Shtetit, ashtu si dhe veprimtaritë kriminalë dhe kundërvajtjet e përcaktuara si objekt i punës së saj. Kështu që ju kërkoj sot hedhjen menjëherë në veprim, për të identifikuar, ndaluar dhe penalizuar çdo subjekt apo individ që ushtron aktivitet ndërtimor të paligjshëm. Jo për muret dhe për tjegullat e shtëpive në fshat, por kudo në hapësirat urbane ku cenohet prona publike, prona e tjetrit, apo çdo zonë strategjike për zhvillimin, duke filluar nga tërë vija bregdetare.

Është bërë një përparim i jashtëzakonshëm në marrjen nën kontroll të territorit edhe në këtë aspekt, por unë dua që kjo përpjekje të përshkallëzohet në një ofensivë sistemike, e planifikuar, organizuar dhe zbatuar njësoj si ofensiva shfarosëse e kanabisit. Çdo komisariat dhe çdo punonjës policie në terren duhet të ketë të qartë zonën e mbulimit me vëzhgim të këtij fenomeni dhe po njësoj si me kanabisin, duhet të monitorohet për performancën përkatëse, duke liruar nga detyra, apo penalizuar ligjërisht këdo që kapet në kushtet e mbylljes së syve përpara këtij fenomeni", tha Rama.

Ora 12:49
Rama: 30 qershori nuk i shërbeu të majtës por të drejtës

Kryeministri Edi Rama teksa paralajmëroi ndryshimet që do të nisin këtë javë në kodin penal, foli edhe për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat siç tha ai i shërbyen të drejtës dhe jo të majtës. Rama iu drejtua policëve duke thënë se ata kanë shumë për të bërë, por vetë ai ka akoma më shumë për të bërë dhe për të mësuar

"Shqipëria e 30 qershorit shpërbleu të drejtën, jo të majtën, dashurinë e përkushtimin ndaj vendit, jo mllefin e dëmtimin e vendit, forcat e punës e të respektit për ligjin, jo forcën e dhunë kundër ligjit, por largqoftë që të mos e kuptojmë se nuk mjafton të jesh në anën e duhur të historisë e të ligjit, për të qenë i denjë në shërbimin ndaj popullit dhe vendit tënd, sepse pikërisht ata që shpëtuan vendin, demokracinë, shtetbërjen janë po ata që këtë vend e duan shumë më të mirë, demokracinë e duan shumë më funksionale, shtetin e duan shumë më të drejtë dhe të gjitha këto i meritojnë, prandaj ndjesia e mirë e shpërblimit, të marrë nga një përpjekje e përbashkët për të drejtën, për demokracinë, për ligjshmërinë, duhet të na vlejë si energji e re për të përmirësuar në radhë të parë vetveten, punën tonë, raportin tonë me njeriun e zakonshëm të këtij vendi.

Në këtë sens, ju Policia e Shtetit keni vërtetë shumë për të mësuar nga të metat e punës suaj, shumë për të korrigjuar në punën tuaj të përditshme, shumë për të bërë në marrëdhënien tuaj me qytetarin, ndërsa unë kam edhe shumë më shumë sesa ju për të mësuar, për të korrigjuar dhe për të bërë në marrëdhënie me ju dhe me të gjithë njerëzit e këtij vendi", tha Rama.

Ora 12:44
Rama - Lleshajt: Nuk dua më vonesë...Asnjë automjet i vjedhur nuk duhet të qarkullojë në Shqipëri

Një porosi, kryeministri e ndau edhe për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj. 

"Zoti ministër, nuk dua më vonesë në vënien në jetë të projektit të monitorimit përmes teknologjisë së lartë të rrugëve të vendit dhe të rritjes së kontrollit dhe të transparencës mbi drejtuesit e automjeteve, si dhe mbi origjinën dhe ligjshmërinë e çdo automjeti në përdorim. Automjetet e vjedhura, apo të pasiguruara duhet të pamundësohen për të lëvizur lirisht në Republikën e Shqipërisë. Sistemi i gjobave duhet të reformohet dhe komisionet e famshme dhe famëkëqija të apelimit, që janë fole korrupsioni dhe mekanizma të ndryshkur zvarritjeje për qytetarët, duhet të eliminohen përmes modernizimit teknologjik.

Nga ana tjetër është e domosdoshme që të punohet çdo ditë, zoti Drejtor i Përgjithshëm, për rritjen e cilësisë së sjelljes së punonjësit të Policisë me qytetarin. Kodi Etik i Policisë së Shtetit duhet të ashpërsohet dhe të mësohet mirë nga të gjithë efektivët e trupës policore të republikës dhe cilido që nuk di të sillet me qytetarin duhet të largohet si i padenjë për këtë trupë.

Përmirësimet e bëra në këtë drejtim janë të shumta, por nuk mjaftojnë. Policët e qarkullimit dhe ata në komunitet, në radhë të parë, duhet të jenë model mirësjelljeje me çdo qytetar. Kundërvajtjet janë një arsye ligjore për të gjobitur kundërvajtësin, por kurrsesi një motiv për t’u sjellë me të pa edukatë. Konceptoni dhe vini menjëherë në jetë një plan pune për edukimin në vazhdim të punonjësve të policisë, që nga trajnimet profesionale e fizike, te mësimi i pandarë i edukatës ligjore dhe asaj qytetare", tha kryeministri.

Ora 12:43
Rama: Të vendosen pensionet e parakohshme për policinë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ndau falenderime për punën e drejtorit të pëgjithshëm të policisë së Shtetit, Ardi Veliu, duke thënë se fokusi dhe puna duhet të rriten edhe më tej. Ai tha se duhet të vendosen pensionet e parakohshme.

"Duke falënderuar publikisht për forcën e madhe të shembullit, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotin Veliu, si dhe ekipin e drejtuesve kryesorë të trupës policore të vendit, më duhet të pranoj se për të bërë më shumë, ne duhet t’u përgjigjemi më shumë dhe më mirë nevojave tuaja. Është urgjente që ta vëmë në jetë propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm dhe trupës drejtuese për pensionin e parakohshëm të efektivëve që për arsye objektive nuk mund ta ndjekin dot kërkesën bazë për rritje të efektivitetit në punë. Ulja e moshës mesatare, rritja e parametrave mesatarë të dijes dhe të fizikut të punonjësve të terrenit, si dhe rrita e numrit të efektivëve që mbulojnë terrenin është një emergjencë e kahershme, që tashmë është kthyer në një urgjencë të përditshme.", u shpreh kryeministri.

Pensionet e parakohshme, thënë më thjesht jaë rastet kur personat kërkojnë të marrin pensionin pa mbushur moshën.

Ora 12:38
Rama: Burg kush prek policin (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama theksoi se në ndryshimet e kodit penal sulmi ndaj policit do të ndëshkohet me burg dhe jo vetëm me gjobë siç është aktualisht. E njëjta forcë ligji do të jetë edhe për ata që bllokojnë rrugët me protesta dhe që bllokojnë punët publike.

"Nga ana tjetër është momenti i finalizimit të procesit të ligjvënies për rritjen e paprekshmërisë së uniformës blu në kryerjen e detyrës. Me ndryshimet që do t’i bëjmë këtë javë Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, sulmi ndaj policit, goditja e policit, kundërshtimi i policit, prekja me dorë e policit do të konsiderohen vepra penale të dënueshme me burg dhe jo më me gjobë. Të tilla do të jenë edhe bllokimet e rrugëve dhe pengimet e punëve publike.

Mjaft më me shfaqje të “tokës së xanun” me trupa njerëzorë në rrugët dhe në hapësirat publike të Shqipërisë! Asnjë kundërshti, sado legjitime e një grupi njerëzish, nuk mund të tolerohet më si arsye për të penguar qarkullimin e të gjithë njerëzve në rrugët e vendit, apo investimet publike në territorin e këtij vendi", tha Rama.

Ora 12:27
Rama: 60 efektivë të plagosur në protestat e opozitës...I jep Ina Nukut yllin e mirënjohjes (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama në një takim me drejtues të policisë në Ministrinë e Brendshme, falenderoi efektivët gjatë mbarëvajtjes së protestave të opozitës joparlamentare prej muajit shkurt. Ai tha se 60 efektivë policie mbetën të plagosur gjatë protestave, ndërsa i vlerësoi ata për vendosmërinë e tyre dhe vetëpërmbajtjen shembullore siç ai e quajti. Rama veçoi rastin e Ina Nukut, efektives së "Shpiponjave" që u plagos me kapsollë gjatë një prej protestave,të cilës i akordoi  yllin e mirënjohjes publike të kryeministrit.

"Faleminderit në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të çdo njeriu të zakonshëm të këtij vendi që sot ndihet i çliruar nga hija kërcënuese e ankthit për fatin e zgjedhjeve të 30 qershorit, e cila u vërtit për muaj të tërë nëpër Shqipëri dhe hyri në shtëpitë dhe në mendjet e zemrat e qytetarëve të këtij vendi, falë vënies në zbatim të një plani politik antikombëtar kundër zgjedhjeve, kundër drejtësisë, kundër Shqipërisë, mu në prag të vendimit për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Faleminderit për punën, mundin dhe sakrificën e forcave të Policisë së Shtetit, të cilat mbajtën me përkushtim, dinjitet, profesionalizëm, një ngarkesë të jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike, në tërë këta muaj të mbrapshtë. Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv policie që kontribuoi në forcimin e profilit të një trupe policore të organizuar mirë, të përgatitur mirë dhe të gatshme për të reaguar efektivisht dhe proporcionalisht në çdo moment agresiviteti të rritur kundër shtetit dhe institucioneve. Një mirënjohje e falenderim i veçantë për 60 efektivët e lënduar gjatë tërë kohës së çmendur të protestave e të sulmeve agresive të antishtetit, të cilat u zmbrapsën me vendosmëri, qëndrueshmëri dhe vetëpërmbajtje shembullore nga ana juaj.

Më vjen posaçërisht mirë që këtu mes jush ndodhet edhe simboli i rezistencës suaj së tërë kësaj periudhe tejet të vështirë për secilin dhe secilën prej jush, kolegia dhe mikja juaj, e them me krenari, tanimë dhe mikja ime, Ina Nuku.

Ina ra pre e një goditje qorre me lëndë plasëse, që mund t’i kishte marrë edhe jetën në krye të detyrës. Fatmirësisht, ajo reagoi menjëherë duke shmangur më të keqen e mundshme, por jo gjymtimin e dorës. Një vajzë e zonja dhe e bukur, studente e apasionuar, me rezultate shumë të mira, punonjëse e re dhe e përkushtuar e Policisë së Shtetit, Ina u plagos rëndë, jo në përballje me krimin e rrugës, por sepse u gjet përballë politikës së rrugës. Sot është dita e duhur për t’i dedikuar Inës dhe përmes saj të gjitha vajzave që shërbejnë nën uniformën e Policisë së Shtetit dhe të gjithëve ju që u përballët denjësisht me agresionin e antishtetit gjatë kësaj periudhe trazimi kombëtar, një shprehje simbolike mirënjohjeje, duke i akorduar “Yllin e mirënjohjes publike” të Kryeministrit", tha Rama.

Ora 12:25
Zhvillimet e fundit politike, Lleshaj vlerëson policinë: Nuk lejoi krijimin e kaosit dhe përçarjen (VIDEO)

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në një takim në Ministrinë  e Brendshme me Drejtuesit e Policisë ka vlerësuar punën e Policisë së Shtetit.

Ai u ndal edhe tek zhvillimet e fundit politike ku tha se policia ka bërë një punë të mirë.

"Policia nuk lejoi krijimin e kaosit dhe frymën e një gjendjeje përçarëse në Shqipëri. Arritën të sigurojnë një nivel optimal të parametrave të sigurisë në vend”,- tha Lleshaj ndër të tjera.

"Kemi rritje 10% në lëvizjet kufitare. Detyra e policisë thjeshtë vazhdon më tej me ritëm dhe energji të re. Sfidë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të vijojmë punë në përmirësimin e infrastrukturës së policisë. Mbështetja  e Kryeministrit do të na ndihmojë për arritjet e mëtejshme. E falenderojmë kryeministrin. Policia do të jetë në lartësinë e nevojshme. " shoi më pas Lleshaj.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbëri: 02/07/2019 13:15

    Ju lumt, dhe suksese ...!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja