Rama: Si do qeverisim vendin
jo kushte për imunitetin

Rama: Si do qeverisim vendin<br />jo kushte për imunitetin
Kreu i PS është shprehur se do ketë një qeverisje ndryshe pas 10 muajsh, ndërkohë që thotë se nuk ka kushtëzim për imunitetin.
Ne një interviste ekskluzive për “Vizion Plus”, ai deklaroi dje se opozita do të bëjë gjithçka që në kohën e mbetur vendi ynë të plotësojë detyrimet e vena nga Brukseli për statusin e kandidatit.

Ditët e fundit po e përqendroni gjithë retorikën tuaj politiket tek çështjet ekonomike. A do të jetë kjo dhe kryefjala e fushatës së ardhshme?

Pa asnjë dyshim ekonomia do të jetë në fokusin e vëmendjes dhe gjithë e rrugëtimit tonë deri në fitoren e qershorit. Sepse, në fund të fundit, është produkti bazë i qeverisjes dhe sot shqiptarët jetojnë ende më keq se katër vjet më parë nga pikëpamja e ekonomisë së tyre familjare. Ashtu sikundër ekonomia kombëtare vuan, madje lëngon në një krizë shumë të rëndë.

Cila është e reja në dialogun tuaj politik që do të nisni me shqiptarët, e keni anonçuar në disa dalje publike?

Së pari dua të them që shqiptarët nuk e kanë të vështirë të konstatojnë keqqeverisjen, pasi gjithçka flet për një jetë të vështirësuar ekonomikisht dhe të rënduar nga pikëpamja sociale. Nga ana tjetër do doja të ndalesha vetëm në dy shifra. Së pari, sot zyrtarisht numri i të punësuarve është po aq sa i shtatë viteve më parë, ndërkohë që numri i të papunëve është rritur në mënyrë dramatike pasi çdo vit hyjnë 65 mijë forca të reja pune në treg. Së dyti, shifrat e tremujorit të parë të këtij viti të konsumit flasin për një rënie si asnjëherë në gjithë këto vite, çka do të thotë se fuqia blerëse e shqiptarëve bie përditë dhe se rritja e atyre pagave nominale që Saliu propagandon përditë nuk i ndihmon ata që të blejnë më shumë, por përkundrazi blejnë më pak. Thënë kjo, ne padyshim do vazhdojmë të tregojmë se keqqeverisja ka hapur shumë plagë, por s'mjafton. Duhet të tregojmë gjithashtu sesi ne do ta rilindim ekonominë, do ta rimëkëmbim ekonominë familjare të shqiptarëve, do ta ripërtërijmë shoqërinë, do ta rivendosim demokracinë e do ta ribashkojmë Shqipërinë me Europën në kuptim e vlerave e standardeve të qeverisjes në radhë të parë.

Takime zhvilluat dhe më 2009, do ketë program të ri...?

Kemi një program të ri, i cili po pasqyrohet në vijimësi nga një rrugëtim me plot stacione ku kemi qëndruar dhe vazhdojmë të qëndrojmë për t'u konsultuar me grupe interesi, me komunitete, me qytetarë në fshat dhe në qytet. Kemi një alternativë për t'ua bërë shqiptarëve sa më të qartë zgjedhjen e 10 muajve më vonë; Mes një Shqipërie ku ka punësim real dhe jo rritje papunësie; Ku ka taksim të ndershëm dhe jo një taksë të sheshtë që privilegjon vetëm 1% të popullsisë dhe në tërësi, bën që vetëm 5% e shqiptarëve të ndjehen sot më mirë, ndërkohë që 95% paguajnë më shumë taksa se 7 vjet më parë; Për një Shqipëri ku të ketë një fshat që prodhon dhe shet duke jetuar normalisht, e jo një fshat të braktisur në mëshirën e fatit; Për një Shqipëri ku shërbimi shëndetësor jepet sipas nevojës së secilit dhe jo sipas xhepit, ku sot ky sistem shëndetësor lë jashtë të gjithë ata që janë të papunë sepse janë të pasiguruar. Pra, rreth 1 milion njerëz që për të marrë shërbimin shëndetësor duhet të paguajnë mbi dhe nëndorë; Për një Shqipëri me arsimim më të mirë, sigurisht, pa korrupsion dhe pa falsifikime dhe jo me një sistem arsimor të korruptuar që në fund prodhon dhe diploma pa asnjë vlerë; Një Shqipëri ku të ketë shtet që garanton sigurinë e jetës dhe të pronës dhe jo një Shqipëri ku vetëm në tre muajt e fundit ka një bilanc vrasjes, plagosjesh, gjymtimesh të atillë që është më i madh sesa ai i Irakut dhe Afganistanit të marra së bashku.

Ekipi që do shohim krah jush në dialogun me shqiptarët?

Ne kemi një ekip që njihet, që dihet, një ekip me eksperiencë, por sigurisht do vazhdojmë të jemi të hapur dhe për prurje të reja sepse duam që ta qeverisim Shqipërinë me kualitete më të mira dhe me harmonizimin më të mirë mundshëm mes eksperiencës dhe energjive të reja të talenteve e të mendjeve pjellore të këtij vendi.

Do jetë vota kundër e mazhorancës për propozimet e PS një kushtëzim për votën tuaj në parlament për çështjen e imunitetit?

Më lejoni t'ju them që në vitin e sapo mbyllur politik, Partia Socialiste ka bërë për hir të marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe të mos dështimit për herë të tretë radhazi me turp të Shqipërisë, aq sa asnjë forcë politike nuk ka bërë këta 20 vjet, e aq më tepër pastaj në opozitë. E kemi bërë me vetëdije të plotë. Kemi marrë edhe kosto politike të ditës pasi përfaqësojmë një popull opozitar me të drejtë të revoltuar çdo ditë nga keqqeverisja. Nuk do të lëmë pa bërë asgjë që duhet dhe që ne mund të bëjmë për t'i dhënë Shqipërisë shans deri në minutën e fundit që të marrë statusin e vendit kandidat. Nuk ka kushtëzim, aq më tepër që varianti i miratuar për kufizimin e imunitetit është variant i propozuar nga ne. Nuk ka surprizë do të thosha se nuk mundet dot që Saliu dhe të tijët ta pranojnë që të humbasin monopolin e përzgjedhjes së gjyqtarëve, të cilët u duhen pastaj për tu mbrojtur nga ligji. Nga ana tjetër është e pamundur të parafytyrohet që ata të pranojnë njëkohësisht që të gjykohen, jo në Gjykatën e Lartë, por si gjithë qytetarët e këtij vendi në të gjitha nivelet e gjykimit dhe po ashtu të pranojnë që Rregullorja e Kuvendit të jetë konsensuale. Por ka një gjë, që këtu ndahemi, ky është një vizion diametralisht i kundërt me vizionin e tyre për shtetin dhe është një tjetër moment ku njerëzit mund të shohin se ne nuk jemi njësoj. Së fundmi, në këtë paketë nuk e kemi propozuar si një opozitë që sapo është ulur në radhët e opozitës në parlament, por si një opozitë që pas dhjetë muajsh do të jetë në qeveri. Me vetëdijen se do ta qeverisim Shqipërinë pas 10 muajsh ne, njëkohësisht, kemi paraqitur një paketë që i heq qeverisë disa fuqi të panevojshme për të dhe të dëmshme për sistemin demokratik të vendit dhe i jep më shumë fuqi drejtësisë dhe më shumë fuqi zgjedhësve dhe qytetarëve të këtij vendi, që sot vuajnë dyfish.

Ka shanse Shqipëria për të mos rrezikuar statusin e kandidatit për herë të tretë?

Është e domosdoshme që Shqipëria të mos mbetet për herën e tretë në provimin e vjeshtës. Janë 12 prioritet, pjesa që ka të bëjë me Kuvendin, me legjislacionin dhe me kontributin e opozitës është thuajse tërësisht e plotësuar. Me votën pro imunitetit pas ezaurimit dhe diskutimit për paketën kushtetuese kjo konsiderohet e plotësuar edhe me ndonjë element tjetër. Përsa i përket atyre që kanë të bëjnë me qeverisjen, shqiptarët i shohin vet sesa "shumë janë plotësuar" prioritetet për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për pronat, për administratën publike e kështu me radhë.

Do ketë PS një kandidat për kreun e KQZ dhe nëse po a ka emra të zgjedhur deri tani?

Sigurisht që ne kemi një ekip i cili po punon për të identifikuar emrat dhe padyshim do të respektojmë të gjithë procesin ashtu siç e kemi miratuar në Kodin e ri Zgjedhor.

(Intervista u botua ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Guardiola kërkon Donnarumman te Manchester City

Guardiola kërkon Donnarumman te Manchester City