Kërkimi shkencor është një tjetër farsë e madhe që ka vazhduar dhe që ne nuk mund ta lejojmë të vazhdojë. Në radhë të parë, duke e vendosur mbi baza të shëndetshme dhe pastaj se kur do të ketë kërkim të vërtetë shkencor në Shqipëri, kjo është për t’ia lënë kohës. Por kështu siç e kemi sot, vetëm kërkim shkencor nuk është.
Rama: Isha në Ministerialin e Rajonit dhe thashë se prej shumë kohësh, unë ruaj një zakon, që një herë në çdo stinë marr një taksi pasmesnate dhe i them taksistit ec dhe fol. Kjo është mënyra më e mirë për të kuptuar pulsin e vendit ku jeton. Asnjë raport i Bankës Botërore apo i OSBE-së nuk ta jep pamjen e vendit tënd, siç ta jep një taksist pasmesnatës, nëpër rrugët e Tiranës. U bënë vite që unë nuk gjej një taksist pa diplomë juridiku. Ju tregova historinë e një taksisti që kishte marrë masterin. Ata e dinë që unë nuk pranoj të më bëjnë xhiro falas, ndaj më tha “e ke nga unë sot, se jam bërë me master në juridik”. Ku e gjen kohën, e pyeta. “Nuk ka nevojë,” - më tha, - “në mëngjes marr fëmijët e pronarit të universitetit i çoj në shkollë dhe një herë gruan për shopping.”
Ky është sistemi që krijuam ne. Imagjinoni se ç’kërkim shkencor mund të ketë brenda këtij sistemi, të atillë që të mund t’i themi vetes se ne po financojmë kërkimin shkencor dhe me këto para, vërtet po bëhet shkencë në Shqipëri. Përjashto disa nukle të vogla që kanë mbetur në xhunglën e arsimit tonë të lartë, si ai ushtari japonez që nuk e dinte që kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore, pjesa tjetër janë para të hedhura në lumë. Më mirë të bësh çerdhe e shkolla me ato para, sesa kështu siç janë katandisur.
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)