TIRANE- Kryeministri Edi Rama hedh poshtë si të pavërtetë lajmin e publikuar në median italiane 'La Repubblica' se ai ka pasur një telefonatë 'të tërbuar' me drejtorin e RAI 3 lidhur me emisionin investigativ “Report” transmetuar nga ky ekran pak ditë më parë. Duke iu përgjigjur një kërkese për informacion të Shqiptarja.com, kryeministri Rama thotë se u skandalizua nga emisioni me 'qasje kriminale'  dhe e quan 'episod të turpshëm baltosjeje të Shqipërisë"

Edhe La Repubblica ka korrigjuar shkrimin për 'telefonatën e tërbuar' , për të cilën kryeministri deklaroi se nuk ka pasur asnjë të tillë por thjesht një kërkesë për telefonatë lidhur "me shpifjen më skandaloze" të emisionit Report.  

Reagimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama për Shqiptarja.com 

“Nuk ka pasur asnjë telefonatë me drejtorin e RAI3, po vetëm një kërkesë për telefonatë lidhur me shpifjen më skandaloze të emisionit Report, një episod për Shqipërinë e parë me sytë e shpifësve të mirënjohur të Tiranës dhe ku gazetari italian, me një paturpësi epike jo vetëm që nuk publikoi në emision asgjë nga përgjigjet me shkrim të pyetjeve të tij po me shkrim, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, po edhe u shfaq në një kanal ujrash të zeza në Tiranë ku foli për refuzimin e viktimës së tij për të dhënë përgjigje!

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm, i cili do të ngrejë padi penale për shpifësin, i është përgjigjur një për një me shkrim pyetjeve të tij, në afatin e kërkuar prej tij, në adresën e tij. 

Kërkesa për telefonatën, lidhej vetëm me këtë fakt të dokumentuar dhe të tmerrshëm për një ekran që paguhet nga taksat e italianëve dhe që u angazhua në një episod të turpshëm baltosjeje të Shqipërisë, siç ndodhte në vitet kur në median italiane shqiptarët shfaqeshin vetëm si vrasës, trafikantë, prostituta dhe hajdutë, ndërsa Shqipëria si foleja e krimit në Europë!

Kisha vite pa u skandalizuar me këtë qasje kriminale në emër të lirisë së medias, por e përsëris, nuk pata asnjë telefonatë të tërbuar me drejtorin e RAI3, me të cilin munda të flas krejt qetësisht vetëm pas gënjeshtre të radhës, që kishte dalë edhe në La Repubblica (e cila e fshiu gënjeshtrën) dhe në Syrin e ujrave të zeza të Tiranës, ku natyrisht për vetë natyrën e misionin e kanalit, gënjeshtra mbeti me shoqet e saj të panumërta në tubacionin e jashtënxjerrjeve të armiqve të betuar të çdo suksesi të Shqipërisë.
 

Edhe sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi ka njoftuar se do të ngrejë padi penale për gazetarin italian të cilit, nga reagimi në Shqiptarja.com mësohet se i është përgjigjur me shkrim pyetjeve të gazetarit italian, në afatin e kërkuar prej tij por ky i fundit "me një paturpësi epike jo vetëm që nuk publikoi në emision asgjë nga përgjigjet me shkrim të pyetjeve të tij, po edhe u shfaq në një kanal ujrash të zeza në Tiranë ku foli për refuzimin e viktimës së tij për të dhënë përgjigje" thuhet në reagimin e Ramës. 

Menjëherë pas tij, duket se ka reflektuar edhe vetë media italine e cila ka korrigjuar tekstin e lajmit duke fshirë tekstin e "telefonatës së tërbuar" që nuk ndodhi kurrë. RAI konfirmon në artikullin e korrigjuar deklaratën e mëparshme të Ramës se nga ana e tij pati vetëm një kërkesë për t'u dëgjuar.

Dokumentari 

Më 21 prill në televizionin Rai3 u publikua emisioni investigativ 'Report' në të cilën ishte trajtuar marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, ku ndër të tjera thuhej se njeriu kyç i paktit është Ëngjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Këtë të fundit e quan ish avokat të trafikantëve të drogës. Në një reagim për "La Repubblica' Agaçi, deklaroi se krahasimi i bërë nga programi televiziv ishte shumë i dëmshëm për reputacionin e tij dhe kishte udhëzuar avokatët të ngrenë padi për shpifje.

 “Kam lënë detyrën ligjore dhjetë vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv Report është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Unë kam udhëzuar tashmë avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje kundër programit televiziv shtetëror italian. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet”, ka thënë Agaçi në reagimin e dates 21 prill.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:34
Autogoli - Gazetari i RAI pranon gabimin: Publikon përgjigjet e Agaçit tre ditë pas emisionit ku pretendonte se ai nuk ishte përgjigjur

1713904787_64001713903707xgiorgiomottola216.jpg

Tre ditë pasi pretendoi në emisionin e tij se Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, nuk i ishte përgjigjur kërkesave të tij për të folur, gazetari i RAI, Giorgio Mottola, ka vendosur të pranojë publikisht gabimin e tij.

Kështu, RAI ka publikuar të plotë letrën e Agaçit, ku ky i fundit i përgjigjet me shkrim pyetjeve të gazetarit. Letra mban datën 5 prill dhe duket qartë se Agaçi i ka dhënë përgjigje çdo pretendimi të gazetarit, përgjigje që çuditërisht, ai nuk i pasqyroi në emisionin e tij në RAI 3.

Pyetja që lind është pse gazetari i publikoi sot përgjigjet dhe jo kur bëri emisionin ku thoshte se Agaçi nuk ishte përgjigjur? 

Përse gazetari gënjeu publikisht tre ditë më parë? 

A është frika nga gjyqi arsyeja pse publikoi sot përgjigjen  e Agaçit që po vetë gazetari pretendonte se nuk ekzistonte?

Ora 17:36
'La Reppublica' korrigjon veten dhe lajmin e rremë për Ramën

1713886844_larepublica.jpg

Foto: Shkrimi i korrigjuar 

Një lajm i publikuar në median italiane 'La Repubblica' gjatë paradites së sotme, sipas të cilit Kryeministri Rama pati një telefonatë 'të tërbuar' me drejtorin e RAI 3 lidhur me emisionin “Report”, rezultoi të ishte i pavërtetë.

I pari që hodhi poshtë lajmin ishte Kryeministri Rama i cili deklaroi se nuk ka pasur telefonatë të tërbuar me drejtorin e RAI, por thjesht një kërkesë për telefonatë lidhur me shpifjen skandaloze të emisionit Report.

Menjëherë pas tij, duket se ka reflektuar edhe vetë media italine e cila ka korrigjuar tekstin e lajmit duke fshirë tekstin e "telefonatës së tërbuar" që nuk ndodhi kurrë. 

RAI konfirmon në artikullin e korrigjuar deklaratën e mëparshme të Ramës se nga ana e tij pati vetëm një kërkesë për t'u dëgjuar.

Konkretisht, në versionin e ri të shkrimit, La Reppublica shkruan se drejtori i RAI, "mori edhe një mesazh nga kryeministri shqiptar Edi Rama me kërkesën për t'u dëgjuar në lidhje me episodin e Raportit për marrëveshjen Itali-Shqipëri për çështjen e emigrantëve."

Foto: Shkrimi i korrigjuar