TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj si dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka kanë zhvilluar një takim në 'Vilën 30' me ambasadorët e huaj në vendin tonë, ku ndër to morën pjesë ambasadorja e BE-së, Christine Hohmann, ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim si dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith. Mësohet se në fokus të bisedës ishte projektligji i qeverisë për amnistinë fiskale.

Bashkimi Evropian kërkon që qeveria shqiptare të rishikojë draftin aktual që ka paraqitur për konsultim për amnistinë fiskale dhe penale në vend. Përmes një reagimi për Report Tv, BE nënvizon se duhen vijuar konsultimet për rishikim.

Ndërkohë në një reagim të shkurtër për mediat, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku i bëri thirrje opozitës që të jetë e bashkuar dhe mos ta votojë ligjin në Kuvend.

Edhe një herë tjetër Kryeministri Rama u shpreh më se i vendosur për të vijuar me nismën e qeverisë për amnistinë fiskale dhe penale për paratë e shqiptarë. Rama tha dje për gazetarët se asgjë nuk e ndal këtë qeveri për të legalizuar paratë e shqiptarëve, ndërkohë që duke folur për ata që e kundërshtojnë këtë nismë, kryeministri përmendi edhe rastin e Partisë Demokratike, e cila financohet nga një vend armik, duke folur për skandalin e lobimit rus.

Kryeministri nënvizioi se ai do të tentojë arritjen e një dakordësie me të huajt, por kujtoi se interesi si shqiptarëve është parësor. 

Amnistia fiskale dhe penale është nisëm ligjore e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të falur të gjitha gjobat, kamatëvonesat e pasurisë që deklarohet, nëse kryhet regjistrimi i pasurisë së disponuar në 30-vjeçarin e fundit, të kryera deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit.  Personave që aplikojnë për amnisti fiskale u ruhet anonimati dhe nuk i fillojnë procedurat e ndjekjes penale.

Më parë, kryeministri Edi Rama ka thënë se kritikat e të huajve për këtë projektligj nuk janë të sinqerta  sepse sipas tij këto vende kanë bërë të njëjtën gjë në kohë të ndryshme. Këtë qëndrim Rama e bëri nga konsultimi publik që zhvilloi për amnistinë me grupet e bizneseve, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e ambasadave më të rëndësishme në vend.

Rama e ka bërë të qartë që projektligji për amnistinë fiskale do të miratohet, duke theksuar se të gjithë shqiptarëve që kanë punuar me djersën e ballin në këto 30 vite do t’ua formalizojnë paratë dhe të gjithë të kenë mundësi që të blejnë shtëpi në atdheun e tyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:32
Pojektligji për amnistinë fiskale, Tabaku: Të mos votohet, opozita të tregojë se është e bashkuar

 

Deputeti i Partisë Demokratike Jorida Tabaku bëri thirrje që ligji për amnistinë fiskale i cili do 84 vota, të mos votohet nga opozita. Sipas Tabakut, opozita duhet të tregojë që është e bashkuar.

 ‘Ligji për amnistinë fiskale është një barrë për bizneset e ndershme dhe është një barrë që Shqipëria nuk ka luksin ta ketë. Ajo që unë kam kërkuar dhe i kërkoj të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike dhe opozitës të mos votohet ligji për amnistinë fiskale, Ligji për amnistinë fiskale kërkon 84 vota dhe që këto vota të arrihen kërkohet të merren nga ai gjithë spektri politik. Unë besoj se këtu duhet të tregojë opozita që është e bashkuar, me një shenj dhe një sinjal në mbështetje të biznesit të ndershëm dhe procesit të integrimit në BE’, tha Tabaku.

Ora 12:01
Amnistia fiskale, BE: Të shqetësuar nga drafti aktual i qeverisë! Përpjekje për ta rishikuar

1664445779_WhatsAppImage20220929at10.22.141.jpeg

Bashkimi Evropian kërkon që qeveria shqiptare të rishikojë draftin aktual që ka paraqitur për konsultim për amnistinë fiskale dhe penale në vend.

Përmes një reagimi për Report Tv BE nënvizon se duhen vijuar konsultimet për rishikim.

 “Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ne do të vazhdojmë konsultimet me strukturat përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”