Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga drejtuesja politike e qarkut, Ogerta Manastirliu, kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, për të folur për ‘Paketën e Maleve’, një program që bashkë me fazat e tjera të këtij procesi ka synim që t’i japë një impuls të ri industrisë së turizmit në vendin tonë.
Gjatë fjalës së saj, Manastirliu është shprehur se ka pasur një interes të shtuar për programet e qeverisë, për mbështetjen e bizneseve.
“Dua të theksoj faktin se bashkëpunimi ynë ka qenë i vazhdueshëm. Mbështetja nga programet, qoftë të qeverisë, qoftë të Bashkisë, janë incentiva për t’u zhvilluar më shumë. Edhe këto takime që ne kemi nisur i vlejnë edhe diskutimeve, sesi ne mund të bashkëpunojmë më shumë sëbashku për ekonominë e Tiranës, për të rritur investimet në këtë zona, për të ulur pengesat burokratike administrative. Do të kemi një veprim të shpejtë nga qeveria, pasi Bashkia e Tiranës të depozitojë hartën ku do të kemi aplikimet e para. Vetëm për Dajtin janë mbi 100 shprehje interesi që kanë ardhur. Në të gjithë Tiranën janë mbi 600. Ka mundësi që ne të zhvillohemi. Ne do të vijojmë me ritëm për të aplikuar këto dy programe kaq të rëndësishme”, tha Manastirliu.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij, Rama ka prezantuar programin ‘Dyfisho Ndërmarrjen Tënde’, një program që sipas kryeministrit synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Kryeministri shpjegoi se ky projekt do të mbështetet nga një linjë kredie e Bankës së Shqipërisë, e cila do të përpunohet nga bankat e nivelit të dytë dhe do të ketë garanci sovrane nga qeveria.
“Ky takim synon të ndihmojë jo thjesht ju që jeni këtu, por të gjithë ata që janë të interesuar për t’u informuar me mundësitë e reja, që do të vihen në dispozicion të të gjithë atyre që do të duan të jenë protagonistë në këtë fushë. Dua ta nis te programi i ri kombëtar që ne po përgatisim, që do të lançohet sëshpejti. Në fund të muajit do të kemi marrëveshjen mes Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë për një linjë financimi të mbështetur nga qeveria shqiptare, për të mbështetur çdo projekt për këdo që ka një ndërmarrje të vogël apo të mesme dhe që ka ndërmend ta rrisë atë. E kemi quajtur projektin ‘dyfisho ndërmarrjen tënde’. Ky projekt do të mbështet nga një linjë kredie e Bankës së Shqipërisë, e cila do të përpunohet nga bankat e nivelit të dytë në bazë të aplikimeve dhe do të garantohet nga qeveria shqiptare me një garanci sovrane dhe do të ketë një interes të kredisë më të ulët sesa kreditë komerciale. Plus që do të ketë një limit deri në 2 milionë euro. Nuk do të jetë e mundur të aksesohet nga kompanitë e mëdha, por do të aksesohet nga Start-Up, nga ndërmarrjet e vogla e të mesme, nga punishtet dhe agroturizmat që duan të rriten”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
Paketa e Maleve/ Rama zbulon detaje: I jep zgjidhje problemit që ka lindur me ligjin 7501! Pasi përfundon investimin, mund të marrësh titull pronësie! Ja procedura
Komente










